Trend

#worktok: Trendi i shfryrjes kundrejt punës në tiktok

Punonjësit janë të ngopur me punë. Një numër në rritje po tallen dhe po kërkojnë ndryshimin duke bërë video në rrjetet sociale ku kanë miliarda shikime.

Dy vite më parë, shtëpia ishte “zyra” e preferuar e punonjësve por kjo ndryshoi shpejt dhe tani njerëzit në të gjithë botën po shfaqin pakënaqësitë e tyre në rrjetet sociale, më së shumti në TikTok.

Tani, mijëra punonjës po tallen dhe po ankohen për punën e tyre, kryesisht në formën e videove gazmore.

Videot janë regjistruar nën hashtagun popullor të #worktok (si dhe #careertok dhe thjesht #work) dhe ndiqen nga miliona.

Por këto video nuk janë thjesht gazmore. Ato tregojnë mënyrat e shumta se si puna është transformuar gjatë dy viteve të fundit. Nëpërmjet këtyre videove, punonjësit po rivlerësojnë kolektivisht normat e vjetra.

Videot #ëorktok më shpesh marrin formën e videove të shkurtra, qesharake më pak se një minutë, shpesh të vendosura në muzikë ose një lloj audio në trend. Disa janë bërë nga krijues me qindra mijëra ndjekës, por shumë janë bërë nga punonjës me punë me kohë të plotë, nga ushqimi i shpejtë te financat. Rezultati është një temë që ka grumbulluar mbi një miliard shikime në aplikacion.

Chase Coleman, menaxher në një kompani, videot e të cilit kanë marrë afro tre milionë shikime, trajton tema si pamundësia për t'u shkëputur me të vërtetë kur merr pushim dhe mbytet në emaile të pafundme. Avokati në Mbretërinë e Bashkuar Henry Nelson-Case tallet me shefat e tij dhe u kujton kolegëve të punës se kompanitë i shohin të gjithë si të shpenzueshëm, ndaj duhet t'i japin përparësi mirëqenies së tyre mbi gjithçka tjetër.

Një video tjetër virale tregon një përdorues që pyet: "Çfarë dreqin bëni në një punë zyre? A mund ta shpjegojë dikush këtë? Nuk e kam idenë se çfarë po ndodh".

Avokatja Samy Jones, iu përgjigj drejtpërdrejt kësaj video me një video që ka afro dy milionë shikime deri më tani. Në të, ajo bën parodi për një punonjës kompanie duke thënë: "Më vjen shumë mirë që pyete: Unë do t'ju jap disa këshilla kryesore", thotë ajo, duke shpjeguar nevojën për të lëvizur, për të mos qenë me mendimin se duhet të japin maksimumin në çdo gjë.

Shumë përdorues në #worktok, një hashtag që ka më shumë se gjysmë miliardë shikime, e gjetën veten duke u ankuar në TikTok.

Jones thotë se është e habitur si #worktok tregon se si shumë njerëz kalojnë të njëjtat përvoja, pavarësisht se cila është puna".

"Përvojat dhe nuancat e jetës së kompanive dhe të punës në një zyrë janë të ngjashme dhe pothuajse universale", thotë ai, duke shtuar se qëllimi i saj nuk është të ankohet për punën ose kolegët e saj, të cilët ai i quan "mbështetës dhe të mrekullueshëm". Për të, #worktok ka të bëjë më shumë me "nuancat dhe sfidat e vetë mjedisit të kompanive".

Në të vërtetë, popullariteti i këtyre videove nuk është befasues, thonë ekspertët.

"Puna është një temë me të cilën të gjithë mund të lidhen", thotë Amanda Wood, menaxhere e marketingut social në Hootsuite, kompani e analitikës sociale.

Këto video tregojnë atë që njerëzve nuk u pëlqen në punë por ato gjithashtu pasqyrojnë se si, ndërsa pandemia po zhduket, shumë nga elementët problematikë të punës janë vënë nën vëzhgim.

Ndërsa shumë prej këtyre videove janë satirike, ngacmimi që shfaqet në #ëorktok shpesh shihet si dialog i sinqertë që mund t'u ofrojë përdoruesve të tjerë mbështetje ose këshilla për karrierën.

Për shembull, në një nga videot virale të Jones, ajo mbështetet në përvojën e saj shumëvjeçare si rekrutuese për të ofruar 'flamuj të kuq' në intervistat e punës, në mënyrë që shikuesit e saj të shmangin një mjedis pune toksik.

Tani për tani, #ëorktok mund të jetë thjesht një vend ku punëtorët mblidhen, qeshin, ndajnë përvojat dhe nxjerrin inatin e tyre me punën.

“Ju po flisni me njerëz që nuk i njihni dhe ndoshta nuk do t'i takoni kurrë në jetën tuaj, por po ndërtoni lidhje dhe ndërtoni marrëdhënie dhe mësoni prej tyre dhe kjo është thelbësore në mënyrën se si kultura jonë është përshtatur në dy vitet e fundit", thotë Jones.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë