Vende dhe Udhetime

Washington Post: Në Shqipëri traditat e vjetra dhe plazhet mesdhetare vijnë lirë 

Berati, një trashëgimi madhështore e Perandorisë Osmane në Shqipërinë qendrore, njihet si trashëgimi i Unesco-s. Qyteti njihet për shtëpitë e bardha osmane që ngjiten në një kodër, mbi lumin Osum. (Mary Winston Nicklin/ Washington Post)


Mary Winston Nicklin/ Washington Post – Ashtu si vija në horizont, edhe Google Maps pohon me autoritet, se bregu është vetëm pak milje larg. Një udhëtim i lehtë me makinë dhe shpejt do të shullëheshim në Mesdhe. Por makina futet në rrugë të pista, duke u ndalur para çdo kopeje të çuditshme dhish dhe qerresh me gomarë, ndërsa shoferi, nga pasqyra e pasme, nënqesh me reagimet tona të habitura. Befas temperaturat ulen, ndërsa nisim ngjitjen malore; një majë e veshur me pyll halor që shtyn hundën drejt reve. Ej, Google Maps?! Makina ngadalëson pranë disa bletarëve që shesin kavanoza mjalti, në anë të rrugës. Më pas çajmë përmes reve të dendura të shiut dhe përgjojmë detin, që rrëzëllen nga teposhtë. Me gjeste prej fitimtari, shoferi e ndal makinën me një frenim gërvishtës, tek një pikë vështrimi panoramike. Dalim jashtë ta përpijmë.

Ime motër dhe unë po kërkonim një destinacion mesdhetar për ca pushime të shkurtra vere. Kriteri i vetëm? Jo pushime për të bastisur bankat, por një aventurë, ku mund të na i përballonte xhepi plot plazhe të bukur, not në det të hapur dhe kulturë. Shqipëria, siç e thërrasin vendasit, kishte me shumicë. Ndërsa një drekë për dy persona, në Korfuzin aty afër, një destinacion i famshëm pushimesh në Greqi, do të kushtonte 60 dollarë, në Shqipëri mund të shtrosh një darkë për më pak se 20 dollarë. Dhe pastaj ato rrugët epike – krejt të papritura në një shtet me përmasat e Merilendit. Mësojmë se Qafa e Llogorasë, ku po qëndronim atë çast, është një nga rrugët më të larta të shtruara në Europë – një udhëtim magjepsës përmes klimave të ndryshme – nga i nxehti i peizazheve me qiparisa të Mesdheut, te mjegulla dhe pyjet përherë të gjelbër. Aty poshtë, mund të shihnim një vijë të bardhë rëre, në bregun e Jonit. Këto plazhe të pazhvilluara janë disa nga më të bukurit që mund të gjeni në Mesdhe.

Një nga rrugët më të larta të shtruara në Europë, kjo qafë mali është një udhëtim emocionues mes malesh të mjegullta, lart mbi detet Adriatik dhe Jon. Nga pika panoramike mund të shihni një vijë plazhesh të bardha , gjatë bregdetit. (Mary Winston Nicklin/ Washington Post)

Jashtë, gjinkallat zukatin zëshëm dhe aroma e rigonit të pjekur nga dielli hyn nga dritarja e makinës. Zbresim nga retë drejt rivierës shqiptare. Një varg perlash me qyteza bregdetare shtrihet në jug, deri në kufirin grek. Shqiptarët mund të jenë dashnorë të festave me muzikë elektronike, që i tundin klubet deri në të gdhirë. Edhe nëse nuk je një kukuvajkë nate, mund të gjesh gëzim në këtë vijë idilike bregdetare. E gjejmë në Qeparo, një fshat i fjetur mes malesh dhe detit. U bashkohemi pushuesve vendas në shezlongët e plazhit (5 dollarë dita) dhe vështrojmë ngultas detin ku – sipas legjendës së Homerit – Odiseu doli në breg, në Korfuz.

Pas rënies

Por më lini t’ju këndoj për Shqipërinë “tokën e shqiponjave”, një vend i përndjekur nga legjenda të lashta dhe prej një kaste të larmishme personazhesh, përfshi një luftëtar trim të shekullit të 15-të, i quajtur Skënderbe, një mbret i shekullit të 20-të me emrin Zog dhe një diktator komunist, Enver Hoxha, që i mbylli kufijtë e vendit për 40 vjet, ndërsa ngriti bunkerë betoni në çdo cep të vendit. (Ndoshta nuk ishte paranojak; Hoxha thuhet se i mbijetoi 50 atentateve për vrasje.) Kur regjimi komunist ra, më 1990-n, qytetarët ikën nga vendi me turma. Sot, Shqipëria është një kapsulë kohe, ku traditat e lashta përzihen me ambiciet moderne.

Nga plazhi në Qeparo, bëjmë gati çantat e shpinës për një ngjitje në kodrat që përqafojnë bregdetin jonian. Ndalemi duke ngurruar në një bigëzim të rrugës. Tre burra të moshuar, ulur jashtë një kafeneje, na nxisin, duke treguar me gisht në drejtimin e kodrës. Ngremë duart në shenjë falënderimi dhe nisim ngjitjen që do të na çojë në peizazhet diellore dhe erëmira të Mesdheut, ku zukatjet e ngulmëta të gjinkallave ndërpriten vetëm nga thirrmat e një bariu dhish. Një fllad sjell aromë livande, menteje dhe shporizi; tingëllima e largët e kambanës së kishës së fshatit kumbon nëpër luginë. Dhe pastaj, fshati i vjetër i Qeparoit na shfaqet para syve: një bastion shekullor guri mbi majën e një kodre, me detin që shkëlqen larg, teposhtë.

Këtu, tek gjarpërojmë nëpër rrugica, ku bëjnë hije hardhitë, u kalojmë përbri grave të moshuara, veshur me veshje të zeza, tradicionale. Qyteza ‘e re’ e Qeparoit, është ngritur  larg, në bregun e detit, por ky fshat i vjetër e i harruar, ekziston ende në të gjithë lavdinë e tij të lashtë. Grerëzat gumëzhijnë, teshat valëviten në tela, landrat e lulëzuara bojë rozë bëjnë kontrast me muret e lyer me gëlqere... Kemi ecur në një kohë të shkuar. Kthehemi në realitet kur shohim një makinë të parkuar, lyer si një flamur gjigand i Shqipërisë, me krahët e shqiponjës që hapen, në kabinën e makinës. Sipas legjendës, gjenerali i madh Skënderbeu mbante një flamur me një shqiponjë dykrenore në betejën kundër osmanëve, në shekullin e 15-të. Shqiponja në flamur është një simbol i krenarisë së paepur kombëtare, në ditët e sotme. Vetë vendi është tejet unik; gjuha shqipe nuk ka asnjë lidhje me gjuhët sllave apo gjuhët romane me prejardhje nga latinishtja dhe zë degën e saj në familjen e gjuhëve indo-europiane. Një nga shtetet më të vegjël në Tokë, Shqipëria nuk ka qenë kurrë pjesë e Jugosllavisë së Titos.

Më vonë, atë pasdite, marrim një mësim tjetër historie nga menaxheri ortodoks-grek i një restoranti me pamje nga deti. “Barbarossa” elegante servir  ushqim të shijshëm deti dhe pjata tradicionale si spinaqi i egër, i skuqur në tigan me erëza. Familja e menaxherit u largua nga Shqipëria pas rënies së regjimit komunist dhe ai nisi të kursejë për restorantin, kur punonte në ishullin grek të Parosit. “E dini për lidhjen e shqiptarëve me Enean? Ne shqiptarët duam t’i pretendojmë disa figura historike nga antikiteti, si tanët”, shpjegon ai duke u zgërdhirë, ndërsa na sjell një pjatancë të bollshme me shalqi, si ëmbëlsirë. Qyteti antik i Butrintit në jug të Shqipërisë, u themelua nga trojanët, që u larguan pas rënies së Trojës. Siç përshkruhet në “Eneidën” e Virgjilit, Butrinti u ndërtua që të ngjasonte si një Trojë e vogël.

Pak ditë më vonë, e gjejmë veten duke kundruar mbi rrënojat arkeologjike të Butrintit, të cilat u shpallën trashëgimi e UNESCO-s, më 1992-shin. I themeluar në shekullin e tetë, para Krishtit, Butrinti është një vend magjepsës me një park natyror, mbushur me eukalipte dhe i larë prej valëve të detit. As turmat e udhëtarëve ditorë që marrin tragetin nga Korfuzi nuk mund t’ia mpakin mistikën. Ka kalime të periudhës helene, një teatër antik romak dhe banja, një bazilikë të madhe nga periudha e hershme e Krishtërimit (shekulli i gjashtë) dhe një kështjellë veneciane, nga shekulli i 14-të. Pas orësh nën të nxehtin e mesditës, freskohemi në qytezën aty pranë të Ksamilit, ku çdo centimetër i bregut është i mbushur me klube. Nga këtu, mund të notosh drejt tre ishujve të vegjël, që pluskojnë mbi Mesdhe, pranë njëbrirëshve të fryrë të pushuesve dhe lundrave me pedale.

Mikpritja dhe folklori

Një kredhje e shpejtë mes librave të shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, fitues i "Man Booker International Prize", më 2005, të zhyt në folklor, traditë dhe shprehje të çuditshme si “dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë” – për të mos folur për gjakmarrjen dhe maskilizmin. Kadare bën referenca të gjera ndaj Kanunit të Lekë Dukagjinit, kodit të lashtë të ligjeve shqiptare, bazuar tek nderi dhe mikpritja. “Shtëpia jonë u përket Zotit dhe miqve”, thotë një shprehje e vjetër.

Kjo mikpritje na shpaloset në Berat, i njohur si “qyteti i njëmijë dritareve”, një trashëgimi madhështore e Perandorisë Osmane, në Shqipërinë qendrore. I njohur si trashëgimi e UNESCO-s, Berati njihet për shtëpitë e bardha osmane, që ngjiten në kodër, mbi Lumin Osum. Qyteti ra në pushtetin e turqve osmanë më 1450-ën, por kështjella e tij daton në shekullin e katërt, para Krishtit. Përzierja kulturore si pasojë e kësaj është e dukshme në ansamblin e kishave bizantine dhe xhamive.  

Në jug të Shqipërisë, Saranda është një pikë e famshme pushimesh dhe port me tragete që e lidhin vendin me ishullin e afërt grek, të Korfuzit. (Mary Winston Nicklin/ Washington Post)

Kur mbërrijmë në hotel “Mangalemi”, në pronësi të një familjeje; i strehuar në shtëpi të shekullit të 18-të, na mirëpresin me pije mirëseardhjeje dhe buzëqeshje po aq të plota sa edhe motoja e turizmit shqiptar (“Buzëqesh për Shqipërinë!”) Hotel “Mangalemi” ofron një mirëseardhje të ngrohtë, për të mos folur për restorantin e hatashëm dhe tarracën panoramike – për vetëm 45 dollarë nata. Si për të treguar se mikpritja është ligji i vendit, ngecim në restorantin brenda shtëpisë së një djali vendas, me emrin Lili.

Ai na shtyn drejt një tavoline në oborrin e pasmë, ndërsa e shoqja përgatit specialitete tradicionale si byrek me spinaq dhe fërgesë, me speca, domate dhe gjizë, shoqëruar me verë të prodhuar nga i ati. Nuk i prisnim gotat ekstra me alkool më të fortë, që Lili na i solli pas vaktit. Përpara se të largohemi drejt Korfuzit, qëndrojmë në një rezort pushimesh në Sarandë, një kalim i volitshëm drejt bregut jugor të Shqipërisë. Me të mbërritur, shfaqet një zhvillim i vrullshëm me ndërtesa të larta mbi plazh. Por në këtë port ka energji fantastike. Në mëngjes herët, vendasit notojnë me distanca të gjata, pranë bregut – pa e vrarë mendjen për qarkullimin e varkave. Çadrat shumëngjyrëshe të plazhit mbijnë mbi rërën me guralecë dhe restorantet janë gumëzhitës dhe me ushqime të shijshme.

Në mbrëmje, gurguleja e zhurmshme na bën të dalim në ballkonin e hotelit për të kuptuar ç’po ndodh. Poshtë, në shëtitoren buzë detit, shohim një paradë njerëzish – gjyshër, vocërrakë, adoleshentë të dashuruar – duke shëtitur ngeshëm buzë detit, ndërsa drita e verës zbehet në muzg. Në Shqipëri “xhiroja” apo shëtitja mbrëmësore, është një ritual i shenjtë dhe një aktivitet i kohës së lirë. Në dreq shkofshin gjakmarrjet historike! Si të mos biesh në dashuri me një vend, argëtimi kombëtar i të cilit, është shëtitja mbrëmësore?! Zbresim shkallët t’u bashkohemi!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë