Rend dhe Ligj

Vrau me armë 2 vëllezër para 11 vjetësh, arrestohet në Tiranë i dënuari me burg përjetë

Gazeta Si - Ka rënë në prangat e policisë, i shumëkërkuari Eduart Kurti, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje. Mësohet se 48-vjeçari ka vrarë në vitin 2012 me armë zjarri dy vëllezërit Iglend dhe Sokol Haxhiali, përkatësisht 44 dhe 41 vjeç.

I shumëkërkuari nga Policia e Tiranës, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje, në rrethana të tjera cilësuese.

Si rezultat i këtij operacioni, në zonën e Ish-Fushës së Aviacionit, ditën e sotme, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi Eduart Kurti, 48 vjeç, banues në Tiranë.

Vrasja e vëllezërve Iglend dhe Sokol Haxhialiu, me origjinë nga Berati, por banues në Tiranë, ndodhi mbrëmjen e 1 dhjetorit 2012 pranë kryqëzimit të Tiranës së Re.

Burime nga policia atëherë thanë se shkak ishte një borxh prej 200 mijë eurosh që mendohej se viktimat Iglend dhe Sokol Haxhialiu i kishin autorit të krimit, Eduard Kurti, 37 vjeç nga fshati Nikël i Krujës. Mendohet se nga kjo shumë viktimat kishin kthyer një pjesë dhe vetëm 36 mijë euro nuk kishin kthyer.

Sokol Haxhialiu

Vrasja ndodhi rreth orës 20:00 të 1 dhjetorit në bulevardin "Bajram Curri", në vendin e quajtur ish stacioni i fundit i Tiranës së Re, ose kryqëzimi ku lidhet me zonën e Selitës. Mendohet se viktimat dhe autorët e krimit udhëtonin në të njëjtën makinë, tip “Mazda” me targa TR9205S, ku dhe ndodhi vrasja. Makina ishte parkuar fare pranë një dyqani të një kompanie celulare.

Makina drejtohej nga Sokol Haxhialiu 41 vjeç, i cili ishte dhe pronari i saj. Mendohet se para vrasjes mes viktimës dhe autorit ka pasur një debat për cështjen e borxhit. Nga grupi hetimor mësohet se vrasësi ka qenë i ulur në vendin e parë të pasagjerit, Sokoli (viktima) në vendin e shoferit dhe Iglendi (viktima) në sediljen e pasme. Fillimisht i dyshuari Kurti ka qëlluar, me pistoletë të pajisur me silenciator, me një plumb në kokë Iglendin. Pas kësaj ka qëlluar mbi Sokolin, kur ky i fundit ka tentuar të largohet. Në drejtim të tij është qëlluar dy herë në kokë dhe në qafë. Ai gjeti vdekjen në spital.

11 vite më pas policia e Tiranës deklaroi sot se ka arrestuar autorin Eduard Kurti i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasja me dashje, në rrethana të tjera cilësuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë