Rend dhe Ligj

Vrasja në Dukagjin për shfrytëzimin e pyjeve, autori ka lidhje familjare me viktimën dhe të plagosurin

Gazeta Si - Dy ditë pas vrasjes dhe plagosjes së babë e bir në Dukagjin të Shkodrës, Zef dhe Gjin Guri, policia thotë se shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes.

Bëhet fjalë për shtetasin Gjovalin Guri, i cili rezulton që të jetë në kërkim edhe për ngjarje e vepra të tjera penale. 

Dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur pas konflikteve dhe kërcënimeve të vazhdueshme për shkak të zaptimit dhe shfrytëzimit të hapësirave pyjore në atë zonë.

Në një konferencë për mediat, drejtori i Policisë së Shkodrës Ervin Hodaj, bëri me dije se autori është lidhje familjare me viktimën dhe të plagosurin.

“Janë lidhje familjare që kanë pasur konflikte edhe të mëparshme. I dëmtuari është person me precedentë të theksuar kriminalë dhe të gjitha këto ngjarje po i analizojmë për të arritur në dokumentimin e plotë të ngjarjes, së plagosjes dhe vrasjes së babait të tij”, tha drejtori i policisë.

Po ashtu, një ditë më parë, Martin Qershija, 28 vjeç, Edmond Nika, 29 vjeç, Kujtim Dholla, 25 vjeç, dhe Çesk Serraj, 36 vjeç, ishin shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen dhe plagosjen e babë e bir, Zef e Gjin Guri, përkatësisht 73 dhe 43 vjeç.

Katër të rinjtë dyshohet se janë autorë dhe bashkëpunëtorë në ngjarjen e rëndë të shënuar rreth orës 18:30 në fshatin Mali i Shoshit, pranë një lokali.

Për të katërt rëndojnë 2 vepra penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit”.

Zef Guri, 73 vjeç, u vra mbrëmjen e 27 shtatorit. Ai po udhëtonte me një kamionçinë në drejtim të Shkodrës kur në rrugë u qëllua me armë.

Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur djali i tij, Gjini, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

I plagosuri Gjin Guri nuk është një emër i panjohur për policinë. Në vitin 2015, atëherë 38-vjeçar, ai figuronte në listën e 10 personave të shpallur në kërkim pasi qëlloi me armë ndaj helikopterit të policisë gjate patrullimit për zbulimin e zonave me kanabis. Ai ishte i dënuar nga gjykata me 7 vite burg. Ndërsa në 15 nëntor të vitit 2021, në lokalin e tij u vendos një sasi tritoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë