Rend dhe Ligj

Vrasja e babë e bir në Dukagjin, kanabisi pista kryesore e hetimit

Gazeta Si - Një konflikt për kultivimin e kanabisit në tokat e tyre me persona të tjerë, dyshohet të jetë pista kryesore e hetimit nga Prokuroria e Shkodrës për vrasjen e babë e bir në Dukagjin.

Grupi hetimor është rikthyer sërish këtë të premte në mëngjes në vendin e ngjarjes në fshatit Sumë në Pult, për të këqyrur skenën e krimit për vrasjen e Gjokë dhe Eduard Gurrës.

Veç pistës që babë e bir kishin aktivitet të tregtimit të lëndës drusore, policia ka ngritur edhe atë të konflikteve për mbjelljen e lëndëve narkotike, duke qenë se 57-vjeçari Gjokë Gurra në vitin 2008 ka qenë punonjës policie dhe së fundmi kryeplak i fshatit Bruçaj.

Po verifikohet nëse ka denoncuar ndonjë rast të kultivimit të drogës dhe kjo mund të jetë bërë shkak për vrasjen.

Sipas ekspertizës paraprake, del se nga gëzhojat e sekuestruara në vendin e ngjarjes, është qëlluar nga një armë e vetme e tipit kallashnikov, ku janë sekuestruar 8 gëzhoja.

Autori besohet të ketë vepruar i vetëm, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë ndihmuar edhe nga persona të tjerë për t’u larguar.

Babë e bir janë qëlluar të dy në makinë dhe policia kur ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka konstatuar viktimat brenda në mjetin e tyre.

Babë e bir udhëtonin së bashku me një makinë tip fuoristradë drejt fshatit të origjinës Sumë, me qëllim për të parë banesën e tyre të djegur qëllimisht disa ditë më parë.

Dyshohet se autorët e vrasjes, mund t’i kenë vënë zjarrin banesës se tyre për t’i detyruar të ngjiteshin në fshat, ku kishin ndërtuar pritën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë