Futboll

Vllaznia zyrtarizon drejtuesit e rinj, Hasan Likën dhe një turk

Nga Fatjon Rupi - Më në fund, Vllaznia ka zyrtarisht një trajner dhe një drejtor sportiv. Drejtimi i skuadrës shkodrane i është besuar trajnerit të njohur Hasan Lika, i cili së fundi ka drejtuar me shumë sukses Luftëtarin, ndërsa në postin e drejtorit sportiv është emëruar turku Engin Firat. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi verior në faqen e tij zyrtare. Plotësohen kështu strukturat drejtuese të klubit të Vllaznisë, që këtë sezon do të luajë në Kategorinë e Parë. Pak javë më parë është emëruar në postin e administratorit ish-lojtari dhe ish-kapiteni i Vllaznisë, Suad Lici, i cili më pas është angazhuar për zgjedhjen e drejtuesve të tjerë, drejtorit sportiv dhe trajnerit.

Mënyra e zgjedhjes së drejtuesve të rinj të Vllaznisë bëri bujë disa ditë më parë, kur klubi publikoi në faqen e tij në Facebook njoftimin për dorëzimin e CV-ve nga personat e interesuar për pozicionet drejtuesve të skuadrës. Menjëherë shpërtheu ironia dhe humori në rrjetet, por tashmë është e rëndësishme që Vllaznia ka plotësuar strukturat drejtuese dhe mund të punojë për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri.

Hasan Lika, kur drejtonte Partizanin

Hasan Lika është një trajner mjaft i njohur në futbollin tonë, ku ka drejtuar skuadra me emër, siç janë Partizani, Teuta, Kukësi, Apolonia dhe Luftëtari. Po ashtu, ai ka drejtuar edhe Kombëtaren U-21. Për stolin e Vllaznisë kanë kandiduar edhe trajnerë të tjerë, si Edi Martini, Engin Firat, si dhe ish-trajnerët e shkodranëve, zvicerani  Baldo Raineri dhe malazezi Dervish Haxhiosmanoviç. Në fund, drejtuesit e klubit shkodran përzgjodhën Likën për përvojën e tij, duke pasur besim të plotë se do ta kthejë Vllazninë në elitë.

Interesant është fakti që për postin e drejtorit sportiv të Vllaznisë është përzgjedhur 48-vjeçari turk, Engin Firat, i cili kandidonte gjithashtu edhe për postin e trajnerit të skuadrës kuqeblu. Drejtuesit e klubit shkodran i kanë besuar formimit profesional të Firat, i cili në karrierën e tij ka qenë pjesë e stafeve të skuadrave të shumta në Turqi, Iran, Gjermani dhe Amerikë. Veçohet fakti se Firat ka qenë pjesë e stafit teknik të ekipit të njohur turk të Fenerbahçes. Për postin e drejtorit sportiv të Vllaznisë kandidonin edhe Alban Hasani dhe Agim Canaj. Koha do të tregojë se çfarë do të jenë në gjendje të bëjnë drejtuesit e rinj me një ekip shumë të madh në Shqipëri si Vllaznia. Tifozët e saj presin rilindjen, ndaj dhe riorganizimi i klubit ishte shumë i rëndësishëm.

Profili i drejtorit të ri spotiv të Vllaznisë, Engin Firat

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë