Analize

Vjosa Osmani, ose “Merkeli” e Kosovës

Bashkimi i dy partive më të mëdha opozitare dhe emërimi për herë të parë i një kandidateje femër për kryeministre! Peizazhi politik në Kosovë nuk mund të ishte më interesant se kaq. Pas mbledhjes së kryesisë së saj, LDK-ja konfirmoi sot zgjedhjen e Vjosa Osmanit si kandidate për kryeministre.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa deklaroi në një konferencë për mediat se mes Lutfi Hazirit dhe Vjosa Osmanit, partia e tij ka zgjedhur të kandidojë 37-vjeçaren.

LDK-ja kryeson tanimë të gjitha sondazhet si partia e parë në Kosovë. Ajo kishte më shumë deputetë në kuvend dhe është partia që udhëheq më shumë komuna. Ndërkohë që presidenti Hashim Thaci ka caktuar 6 tetorin si datën e zgjedhjeve të parakohshme, LDK-ja pritet të zyrtarizojë edhe formimin e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, me kusht që të jetë LDK-ja ajo që do të mbajë postin e kreut të qeverisë në rast se kjo aleancë arrin të marrë shumicën në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në tetor. Dhe sigurisht zgjidhja e Osmanit mund t’i lihet gjithçka përveçse rastësisë.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani, Gazeta Si, 26 gusht 2019

E papërlyer nga të gjitha skandalet politike që kanë tronditur Kosovën, ajo është cilësuar si Angela Merkeli e Kosovës dhe është gruaja më e votuar ndonjëherë nga shqiptarët e Kosovës, me plot 65 mijë vota.

Ajo është një kundërshtare e hekurt e ndryshimit të kufijve të Kosovës,, por edhe një figurë që i ka mbrojtur gjithnjë parimet e saja në skenën politike. Osmani nuk e ka mbështetur LDK-në gjatë koalicioni me PDK-në duke qenë e vetmja që ka dalë kundër partisë së saj.

Në fjalën e saj Osmani ka falënderuar të gjithë për përkrahjen, duke premtuar se së bashku me të gjithë LDK-në si ekip do të punojnë për të larguar klasën e korruptuar nga pushteti.

Për shumë ekspertë, me zgjedhjen e Vjosa Osmanit do të shënohej edhe një fitore e merituar e një femre politikisht të angazhuar në Kosovë, të pa ndihmuar nga zarfet apo fondet e oligarkëve, por të angazhuar politikisht dhe me bagazh intelektual. Si ish-krahu i djathtë i Fatmir Sjediut, Osmani shihet si shpresa më e madhe e Kosovës për të pasur një qeveri me ministra intelektualë, pjesë e së cilës mund të bëhet edhe Albin Kurti i Vetëvendosjes.

Vjosa Osmani, Gazeta Si, 26 gusht 2019

“Zgjedhja e saj do ta përmbyste piramidën e tanishme të pushtetit dhe do të fillonte krijimin e piramidës së re të vlerave intelektuale dhe morale në politikë. Shpresa quajtur Vjosa Osmani mund ta ndalojë konservativizmin e LDK-së dhe ta drejtojë partinë e saj drejt një mbështetjeje më të gjerë popullore”, shkruan analisti Nexhmedin Gerguri.

Por zgjedhjet e reja në Kosovë dhe kandidimi i Osmanit kanë zgjuar edhe kureshten e ekspertëve të huaj. Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir ka krijuar një sondazh në faqen e tij në Facebook, duke pyetur ndjekësit e tij, nëse ata janë dakor që Vjosa Osmani të jetë kandidate për kryeministre të Kosovës”.

Kush është Vjosa Osmani?

Osmani u lind dhe rrit në Mitrovicë, mes përplasjeve të vazhdueshme politike dhe etnike mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Me tre mandate të suksesshme mbi supe, ajo është deputetja më e votuar në historinë e Kuvendit të Kosovës. 37-vjecarja përfundoi shkollën fillore dhe të mesmen në Mitrovicë, për të studiuar më pas në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Për shkak të rezultateve të shkëlqyera, Osmanit i ofrohet një bursë e plotë për të vazhduar studimet master dhe doktoraturën në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA. Karriera politike e Vjosës filloi që në adoleshencë, kur edhe ishte aktiviste e LDK-së. Pas kthimit nga SHBA-ja, më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ndonëse në moshë të re, ajo njihet për kontributin e saj të dhënë për pavarësimin e Kosovës, sidomos në kontributin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ku ishte pjesë e palës shqiptare për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës, një këtë proces jetik për pavarësinë e vendit.

Osmani është një nga militantet më të fortë për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Gjatë tre mandateve si deputete, Vjosa ka kërkuar vazhdimisht fuqizimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për sigurimin e një juridiksioni të pavarur. Po ashtu, ajo është e fokusuar edhe në politikën e jashtme, veçanërisht në procesin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Vjosa Osmani, Gazeta Si, 26 gusht 2019

Aktualisht Osmani shërbente si kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrimin Evropia dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë.
Në vitin 2005 është shpërblyer dy herë me Çmimin “Excellence For The Future Aëard”, nga Universiteti i Pitsburgut. Po ashtu, për kontributin e saj në fushën e të drejtave të njeriut, ajo u vlerësua me Çmimin “Sheth International Achievement Aëard”, nga Universiteti i Pitsburgut, ku jep ende mesim.

Koalicionet e deritanishme

E gjithë skena politike në Prishtinë po vlon nga bisedimet për “koalicione parazgjedhore”, duke ndërtuar një panoramë që ndan sërish krahun e luftës që qeverisi për gati 2 vjet (PDK, AAK dhe Nisma).

Dy partitë më të mëdha opozitare ,LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje, filluan të negociojnë me njëra tjetrën që para dorëheqjes së Ramush Haradinaj . Ato fillimisht i nisën takimet në përpjekje për të gjetur një mënyrë për ta rrëzuar Haradinajn nga posti dhe për të arritur një marrëveshje që kur kjo të ndodhte, ta qeverisin vendin së bashku.

Pasi zyrtarët e lartë të dy partive, përfshirë dy liderët Isa Mustafa dhe Albin Kurti, u shprehën në favor të arritjes së marrëveshjes, bisedimet janë intensifikuar edhe më tej pas mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme të LDK-së, në të cilat Mustafa u rizgjodh si lider i partisë.

Isa Mustafa dhe Albin Kurti, Gazeta Si, 26 gusht 2019

Pavarësisht faktit që të dyja partitë e konsideruan njëra tjetrën si opsionin e vetëm për të formuar koalicion, marrëveshja ende nuk është zyrtarizuar

Kryeministri në largim Haradinaj u tregua më i shpejtë, pasi formoi koalicion parazgjedhor me ish-kolegët partiakë të Kurtit, me Partinë Social Demokrate të Kosovës (PSD). Më 19 korrik, partia e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe PSD arritën një marrëveshje zyrtare për t’i hyrë së bashku garës zgjedhore, me Haradinajn si të zgjedhur për postin e kryeministrit.

Në një debat televiziv pas zyrtarizimit të koalicionit, Haradinaj e përshkroi këtë vendim si “pjekuri politike” për shkak të pozitës së Kosovës në fazën finale të dialogut me Serbinë. Por ky koalicion u kundërshtua nga analistët dhe partitë tjera politike për shkak të dallimeve ideologjike ndërmjet dy partive, duke qenë se AAK e përshkruan vetën si parti e qendrës së djathtë, ndërsa PSD si social demokratë.

Një tjetër koalicion parazgjedhor ka qenë ai Nismës SocialDemokrate të Fatmir Limajt dhe Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacollit. AKR dhe Nisma do të garojnë me një listë të përbashkët dhe do të kenë kandidatin e përbashkët për kryeministër. Kandidati për kryeministër i tyre është Fatmir Limaj. “Pritet të na bashkohen edhe parti të tjera. Besoj se koalicioni parazgjedhor e jep një mundësi të re. E unë po njoftoj se do të jem kandidat i këtij koalicioni për kryeministër”, ka thënë Limaj.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vendosur të qendrojë larg vëmendjes. Partia e Kadri Veselit nuk e ka përjashtuar mundësinë për koalicione, por partitë e tjera janë të rezervuara për t’u bërë pjesë e koalicioneve bashkë me partinë që ka qenë në pushtet prej vitit 2007.

PDK-ja ka paralajmëruar që fushata e saj do të fokusohet rreth “Dekadës së Re”, me objektiva për të luftuar më në fund korrupsionin dhe nepotizmin. Veseli e ka bërë të ditur që PDK-ja nuk mendon të ja dorëzojë postin e kryeministrit asnjë partnerit potencial për koalicion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë