Dosje

Video / Do të vrisnin rivalët e një rrjeti droge në Tiranë, arrestohen pas një viti arrati dy shqiptarë në Spanjë

Gazeta Si - Një vit pas arratisjes nga Shqipëria, Hektor Ndoka dhe Edmir Vlashi janë vënë në prangat e policisë së Spanjës, njëri në Madrid dhe tjetri në Barcelonë.

Të dy shqiptarët, anëtarë të një grupi kriminal, ishin të shpallur në kërkim nga policia shqiptare për atentatin e dështuar ndaj 51-vjeçarit Preng Paluca në dhjetor të vitit 2021.

LEXO EDHE:
- Atentati i dështuar për pazare droge, objektivi i shpëtoi një sulmi para 4 muajsh me gruan në makinë
- Dështon plani për një atentat me mina me telekomandë në Tiranë për pazare droge. Sekuestrohen arsenal armësh dhe mijëra euro

Hektor Ndoka dhe Edmir Vlashi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin një vrasje në Tiranë për shkak të konflikteve të mëparshme në lidhje me prishjen e pazareve të drogës jashtë shtetit.

Si bazë për fshehjen e armatimit që do të përdornin për kryerjen e vrasjes dhe të të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal, ata kishin shfrytëzuar ambientet e banesës dhe të restorantit të shtetasit Nikoll Marku.

Ndërsa Mark Lamkja, dhëndri i shtetasit Nikoll Marku, është kapur me armë zjarri pistoletë, gjatë  operacionit, në përpjekje për të fshehur provat që u gjetën gjatë kontrollit të policisë.

Edmir Vlashi 32 vjeç dhe bashkëmoshatari i tij, Hektor Ndoka njihen si persona me precedentë të theksuar kriminalë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi dyshohen për disa ngjarje të rënda kriminale në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës.

Mediat spanjolle, bënë me dije se pas arratisjes nga Shqipëria, dy shqiptarët, kishin udhëtuar drejt Turqisë dhe prej aty janë nisur drejt Spanjës ku besohet se kanë qëndruar rreth një vit.

Policia shqiptare ka bërë me dije se Hektor Ndoka, i arrestuar në Madrid të Spanjës do të ekstradohet drejt Shqipërisë, ku Gjykata e Lezhës i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Preng Paluca me bashkëshorten e tij, dhe të arrestuarit për atentatin e dështuar ndaj tyre

Të dy rinjtë kanë ndryshuar mbiemrat që mbanin më parë, kështu Hektor Ndoka më parë mbante emrin Sadiku ndërsa Edmir Vlashi më parë mbante mbiemrin Marku.

Ka qenë Hektori ai që raportohet se ka pasur konflikte të vazhdueshme me vëllezërit Paluca.

Dy të ndaluarit në Spanjë, rezulton se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin vrasjen me eksploziv me telekomandë të dy vëllezërve Preng dhe Ndoc Paluca në qytetin e Tiranës, ngjarje kjo që fatmirësisht u parandalua nga policia në atë kohë.

Ndërkaq, pak muaj para kësaj ngjarjeje, konkretisht më 7 gusht 2021 Preng Paluca mbeti i plagosur pas një atentati të bërë pranë derës së shtëpisë në rrugën “Kosova”, Kamzë. Prenga ishte në makinë me bashkëshorten Antoneta Prenga dhe vajzën e tyre kur u qëlluan. Atëherë u tha se çifti mund të ishte qëlluar me silenciator pasi nuk është dëgjuar zhurma e të shtënave.

50-vjeçari në atë kohë, Preng Paluca, mori plumb në brinjë ndërsa gruaja në këmbë, por pa rrezik për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë