Ka ndodhur

Atentati i dështuar me mina, në burg dhëndri dhe vjehrri, lirohet vjehrra

Mark Lamkja bashkë me vjehrrin e tij Nikoll Marku 62-vjeç janë lënë në burg nga Gjykata e Lezhës, pasi u arrestuan një ditë më parë në kuadër të parandalimit nga policia të një vrasjeje me pagesë që po përgatitej të kryhej në Kamëz.

Bashkëshortja e 62-vjeçarit, Marie Marku është lënë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes shëndetësore. Ndërkohë, të ndaluarit, i kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre.

“Arrest me burg” është caktuar edhe për dy personat e shpallur në kërkim, Edmir Vlashi, që është dhëndri i dytë i familjes Marku dhe Hektor Ndoka.

Ata rezultojnë të jenë larguar jashtë Shqipërisë në Spanjë pak ditë para se policia të kryente operacionin. Hektori që është shok dhe bashkëpunëtor i Edmirit dhe ka ndërruar mbiemrin nga Sadiku në Ndoka. Po ashtu edhe Edmir Marku e ka ndërruar mbiemrin për shkak të konflikteve, duke e bërë Vlashi.

Ata kishin përgatitur si bazë për fshehjen e armatimit dhe të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal banesën dhe restorantit e vjehrrit të tyre Nikoll Marku, i cili u arrestua bashkë me gruan, Marie Marku.

Personi që ishte vendosur në shënjestër për t’u vrarë nga grupi i Lezhës, Preng Paluca, i kishte shpëtuar më parë një atentati me armëzjarri. Në 7 gusht të këtij viti, ai u qëllua me pistoletë pranë shtëpisë së tij në Kamëz, duke shpëtuar me plagë të lehta në trup.

Operacioni policor i koduar “Mataro”, u finalizua mbrëmjen e së martës nga Policia e Lezhës, ku u sekuestrua edhe një arsenal i madh armësh dhe mijëra euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë