Rend dhe Ligj

Vettingu shkarkon drejtorin e Policisë së Lezhës, nuk dorëzoi dosjen brenda afatit

Gazeta Si - Vettingu ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e Policisë së Lezhës, Vehbi Bushati. Largimi i tij është bërë pasi ai kishte një afat të caktuar për të plotësuar dosjen, por nuk ka dorëzuar asnjë dokument.

“Subjekti i Vlerësimit Z. Vehbi Bushati me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë nuk ka plotësuar dhe dorëzuar formularët e deklarimit të Pasurisë, deklaratën e Kontrollit të Figurës dhe formularin e Vlerësimit të Aftësive Profesionale”, - thuhet në vendim.

Sipas arsyetimit të vendimit,  Bushati nuk mund të mbajë më asnjë post drejtues në polici, si drejtor, zv drejtor, shef komisariati apo shef sektori. Pra, të gjitha pozicionet drejtuese që preken nga ligji i Vettinguut në Policinë e Shtetit.

Vehbi Bushati  u emërua Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë së Lezhës në mars të vitit të kaluar, rreth një vit më parë, një muaj pas largimit të Oltian Bistrit.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), është organi kompetent që kryen procesin e vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë