Kinema

Vetëvrasja e Mia Martinit, mister i pazgjidhur. I thoshin se ndillte ters

Mbërrin në shkurt filmi kushtuar Mia Martinit “Unë jam Mia”, me protagoniste aktoren Serena Rossi dhe gjatë këtyre javëve, është rikthyer tema mbi jetën e këngëtares, e cila u nda nga jeta para kohë, më 1995-ën. Leda Bertè, motra e madhe e Mia Martinit ka folur në të përjavshmen “Spy”, duke kërkuar t’i njihet autorësia  e idesë së filmit. “Ideja për të bërë një film mbi time motër, Mia Martinin, ishte e imja. Afro katër vjet më parë, takova Luca Barbareschi-n, që ka prodhuar filmin “Unë jam Mia” dhe i dorëzova një projekt për të bërë diçka mbi Mimin. Aq e vërtetë është,  sa kisha shkruar të gjithë historinë e Bertè-ve dhe e kisha depozituar fashikullin tek “Siae”.

Mia Martini (Domenica Berté) dhe e motra Loredana Berté. Romë, 1970

E megjithatë, pavarësisht kësaj, nuk më thirrën për skenarin, ndryshe nga motrat e mia, Loredana dhe Olivia. Leda, motra e madhe e Mia Martinit dhe Loredana Bertè-së, shpreh mospajtimin rreth filmit, kushtuar këngëtares.

“Jam e bindur se ky film nuk pasqyron të vërtetën mbi jetën e familjes sime dhe të Mimit. Loredana dhe Olivia, më të voglat, nuk mund t’i dinin shumë gjëra rreth familjes sonë. Pastaj kam parë edhe vajzën që e interpreton, Serena Rossi-n. Mund të jetë e zonja në të kënduar, por nuk ka fare të bëjë me Mia Martinin, siç edhe duket. Bëjnë një film mbi Mimin dhe këngët e saj ia lënë t’i këndojë një tjetre? Të paktën në sfond mund të linin zërin origjinal”.

Mia Martini

Mia Martini, në të gjallë, ka qenë e përndjekur prej vitesh nga shpifjet (mes këtyre edhe akuzën se ndillte ters) dhe tani  Leda Bertè shpreson se dikush do t’i kërkojë ndjesë. “Uroj që dikush të nisë t’i kërkojë falje. Duke nisur nga disa trapa që punojnë akoma në nivele të larta në televizion. Po rrëfej vetëm një episod. Erdhi të më takonte në Romë, ku punoja: me të dalë jashtë, takuam një regjisor shumë të famshëm dhe një prezantues të nivelit të parë. Kur panë Mimin, nga larg, nisën të preknin nënveten. Kanë shkatërruar jetën e një gruaje që nuk i bëri kurrë keq askujt. Mbase ishte thjesht shumë e madhe dhe shumë e zonja, për këtë e bënë të hiqte të zezat mbi kurriz”.

Ajo flet për vdekjen e së motrës Mimit, duke nxjerrë të tjerë pyetje dhe detaje mbi gjetjen e trupit të pajetë të këngëtares, në vitin 1995. Unë dhe Loredana pamë mbi kufomën e motrës sonë mavijosje, si në krahë ashtu edhe në këmbë. Që të bën të mendosh për një zënkë të dhunshme me dikë, mbase me babanë tonë, me të cilin ishte riafruar?! Ai ka qenë gjithnjë i dhunshëm. Dhe përse, fill pas funeralit, pa i thënë asgjë askujt, ai dogji trupin? Duhet të më japin shpjegim. Ishte një vdekje e mbështjellë nga misteri, ka shumë anë të errëta, edhe pse kanë kaluar shumë vite, besoj se është e drejtë të flitet sërish”.

Serena Rossi në filmin "Unë jam Mia"

Filmi do të prezantohet mbi skenën e Festivalit të Sanremos. Leda Bertè ka diçka për të dhënë edhe për prezantuesin dhe drejtorin artistik Claudio Baglioni. “Gjatë Sanremos së fundit as nuk e dorëzoi çmimin “Mia Martini” mbi skenë, e kaloi në heshtje: këto nuk bëhen. Ai çmim është krijuar pikërisht për të lartësuar kujtimin për Mimin dhe ai që drejton Festivalin ka për detyrë të flasë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë