Para

Vetëm 4% e shqiptarëve kanë një kartë krediti. Deri në shtator, qarkulluan 45 mld lekë me anë të bankingut online

Nga Gazeta 'SI' - Shqiptarët po largohen gjithnjë e më shumë nga paraja cash, duke mirëpritur atë elektronike.

Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, Banka e Shqipërisë tregon se vlera totale e pagesave më kartë arriti në 16.8 miliardë lekë, rreth 17% më shumë krahasuar me tremujorin e dytë. Në numër transaksionesh, numërohen mbi 10 milionë të tilla në 9 muaj. Në total, për të gjithë 2023-shin deri në fund të shtatorit, vlera e transaksioneve me kartë kaloi 45 mld lek.

Sipas BSH-së, raportohen 1.4 mln karta aktive, prej të cilave 1.2 janë debiti, që tregon edhe uljen e informalitetit në tregun e punës dhe reduktimin e “zarfit”. Ndërsa pjesa tjetër, 8.3% rreth 120 mijë janë karta krediti, duke u shtuar mesatarisht me 2 mijë për çdo tremujor të këtij viti. Këtë vit, për herë të parë, numri i kartave të kreditit të lëshuara kalon shifrën e pandemisë, 113 mijë. Në 2020-n kjo shifër u ul në108 mijë.

Vitet post-pandemisë sollën një rritje të shpejtë të bankingut elektronik në Shqipëri, ku nga një vend i dedikuar parasë cash, kaloi me shumë lehtësi tek pagesat me kartë. Edhe bizneset në vend raportojnë shtim të numrit të klientëve që paguajnë me kartë apo për blerjet online. Edhe bankat tregtare në vend po zhvendosin fokusin e tyre nga shërbimet fizike tek ato virtuale.

Pak javë më parë, Guverantori i BSH-së Gent Sejko tregoi se shqiptarët kanë një nivel relativisht të kënaqshëm të përfshirjes financiare, ku pothuajse 69% e popullsisë zotëron një llogari, një shifër pozitive për formalizimin e ekonomisë.

“Konkretisht volumet e pagesave me kartë janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë pesëvjeçarit të fundit (2018-2022), duke shënuar një trend mesatar rritës prej rreth 40% në vit; si dhe është shënuar një rritje e konsiderueshme me 78% e numrit të terminaleve POS gjatë së njëjtës periudhe. Këta tregues janë dëshmi e rritjes së përdorimit të instrumenteve elektronike nga konsumatorët, gjë që ndikon pozitivisht edhe në formalizimin e ekonomisë. Gjithashtu, nga të dhënat e disponuara sa i takon volumit të transaksioneve homebanking për këtë 9-mujor, rezulton se është shënuar një rritje prej 22%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke vijuar trendin rritës të shfaqur ndër vite”, tha Sejko.

Një raport i mëhershëm i Bankës Botërore tregonte se klientët shqiptarë të bankave, kanë besim të ulët në sistemin financiar dhe kjo i limiton ata ta përdorin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë