Para

Paraja në qarkullim u rrit me 7 mld lekë në 2023-shin. Shqiptarët kryen 11 pagesa elektronike për frymë

Nga Gazeta 'SI' - Rreth 408 mld lekë qarkulluan në ekonominë e vendit deri në fund të 2023-shit.

Banka e Shqipërisë tregon se kjo vlerë është rreth 7 mld lekë më e madhe se e një viti më parë.

Kartëmonedha 5 mijë lekëshe dominon në treg, me rreth 50 mijë të tilla në qarkullim, ose rreth 250 mld lekë.

Më e rrallë është kartëmonedha 10 mijë lekëshe, e cila doli për herë të parë në qarkullim në vitin 2021. Rreth 4.000, ose 40 mld lekë në vend qarkullojnë me këtë prerje.

Në vitin 2023, transaksionet me para fizike të kryera nga klientët në sportelet e bankave janë zvogëluar me 2.1% në numër dhe 0.2% në vlerë, krahasuar me vitin 2022. Megjithatë, përdorimi i parasë fizike në ekonominë shqiptare mbetet një fenomen mbizotërues, i cili mbart kosto të larta për ekonominë. Raporti i parasë jashtë bankave është 51%, nga 52.7% një vit më parë.

Të dhënat janë publikuar në raportin vjetor 2023 të Bankës së Shqipërisë, ku detajohet më tej që ndonëse sasia e parave është rritur, cash-i nuk është më lloji kryesor i pagesës.

BSH tregon se në 2023-shin u tejkalua objektivi i kryerjes së të paktën 10 pagesave jo-cash për frymë, duke arritur në 21. Numri mesatar i pagesave me karta për frymë (popullsia mbi 15 vjeç) është rritur në rreth 11 pagesa gjatë vitit 2023 kundrejt 9 një vit më parë. Të paktën 70% e popullsisë ka një llogari bankare.

Pagesat me kartë, mbeten më të preferuarat, duke zënë rreth 62% të totalit të pagesave dhe me rritje vjetore 22%.

Sipas raportit të BSH-së, kartat bankare u shtuan me 4.6% në 2023-shin, ku mbizotërojnë ato të debitit, 86.5% të totalit. Numri i POS-eve është rritur me 18.2% krahasuar me vitin 2022. Pavarësisht zgjerimit të shpërndarjes së rrjetit të POS-eve në gjithë rajonet, përqendrimi më i lartë është në qarkun e Tiranës, ku janë instaluar 80% e tyre. Përdorimi i kartave në pikat POS është rritur me 34.9% krahasuar me vitin 2022. Numri i ATM-ve është rritur me 8.2% krahasuar me vitin 2022. Megjithëse ATM-të përdoren kryesisht për tërheqje të cash-it, numri i ATM-ve që mundësojnë depozitimin e cash-it është rritur. Përdorimi i tyre për këtë funksion është ende i kufizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë