Politike

Venecia i përgjigjet Metës: Kodi, jo me procedurë urgjente. E shqyrtojmë në dhjetor


Komisioni i Venecias ka pranuar kërkesën e Presidentit Ilir Meta për të dhënë një opinion në lidhje me ndryshimet Kushtetuese të 30 korrikut dhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor më 5 nëntor, por jo me procedurë urgjente.

Venecia i ka kthyer përgjigje Presidentit duke e njoftuar se çështja është komplekse, ndaj nuk mund të shqyrtohet me procedurë urgjente, por duhet pritur dhjetori, atëherë kur Komisioni mblidhet në seancë plenare.

"Byroja e Komisionit ka vendosur për të mos autorizuar procedurën urgjente, pasi çështja është komplekse dhe si e tillë nuk mund të shqyrtohet në një kohë të shkurtër. Prandaj, mendimi do të përgatitet në procedurën e zakonshme dhe do t’i paraqitet seancës plenare për shqyrtim dhe miratim në dhjetor. Sipas praktikës sonë, ky opinion në parim do të hartohet së bashku me ODIHR", thotë Komisioni.

Presidenti Meta i ka adresuar Komisioni të Venecias 8 pyetje. Ndërkohë, Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi i ka kërkuar Kuvendit që të pritet mendimi i Venecias.

Por, socialistët e refuzuan këtë kërkesë duke deklaruar se nuk ka kohë për të pritur dhe se vendi duhet të përgatitet për zgjedhjet e 25 prillit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se mendimi i Venecias do të reflektohet pas 25 prillit. Fill pas kësaj deklarate Komisioni i Ligjeve rrëzoi dekretin e Metës që kthen për rishqyrtim ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke thënë sinjalin se të njëjtin fat do të ketë edhe në seancën plenare të së enjtes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë