Kinema

Varshavë, Tiranë, Trieste – Itinerari triumfues i Delegacionit

Kasta e filmit "Delegacioni", në Festivalin e Filmit në Varshavë, tetor 2018.

Premiera në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, vjeshtën e shkuar, i dha “Delegacionit” shqiptar që përbëhej nga Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa e Bujar Alimani, Çmimin e Madh, të një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kinematografisë, jo vetëm për Poloninë. Më pas filmi, të cilin regjisori e ka cilësuar si një homazh mbi qëndresën njerëzore ndaj regjimeve çnjerëzore totalitare, u shfaq premierë për publikun vendas në kinema “Millenium”, me rastin e Tirana International Film Festival, duke i rrëmbyer edhe këtu katër çmime;  për skenarin më të mirë, çmimin e publikut, të medies dhe çmimin special të jurisë, që vlerësoi kastën, me disa prej aktorëve që kanë bërë epokë në kinemanë shqiptare.

Regjisori Bujar Alimani me trofeun "Grand Prix" në Edicionin e 34-t të Festivalit të Filmit, në Varshavë

Ashtu siç e kishte lajmëruar edhe më herët regjisori, Bujar Alimani, filmi mori pjesë edhe në disa festivale të tjerë si ai i Filmit në Selanik të Greqisë apo Cottbus në Gjermani, për t’u ndalur në Festivalin e Filmit në Trieste -që këtë vit kremton edhe tridhjetë vjetorin e themelimit – duke u shpallur si Filmi më i mirë me metrazh të gjatë në konkurrim, një çmim i vlerësuar me pesë mijë euro.

Pas akordimit të çmimit “Trieste”, në një prej tre gjinive konkurruese – metrazh i gjatë, dokumentar dhe metrazh i shkurtër – në faqen zyrtare të Trieste Film Festival, shkruhej se “Delegacioni” rrëfen përpjekjen e skajshme të regjimit komunist – në fund të vitit 1990 – për të bindur opinionin publik ndërkombëtar mbi përparimet e Tiranës, në çështjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu filmi është vlerësuar edhe me çmimin “Pag”, akorduar nga një juri të rinjsh, nga mosha 18 e deri 35 vjeç, me motivacionin “filmi lëviz i rrjedhshëm si uji, element shumë simbolik në film, në gjarpërimet e paradokseve historike e politike të përforcuara nga studimi i ngjyrës dhe i dritave.”

Çmimet që "Delegacioni" fitoi në TIFF, nëntor 2018.
Alimani në Edicionin e 30-t të Trieste Film Festival

Skenari i filmit, i cili u shkrua nga i ndjeri Artan Minarolli, i vendos ngjarjet në tetorin e vitit 1990,  kur regjimi komunist në Shqipëri përpiqet të mbajë pushtetin, edhe pse në grahmat e fundit. Një  delegacion europian vjen në Tiranë për të monitoruar vënien në jetë të reformave nga ana e qeverisë – një parakusht që Shqipëria të pranohet në OSCE.  Protagonisti, Leo Konomi, i interpretuar nga aktori Viktor Zhusti, është një intelektual i burgosur si kundërshtar i regjimit për pesëmbëdhjetë vite, por pikërisht në këtë moment, me mbërritjen e delegacionit nga jashtë, ai bëhet një element kyç për mbushamendjen që qeveria komuniste mëton t’u bëjë të huajve. Delegacioni europian kryesohet nga një shok i vjetër shkolle i Leos, që kërkon pikërisht të takohet me mikun e tij të vjetër, pa e pasur idenë për fatin e tij.

Skenë nga filmi "Delegacioni"

I gjithë konflikti kinematografik është i vendosur në rrugët e këqija malore, ku një makinë e Sigurimit përpiqet të shoqërojë të burgosurin drejt kryeqytetit, por ky i fundit nuk pranon lojën e pushtetit dhe preferon sakrificën kapitale sesa të bëhet vegël e tyre. Lojën, regjisori ua besoi disa prej aktorëve më në zë dhe me karrierë të gjatë në kinemanë e para dhe pas ’90, si Ndriçim Xhepa, Xhevdet Feri, Mehmet Xhelili, Kristaq Skrami e shumë të tjerë, duke përfshirë gjithashtu edhe aktorë të huaj, si gjermani Richard Sammel, i cili ka interpretuar në filma të mëdhenj botërorë si  “Inglorius Basterds” apo  “La vita è Bella”.

https://www.youtube.com/watch?v=HUhjMF4UB4g&feature=youtu.be&fbclid=IwAR2tK-5NwTN9sP6ZtfvK8Ix0TBbEWh6c1L8BSNn_QbTirVGxcE06R_6HAUs

Një film që regjisori Alimani do ta cilësonte si më aktual se kurrë, i përfshirë vetë në një qëndresë qytetarësh e intelektualësh për të mbrojtur një godinë që strehon historinë dhjetëravjeçare të teatrit shqiptar. Një kambanë alarmi, ku i vogli (populli) ngrihet të rrëzojë tiranin dhe tiraninë (pushtetin), do të thoshte muaj më parë Alimani, ndërsa fitoret në festivalet ndërkombëtarë i ka parë si shpërblim për punën e Minarollit, i cili nuk arriti ta shohë të përfunduar. “Delegacioni” i Alimanit do ta vijojë xhiron e konkurrimit të festivale ndërkombëtarë të filmit, me ambicien, legjitime, për të rrëmbyer të tjerë trofe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë