Analize

Varianti Delta, BE mund të shtrëngojë përsëri rregullat e udhëtimit

Rritja e numrit të rasteve Covid-19 në të gjithë Europën për shkak të përhapjes së variantit Delta po bën që vendet anëtare të BE të konsiderojnë rivendosjen e kufizimeve të udhëtimit, vetëm pak pasi vendosën të hapin kufijtë për vendet nga Ballkani. Pas më shumë se një viti, turistët shqiptarë po lëvizin lirshëm në disa vende europiane.

Por përhapja e variantit Delta po rindez tensionet mbi menaxhimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian. Këto ndarje, të cilat u diskutuan shumë në fillim të pandemisë, u rishfaqën gjatë javën e kaluar. Nga njëra anë, Gjermania dhe Franca duan më shumë kufizime përballë fluksit të turistëve të jashtëm që mund të mbartin potencialisht variantin Delta dhe nga ana tjetër, vendet mesdhetare si Spanja dhe Portugalia janë të etura për të mbrojtur sezonin turistik.

Komisioni Europian theksoi të enjten se është e rëndësishme të gjendet një "zgjidhje të koordinuar" për udhëtimet nga vendet e treta në BE. Nga vendet fqinje të Shqipërisë, disa vende si Italia, nuk kanë hapur ende kufijtë për udhëtarët e vendeve të treta, ndërsa vende si Greqia vendosën të njohin të gjitha vaksinat, përfshirë edhe ato ruse dhe kineze. Kjo ka bërë që shumë vende anëtare të bëjnë thirrje për një vendim të përbashkët në lidhje me udhëtimet nga vendet e treta, ndërkohë që Europa po përballet me një rritje të shpejtë të infektuarve.

Kancelarja gjermane Angela Merkel kritikoi së fundmi Portugalinë për hapjen e dyerve për turistët britanikë shumë shpejt, duke e cilësuar ai arsye për rritjen e shpejtë të rasteve. Në mes të majit, Portugalia u bë i vetmi vend në Bashkimin Europian që mirëpriti turistë pa asnjë kufizim. Por, e përballur me një rritje të numrit të të infektuarve me variantin Delta, i cili është bërë mbizotërues në Portugali, Lisbona u detyrua të shtrëngonte masat.

Spanja gjithashtu po tërhiqet dhe do të kërkojë përsëri tampom negativ nga britanikët dhe turistët e tjerë nga vende me një numër të lartë rastesh. Ashtu si Portugalia, Spanja kishte shtrirë qilimin e kuq për turistët britanikë, të cilët as nuk kishin nevojë të paraqisnin një test PCR, ndryshe nga shtetasit evropianë. Po ashtu ajo ka hapur pa asnjë kufizim dyert për turistët shqiptarë, por sipas raporteve, Madridi zyrtar do të shkojë kufizimet duke kërkuar tampon pse certifikatë vaksinimi për të gjithë udhëtarët e jashtëm.

Për të ngadalësuar përhapjen e variantit Delta, i cili është shumë më ngjitës se varianti "anglez", Merkel dëshiron të shkojë edhe më tej dhe të shtrëngojë kushtet e hyrjes në të gjithë zonën Shengen. Por pak prej vendeve anëtare janë dakord me të.

Porto

"Këtu ekziston një divergjencë midis vendeve që duan të ruajnë shëndetin publik dhe ata që duan të ruajnë sezonin turistik ", thotë Patrick Martin-Genier, pedagog në universitetin e Parisit." Duhet thënë se vendet e Evropës Jugore kanë vuajtur më së shumti ekonomikisht nga efektet e pandemisë dhe se një pjesë e madhe e modelit të tyre ekonomik bazohet në turizëm.

Sipas tij, një vend tjetër që shkakton përçarje midis europianëve është Greqia, e cila është e hapur për vizitorët që janë vaksinuar me vaksina që nuk janë miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA). Greqia hapi dyert për shumë shqiptarë kur lejoi vizitorët e huaj që kanë marrë doza të vaksinave ruse ose kineze të hyjnë në vend. Por ky vendim nuk është mirëpritur nga Gjermania dhe Franca.

"Së pari, ne të gjithë duhet të njohim të njëjtat vaksina, ato që janë të autorizuara nga EMA dhe plotësisht efektive kundër varianteve të fundit, përfshirë variantin Delta. Ky koordinim është gjithashtu i nevojshëm në mënyrë që rregullat tona të harmonizohen në drejtim të hapjes për në vendet e treta", tha presidenti francez Emmanuel Macron të premten e kaluar.

Varianti Delta, i gjetur për herë të parë në Indi, tashmë është mbizotërues në Britani dhe Portugali dhe po përhapet masivisht në Greqi, Spanjë, Gjermani dhe Itali. Deri në fund të gushtit, Delta pritet të përbëjë 90 për qind të infeksioneve në Europë, veçanërisht pas një vere pa kufizime.

Të gjitha vaksinat e aprovuara në BE, BioNTech / Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson, duket se janë efektive kundër variantit Delta kur administrohen të dyja dozat. Sidoqoftë, vetëm 43 për qind e popullsisë së BE-së është plotësisht e vaksinuar, me ndryshime të konsiderueshme midis shteteve anëtare.

Për shembull, gati 80 për qind e popullsisë në Maltë është plotësisht e vaksinuar, por në Bullgari janë vaksinuar vetëm 15 për qind të njerëzve.

Vendet e BE kufizime me njëra-tjetrën

Mes rritjes së rasteve me Covid-19 shumë vende anëtare kanë filluar të vendosin edhe kufizime për udhëtimet nga një vend anëtar në tjetrin.

Deri të enjten, vendet anëtare të BE kanë regjistruar më shumë se 33 milion raste koronavirus dhe mbi 740,800 vdekje, sipas statistikave nga Qendra e BE për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Qiproja, Portugalia, Spanja dhe Irlanda kanë raportuar të gjitha më shumë se 100 raste për 100,000 banorë në dy javët e fundit, çka bëri që disa vende anëtare të BE të rivendosin kufizimet mbi ardhjet nga këto vende.

Ministri i çështjeve evropiane i Francës, Clement Beaune tha të enjten se ai po këshillonte francezët të shmangnin udhëtimet në Spanjë dhe Portugali për pushimet e tyre verore për shkak të rrezikut të variantit Delta.

Gjermania fillimisht vendosi karantinën 14-ditore për mbërritjet që vijnë nga Britania, Portugalia, India, Nepali dhe Rusia, por kohët e fundit ka lehtësuar kufizimet, mes presionit ndërkombëtar.

E shqetësuar për variantin Delta, Lituania ka vendosur një karantinë 10-ditore nga qytetarët që vijnë nga Spanja dhe Qipro. Në mënyrë të ngjashme, Sllovakia gjithashtu ka shtrënguar kufizimet, duke detyruar të gjithë udhëtarët që nuk janë vaksinuar të qendrojnë dy-javë në izolim.

Megjithëse certifikata e BE-së u miratua për të hequr udhëtimet e pakufizuara në të gjithë BE-në, shtetet anëtare individuale mbajnë të drejtën për të vendosur masa kufizuese, të tilla si karantina ose testimi, për të mbrojtur shëndetin publik.

Sidoqoftë, eurodeputetët u kanë kërkuar vendeve anëtare të koordinohen, duke argumentuar se qytetarët kanë nevojë për qartësi kur udhëtojnë nëpër BE.

"Ne po shohim se varianti Delta po përhapet, natyrisht që duhet të merren masa, por ato duhet të merren në mënyrë të përbashkët nga të gjithë vendet europianë, jo një bazë kombëtare," tha eurodeputetja holandeze Sophie Veld.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë