Kinema

Vanessa Marquez, policia vret aktoren që luante me Clooney

Vanessa Marquez, aktorja e njohur për rolin e saj të infermieres në “ER”, seriali televiziv që i hapi George Clooney-it dyert e Hollivudit, u qëllua dhe u vra nga policia e Pasadenës së Jugut, ditën e enjte.Oficerët ishin thirrur në shtëpinë e Marquez-it në bllokun 1100, në Bulevardin Fremont, nga një qiradhënës për të kontrolluar mirëqenien e saj.

Kur oficerët mbërritën rreth mesditës, ajo po  kalonte një krizë dhe dukej e paaftë të kujdesej për veten. Oficerët njoftuan ndihmën e shpejtë dhe një klinikë të shëndetit mendor dhe vijuan të flisnin me të. Pas afro 90 minutash,  49-vjeçarja Marquez, u armatos me një armë të tipit “BB” dhe ua drejtoi oficerëve të policisë, gjë që i bëri ata të hapnin zjarr, ka thënë sherifi Joe Mendoza.Pasadena e Jugut, një bashki e ndarë nga fqinja Pasadena, gjendet tetë milje në verilindje të Los Anxhelosit. Mendoza u tha gazetarëve se Marquez dukej se po kalonte probleme mendore dhe dukej në gjendje të rëndë.

Marquez në serialin "ER"

Ajo u shfaq si Ana Delgado në filmin me metrazh të gjatë të  Edward James Olmos  - “Stand and Deliver” më 1998-ën, si edhe në 27 episode të serialit “ER”, si infermierja Wendy Goldman. Shfaqje të tjera të saj ishin në seriale si “Malcom & Eddie” dhe “Wiseguy.”Tetorin e shkuar, Marquez pretendonte se ishte përjashtuar nga “ER”, prej kolegut George Clooney, pasi ajo ishte ankuar mbi diskriminim racor dhe ngacmim seksual. “Clooney dha një dorë për të më futur në listën e zezë, pasi fola hapur mbi ngacmimet në “ER”. Gratë që nuk luajnë lojën humbasin karrierën, siç më ndodhi mua”, shkruante ajo në Twitter.

Clooney dhe Marquez. 

Clooney lëshoi një deklaratë pas pretendimit të saj, duke thënë se nuk kishte lidhje me audicionet për serialin. “As e kisha idenë se Vanessa kishte hyrë në listën e zezë”,  ka thënë ai. “Po i besoj  fjalëve të saj. Unë nuk isha skenarist, producent apo regjisor në atë serial. Nuk kisha lidhje me audicionet. Isha aktor dhe vetëm aktor. Nëse i është thënë se isha i përfshirë në ndonjë vendim rreth karrierës së saj, atëherë e kanë gënjyer. Fakti se nuk mund të prekja karrierën e saj,  është  i kapërcyer vetëm nga fakti se nuk do e bëja kurrë.”

Marquez gjithashtu shkruante në mediat sociale se vuante nga çrregullime të imunitetit, si sëmundja celiace. Ka thënë disa herë se ishte diagnostikuar si “terminale” dhe vuante nga dhimbje kronikë dhe e kishte të pamundur të dilte nga shtëpia. Marquez pretendonte se ishte ngacmuar seksualisht në sheshxhirimin e “ER”, shumë përpara se të shpërthente Lëvizja #MeToo, vjeshtën e shkuar. Ajo pretendonte se kur u ankua te producentët, u dëbua nga trupa e aktorëve.

“Më futën në listën e zezë dhe karriera ime mbaroi në moshën 26 –vjeçare”, shkruante ajo në janar të vitit 2017. “Pse kanë frikë gratë të flasin në kohën kur këto ndodhin? Sepse gjithçka për të cilën kanë punuar, iu rrëmbehet. Duke qenë një viktimë e mallkuar, në pritje të mbrojtjes.” Ajo shkruante gjerësisht edhe për problemet shëndetësore dhe thoshte se po “hynte në atë fazë të Norma Desmond-it, ku kalojnë disa aktorë. Duke parë filmat e tyre në ekranin e televizorit.” “Mendoj se njeriu ka shumë forcë, por kam frikë  se e kam përdorur të gjithë forcën time”, shkruante ajo. “Pse nuk mundën ëndrrat e mia të zgjasnin pak më shumë se disa vite?”

*Gene Maddaus/ Variety.com


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë