Futboll

Uruguai nxjerr jashtë Kristiano Ronaldon me “killerin” Kavani

Pas Mesit, edhe Kristiano Ronaldo kthehet në shtëpi. Në pak orë, 10 “Topa të artë” lënë Rusinë dhe Botërorin. Uruguai fiton 2-1 dhe është skuadra e dytë çerekfinaliste, pas Francës. Kristiano Ronaldo nuk u fut asnjëherë plotësisht në ndeshje, por në episode të ndryshme shkaktoi panik në mbrojtjen e Uruguait. 72-vjeçari Oskar Tabarez, tashmë më i njohur për patericat e tij, ka ditur të ndërtojë strategjinë për ta fituar ndeshjen, edhe pse skuadra e tij nuk ka dominuar. Dy sulmues “killer” si Suarez dhe Kavani, me të dytin më pragmatist se kurrë, kanë gjunjëzuar Portugalinë, që ka prodhuar lojë, por nuk ka qenë efikase.

Ronaldo, me mjekrën “GOAT” dhe një prerje të re flokësh, vë në provë Muslerën që në fillim, por pa rezultat. Kavani-Suarez nisin një kundërsulm vrasës dhe sulmuesi i PSG-së, pas krosit të atij të Barcelonës, e dërgon topin në rrjetën e Rui Patricios. Uruguai në avantazh vetëm pas 7 minutash lojë. Amerikano-latinët mbrohen fort dhe lëvizin mirë si skuadër. Të gjithë sakrifikojnë, duke dubluar sulmuesit e Portugalisë. Kapiteni Godin nuk lë asnjë top të kalojë në mbrojtje. Suarez i afrohet golit të dytë me një goditje standarde, ku devijimi i portierit portugez është vendimtar.

Me nisjen e pjesës së dytë, trajneri Santos sposton Bernardo Silvën e Mançester Sitit në rolin e sulmuesit të dytë dhe tërheq Guedes në të majtë. Portugalia fiton terren dhe pas një goditjeje dënimi, barazon. Kros i Guerreiros dhe Pepe gjuan saktë me kokë.

Por “Matadori” godet sërish. Uruguai fillon sërish me kundërsulmet dhe Bentankur pason për Kavanin, i cili gjuan direkt me të djathtën dhe Rui Patricio sheh topin të përfundojë në rrjetë. 2-1 për Uruguain, ndërsa Kavani është më i miri në fushë, i pamëshirshëm, me dy gjuajtje dhe dy gola të bukur.

Kavani dëmtohet në minutën e 70-të dhe CR7 e përcjell jashtë fushës. Tabarez hedh në fushë Stuanin, ndërsa Santos fuqizon sulmin me Kuarezmën dhe Andre Silvën. Rezistojnë uruguaianët, kurse Kristiano Ronaldo nervozohet dhe ndëshkohet me karton të verdhë në shtesë. Mbyllet edhe për të “Rusi 2018”. Kampionët e Europës nuk arijnë të shkojnë as në çerekfinale, ndërsa dy lojtarët më të mirë të botës tani do të jenë spektatorë. Ky është futbolli…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë