Bota

Urdhërarrest ndërkombëtar për presidentin rus Putin, Gjykata e Hagës e akuzon për krime lufte

Përparim në hetimin e nisur pas pushtimit të Ukrainës: Putini akuzohet për deportimin e mijëra fëmijëve ukrainas në Rusi, së bashku me komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve Maria Lvova-Belova

Gazeta Si – Një urdhër arresti ndërkombëtar për krime lufte, është lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë kundër Vladimir Putin.

Hetimi i nisur disa javë pas pushtimit, mbërrin kështu në një kthesë të bujshme. Presidenti rus akuzohet për deportimin e mijëra fëmijëve ukrainas në Rusi.

E njëjta akuzë, me një urdhër-arresti të dytë, u ngrit edhe kundër Maria Lvova-Belova, komisionerja e Moskës për të drejtat e fëmijëve.

LEXO EDHE:
- ‘Akt i papranueshëm’, Kremlini reagon pas urdhër-arrestit nga Gjykata e Hagës për Putinin
- Urdhër-arresti për Putinin, reagon Ukraina: Është vetëm fillimi! Ora e drejtësisë po vjen

Hetuesit dhe magjistratët që hetojnë krimet e kryera gjatë konfliktit, shpjegojnë se kjo linjë hetimi ka pasur gjithmonë përparësi, sepse "fëmijët dhe adoleshentët nuk mund të trajtohen si plaçkë lufte".

Dhe tani, në përfundim të kontrolleve komplekse dhe të thelluara edhe në lidhje me pranueshmërinë dhe aspektet ligjore, tre gjyqtarët - italiani Rosario Aitala, japonezi Tomoko Akane dhe kostarikani Sergio Ugalde - kanë pranuar kërkesat e prokurorit, Karim Khan.

Më 16 mars 2023, u publikua raporti i Komisionit Hetimor të OKB-së, duke akuzuar Moskën se kishte kryer "një numër të konsiderueshëm krimesh lufte në katër rajone të Ukrainës në javët e para pas pushtimit rus" dhe duke specifikuar se si "hetimet e situatave në lidhje me transferimin dhe deportimin e fëmijëve brenda Ukrainës Federatës Ruse, respektivisht, shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar dhe përbëjnë krim lufte".

Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve, i tha gazetës “Neë York Times”: “Ka pasur shumë vëmendje për këtë çështje dhe ndjekja e saj si krim do të gjenerojë shumë reagime. Transferimi me forcë i civilëve përtej kufirit është i ndaluar dhe gjatë një konflikti mund të jetë një krim lufte. Mund të përbëjë gjithashtu një krim kundër njerëzimit”.

Sipas asaj që u konstatua nga gjyqtarët e koordinuar nga Aitala, komisionerja ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, kishte urdhëruar dërgimin e adoleshentëve dhe fëmijëve në rrethet e kontrolluara nga Moska që në javët e para pas pushtimit të Ukrainës dhe në maj 2022, Putini nënshkroi një dekret për të përmirësuar dhe bërë menjëherë operacionale procedurat për marrjen e nënshtetësisë ruse për ukrainasit.

Të miturit do të dërgoheshin në kampet ruse të riedukimit dhe më pas do t'u besoheshin familjeve për birësim përfundimtar.

Urdhër-arresti ndërkombëtar u lëshua për shkak se krerëve të shteteve nuk u jepet imunitet në rastet që përfshijnë krime lufte, krime kundër njerëzimit ose gjenocid.

Sipas një raporti të publikuar nga një qendër kërkimore e Universitetit të Yale-s në shkurt 2023 dhe të titulluar "Programi sistematik i Rusisë për riedukimin dhe adoptimin e fëmijëve ukrainas", "midis shkurtit 2022 dhe janarit 2023, janë transferuar më shumë se 6000 të rinj të moshës mes 4 muajsh dhe 17 vjeç”.

Studiuesit identifikuan “43 objekte ndalimi dhe riedukimi, nga të cilat 12 rreth Detit të Zi, 7 në Krimenë e pushtuar, 10 rreth qyteteve të Moskës, Kazanit dhe Ekaterinburgut, ndërsa të tjerët në rajonet e Lindjes së Largët ruse, nga të cilat 2 në Siberi”.

Në dosje saktësohet se “prindërit janë detyruar, mashtruar me premtimin për transferim të përkohshëm ose nuk janë konsultuar fare dhe formularët e kujdestarisë janë plotësuar me firma false. Në çdo rast, aftësia e prindërve për të dhënë pëlqimin efektiv konsiderohet e dyshimtë, sepse "gjendja e luftës dhe kërcënimi i nënkuptuar i forcave pushtuese përfaqëson një formë shtrëngimi të vazhdueshëm".

Analistët ndërkombëtarë janë të vetëdijshëm se për momentin është praktikisht e pamundur të zbatohet urdhri i arrestit, por është një akt që në çdo rast kufizon lëvizjet e presidentit rus dhe hap pashmangshmërisht skenarë të rinj në konflikt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë