Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina, për herë të parë, duket se janë të gatshme të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Sipas tij, negociatat po shënojnë përparim dhe një marrëveshje e mundshme do të jetë e rëndësishme, duke përfshirë edhe Europën.
Trump bëri të ditur se ka zhvilluar disa biseda telefonike dhe se ka takime të planifikuara për të hënën dhe të martën, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit.
“Rusia dhe Ukraina, për herë të parë, duan të arrijnë një marrëveshje. Do të jetë një marrëveshje shumë e madhe dhe do të përfshijë Europën”, deklaroi presidenti amerikan.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur i gatshëm për një takim me homologun rus Vladimir Putin, por ka përjashtuar mundësinë që ky takim të zhvillohet në Moskë.
Në një intervistë për CNN, Zelensky theksoi se Ukraina ka nevojë për mbrojtje ajrore dhe raketa për të përballuar sulmet ruse, ndërsa shprehu shpresën se Trump do të arrijë ta bindë Putinin të ulet në tryezën e negociatave.
“Ne kemi nevojë për mbrojtje ajrore dhe raketa, sepse duam të mbijetojmë. Duam të jetojmë derisa Trump ta shtyjë Putinin të negociojë. Ai mund ta bëjë këtë. Ne jemi të gatshëm të takohemi me të në çdo shtet, por jo në Moskë”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ndërsa deklaratat për negociata vijojnë, Rusia ka kryer një sulm me raketa balistike ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit. Sipas raportimeve të mediave ukrainase, sulmi ka goditur infrastrukturën e qytetit, ndërsa shpërthime janë dëgjuar edhe në periferi. Më vonë është regjistruar një tjetër sulm, si pasojë e të cilit kanë mbetur të plagosur disa persona.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje