Ne rrjet

Ura kroate shmang Bosnjen, i hap Kinës dyert e Europës

Dalja në det e Bosnjës varet nga një rrip i ngushtë bregdetar, në bregun e Adriatikut. Ai është jo vetëm 20 kilometra, një nga brigjet më të shkurtra kombëtare të botës, por edhe një burim zhgënjimi për banorët dhe turistët në Kroaci. Udhëtarët midis Dubrovnikut dhe pjesës tjetër të vendit përballen me katër pika kontrolli kufitare pasi kalojnë në Bosnje dhe hynë sërish në Kroaci. Është një anomali e rëndë për vendasit, bizneset dhe turistët.

Më këto kushte, Kroacia planifikon të bashkojë territorin e saj duke ndërtuar një urë që anashkalon shiritin tokësor boshnjak. Ndërtimi i urës se Peljesaçit ka nisur zyrtarisht këtë verë, me fondet e BE-së. Por punën për ngritjen e urës prej 2.4 kilometrash e ka marrë në dorë një firmë shtetërore nga Kina, bizneset e të cilës janë gjithnjë e më aktive në Ballkan. Inxhinierët nga Korporata Rrugore Kineze janë vendosur tanimë në fshatin e përgjumur kroat të Dubokas, duke vazhduar punën pavarësisht kundërshtimit të Bruskelit.

Përplasjet Kroaci-Bosnjë

Kroacia konsideron urën, e cila do të përfundojë deri në vitin 2021, si një investim thelbësor për integritetin e saj territorial. Por Bosnja e sheh urën si një fyerje ndaj sovranitetit të saj. Bregdeti i Bosnjës është trashëgimi e një traktatit të rreth 300 viteve më parë kur Republika e Raguzës, zona rreth Dubrovnikut të sotëm, ishte në luftë me Venedikun, dhe lejoi Perandorinë Osmane, e cila kishte pushtuar pjesën më të madhe të Bosnjës, të kishte dalje bregdetare.

Dubrovnik

Nëse Bosnja do të anëtarësohet në BE dhe të bëhej pjesë e zonës Shengen, kufiri do të ishte shumë më i parëndësishëm. Por anëtarësimi në BE mbetet veçse një ëndërr e largët për Bosnjën, e ndarë mes myslimanëve, serbëve dhe kroatëve dhe e zhytur në një stanjacion të gjatë politik dhe ekonomik. Shumë zyrtarë në Bosnje shqetësohen se ura do të privojë daljen në det të hapur dhe mundësinë për të ndërtuar një port, edhe pse do të jetë 55 metra e lartë, sipas kërkesës së Sarajevës, për të lejuar anijet e lundrimit të kalojnë poshtë saj.

"Ne nuk do të luftojmë kundër Kroacisë për ndërtimin e urës, le ta lidhin territorin e tyre si të duan. Ne do të luftojmë për të drejtat tona”, tha Bakir Izetbegoviç, ish-president i Bosnjës.

Ndërkohë, në anën kroate të kufirit, Luka Bebiç, ish-kryetar i parlamentit të Kroacisë, thotë se propozoi idenë e urës 20 vjet më parë. Nga tarraca e shtëpisë së tij, ai mund të shohë gërmimet në majë të gadishullit të Peljesaçit, ku do të përfundojë ura. Sipas tij ajo do të rrisë edhe më shumë turizmin e Kroacisë.

"Asnjë turisti nuk i pëlqen të ndalojë katër herë në kufi" , thotë ai. "Ura jo vetëm që do ta lidhë atë pjesë të Kroacisë me atdheun e saj, por do të rrisë edhe zhvillimin ekonomik".

Një përpjekje për të ndërtuar urën në vitin 2007 u ndërpre pas krizës financiare, por vitin e kaluar BE-ja i dha Zagrebit 357 milion euro fonde për të ndërtuar urën, rreth 85 për qind të kostos totale. Kur të përfundojë, ajo do të jetë ura e dytë më e gjatë në Europë.

Komarna, Kroaci

Kina merr në dorë punimet

Ura ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e investitorëve kineze, të cilët duket se kanë “mbërthyer” nga të gjitha anët Ballkanin. Në vitin 2016 dhe 2017, Kina investoi pothuajse 5 miliardë dollarë në Shqipëri, Bosnje Herzegovinë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.

Kroacia  njoftoi më 12 janar se kompania kineze, Korporata Botërore e Rrugëve dhe Urave, do të ndërtojë urën e Peljesaçit, pasi bëri bëri ofertën më të lirë në treg, vetëm 279 milionë euro. Ajo konkurroi me “Strabag”, një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në Europën Qendrore dhe Juglindore, e cila ofroi në një ofertë shumë më të shtrenjtë prej 351 milionë eurosh. Ambasada e Kinës në Kroaci e përshëndeti vendimin duke këmbëngulur se ai do të rriste mundësitë e kompanive të tjera kineze që investonin në anëtaren më të re të BE-së.

Por projekti është gjithashtu një sprovë për Bashkimin Europian, i cili ka qenë i kujdesshëm në lejimin e firmave shtetërore kineze që të shtien në “dorë” projekte të mëdha të infrastrukturës europiane, duke pasur frikë se kompanitë kineze mund të minojnë konkurrencën, shkelin ligjet e punës të bllokut dhe të ulin pagat.

Firmat shtetërore kineze sjellin shumicën e punëtorëve nga vendi i tyre, një praktikë që ka shkuar shpesh kontradikta brenda BE-së. Madje nuk është e qartë as nëse autoritetet kroate e dinë se sa do të paguhen punëtorët kinezë. "Kompanitë europiane po e gjejnë veten në një situatë ku nuk mund të konkurrojnë me çmimet e ulëta të ofruara nga kompanitë e subvencionuara nga Kina", tha Jens Bastian, një analist ekonomik i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Punëtorë kinezë në plazh në Komarna, Kroaci

Investimet e Kinës në Ballkan vinë si pjesë e iniciativës “Një Rrip një Rrugë”, e cila synon të rrisë ndikimin ekonomik dhe diplomatik të Pekinit. Kina po josh me investime infrastrukturore udhëheqësit në Ballkan dhe Europën Lindore, duke u shfaqur shpesh herë si një aleat me efektiv se Bashkimin Europian.

Për muaj me radhë, mediat kroate kanë raportuar se mijëra punëtorë kinezë do të jetojnë në një anije udhëtimi të konvertuar në konvikt, duke “pushtuar” fshatin e vogël të peshkimit, ku ka nisur ndërtimi. Tani për tani, ndërtimi i urës fokusohet nën ujë dhe kërkon praninë e vetëm disa inxhinierëve kinezë.

Por përtej projektit të urës, Kina po kërkon lidhje më të ngushta me Kroacinë në mënyra të tjera, si një marrëveshje mbi patrullat e përbashkëta të policisë, e cila u zbatua për herë të parë në Dubrovnik, këtë verë. Arsyeja për patrullimet e përbashkëta ishte ndihmesa në zgjidhjen e çështjeve që lidhen me turistët kinezë. Por kjo marrëveshje shërbeu gjithashtu si një “mjet” për Kroacinë, në mënyrë që të organizonte në Dubrovnik takim e ardhshëm të investimeve të udhëhequr nga Kina, i njohur si 16 + 1. Ai përfshin 11 anëtarë të Bashkimit Evropian në Europën Qendrore dhe Lindore së bashku me pesë vende të Ballkanit, pjesë e të cilës është edhe Shqipëria.

Mato Frankovic, kryebashkiaku i Dubrovnikut, tha se ndryshe nga projektet e tjera kineze në vendet e tjera të Ballkanit, ura nuk financohet nga borxhet apo kreditë e bankave kineze, por fondet e BE-së. "Është një fitore e dyanshme", thotë ai.

Burimet: "Financial Times", "New York Times"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë