Biznes

Unaza luksi punuar me dorë, njihni “unin” e sipërmarrëses 25-vjeçare

Sabina Veizaj - Iris, Margo dhe Ema. Blu, kafe e thellë mjalti dhe e gjelbërt. Nuk janë emra njerëzish, por mund të rrëfejnë secila nga një histori.

Irisi, Margoja dhe Ema janë unaza floriri, të stilit minimalist, elegante me struktura tejet të holla, por identifikuese.

Ato i përkasin Brandit shqiptar të luksit ᴜɴ ᴊᴇᴡᴇʟʀʏ. Ajo që i jep frymë këtyre produkteve joshëse është një arkitekte e re 25 vjeçare.

Sabrina Shehu prej dy vjetësh është diplomuar në degën e Arkitekturës në Polis. Pas diplomimit ka marrë eksperiencë në punëra të ndryshme në lidhje me profesionin e saj, por përherë e ka grishur idea që të krijojë diçka të sajën, që ka të bëjë me botën e saj të brendshme drejtuar kah Universit sepse siç thotë vetë ajo “bisedoj me yjet dhe jam e varur nga hëna”.

E pres në studion e saj të re përballë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Nuk dija asgjë për të. Gjithçka që dija ishte se krijonte unaza, varëse dhe byrzylykë në flori dhe argjend të punuara me dorë. Kur iu avita faqes së saj në Instagram herën e parë, në mendjen time e konsiderova se ishte brand i huaj nga mënyra e të bërit marketing. Faqja shumë e pastër, e kuruar me elgancë, pa asnjë tepri.

Njëjtë ishte edhe studioja; e stilit skandinav, minimalist. Mbizotëronte e bardha, një nga kollonat e murit kishin nisur të pikturoheshin me penel në stilin e dizainit të unazave, por ishin lënë në mes. Poltrona me ngjyrë bojqielli e thellë dhe të kuq. Një kitarre mbi një poltron, disa kuba, ndanë dritareve që nisnin në dysheme dhe mbaronin në tavan të cilat i dhuronin shumë dritë dhe diell studios. Në krahë të derës një tavolinë e bardhë me katër karrike, lap topi.

Gjithçka nisi dy vjet më parë, kur Sabrina kishte ndërtuar një faqje në internet me bizhuteri fantazmë, pra me modele unazash në 3D. “Nisa ta kuroja siç kuroj faqen time. Synoja të studioja tregun. Gjithçka ishte në anglisht dhe nuk isha shfaqur si brand shqiptar, pasi shqiptarët janë mosbesues ndaj brandeve shqiptare, ndërkohë që ndaj brandeve të huaja janë shumë të hapur edhe pa i njohur fare.  Që në krye të herës kisha dëshirë që të shisja jashtë produktet e mia të ardhshme. Fillova të kisha shumë kërkesa dhe asnjë produkt”- tregon Sabrina.

Ajo nisi që me pikturat e unazave ti drejtohej argjendarive nëpër Tiranë. Askush nuk iu ofrua të prodhonte krijimet e saj.

E vetmja mënyrë ishte një pikë në Kanada  që e identifikoi përmes një shoqes së saj që jetonte atje.

Sabrina Shehu duke pozuar për produktet e saj 

“Pas tre javësh që kam nisur dizainin e unazave të vërteta, kam marrë porosinë e parë. Nuk e kisha, nuk dija ku ta porosisja. Puna me dorë ishte cilësore, gurët natyralë të mrekullueshëm. Por çmimi nuk e justifikonte. Gjithsesi unë rrezikova të porosisja në Kanada. Nuk pata fitim material, por fitova një kliente të kënaqur. Ia çova personalisht unazën, ajo nuk e dinte që ishte brand shqiptar. Prodhova tre si fillim. Për mua mjaftonte që të shihja produktin tim, pavarësisht kostove.”- rrëfen Sabrina fillimet e Un-it.

Ajo vazhdoi në këtë mënyrë për shtatë muaj rresht me gjithë çmimet e kripura të artizanit kanadez, me mbështetje financiare të familjes si fillim.

“ Mami ishte dakord, por pyeti për kostot. Më thotë që kjo gjë nuk funksionon sepse nuk mund të bësh diçka për pasion, mbaji për vete më mirë. Biznesi nuk është kështu. U mërzita. Bisedova me shoqjen për ndonjë marrëveshje që të më toleronin në çmim. Kishte hapësira, por gjithsesi fitimi im nuk dukej gjëkundi. Gjithsesi e doja aq shumë atë gjë, sa shtatë muajt e parë sakrifikova. I kam bërë lavazh truri prindërve derisa arrita të më jepnin financimin e parë dhe kështu vijoi me 200, 300 dollarë. Bëja ndonjë punë vetë, shtoja edhe paratë e punës time. U kuptua që po vuaja dhe e kuptuan filozofinë time. Të sakrifikoja me çdo kusht për këtë produkt kaq të mirë. Le të ishte fitimi më i vogël dhe të kishte sukses e frymë të re në treg.”

Sabrina tregon se fillimi kishte dhembje koke, stres, jo të gjitha produktet priste ti shiteshin, por rezultoi një sukses.

Sabrina duke punuar

Pagesat në fillim klientët i bënin përmes website. Transporti është i brendshëm, familjar. “Çdo gjë që ka të bëjë me Unin është familjare. Tani kam ndërmend të përfshij edhe mamin dhe motrën.”-thotë Sabrina.

Çmimet e fillimit me eksperimentin fantazmë ishin nga 150$ deri në 350 $.

Duke vijuar historinë, ajo tregon se prodhimit në Kanada pas 7 muajsh i erdhi fundi për arsye të kostove dhe vonesave. “ Ishte diçka për të krijuar sigurinë e brandit. Kam bërë një shkollë teorike on line për jewllery design 3 mujore. Kishte dhe çdo sektor tjetër të dizainit. Është fakultet në Londër, por kishte edhe kurse on line për ata që nuk kishin mundësi. Mësova disa dyqane on line ku shiteshin produkte për fillestarët. Ishin dyqane të dobishme sepse kishin çdo detaj që më duhej.”

Sabrina tanimë blen materialet jashtë; gurët në Indi dhe floririn e argjendin në Hollandë e Kanada dhe produktet janë tërësisht të prodhuara me dorë prej saj.

Ajo duket krejt e kënaqur me punën e saj që është edhe pasioni i saj. E rrezaton në sy, në buzëqeshje, në lëvizjet e trupit. E komunikon këtë me krenari, me autoritet të matur dhe thjeshtësi. I vetmi problem që ka aktualisht është sasia. “Vijnë 30 kërkesa për një produkt dhe nuk e kam stok. E nisa me pak dhe kështu dua të vazhdoj me ritmet e veta.”- thotë sipërmarrësja e re.

Emrin e brandit (Unin) Sabrina e shpjegon me universin dhe uniken.

“Edhe ngjyrat janë shumë të rëndësishme për mua. Bëj një kombinim të frymëzimit të momentit që më jep Universi dhe ngjyrave. Sa më të thjeshta aq më mirë.”

https://www.youtube.com/watch?v=Vu7VnU1AfLs&feature=youtu.be

Ajo thotë  se, për tu dhënë  frymë  produkteve të  saj iu vë  emra dhe histori. Irisi është  mishërimi i një  shoqeje të  saj me sy blu, Ema është  për vajzat bionde.

Veglat e punës

Për koleksionet e reja ajo më shpjegon se “tek Un-i shoh në çfarë periudhe jemi. Përpiqem të gjej momentet më të ngrohta të vitit dhe momentet kur njerëzit janë më të mbledhur për të qenë prezent në instagram. Vera është potencial për varëset dhe byrzylykët. Në fakt patëm një vonesë sepse koleksioni duhej të lançohej në qershor, por materialet erdhën vonë dhe një pjesë të koleksionit nuk e përfundova dot dhe e kam lënë për më mbrapa.”

Si fillesë atë e ka inspiruar dashuria. “Kam dashur të transformoj unazën klasike të propozimit për fejesë. Kam dashur të shprehë se një unazë për një përbetim të tillë nuk mund të jetë vetëm me gur të bardhë”. Unazat e saj janë minimaliste, elegante, me struktura të holla deri në 0,4 mm.

Çmimi i produkteve të Un-it varion nga 55$ - 350$. Çmimet më të larta janë për unazat me karat më të madh dhe gurët më të çmuar. Sabrina ka menduar të tregtojë në dollarë pasi çdo produkt e blen në këtë monedhë, gjithashtu e ka më të lehtë edhe për tregun e huaj, për të cilin këto kohë po punon fort.

“Klientja e parë e huaj ka qenë një bloggere franceze. Ajo porositi, por ne ia bëmë dhuratë me kushtin që të na promovonte.   Një mikja ime që jeton në Amerikë, porositi edhe për shoqen e saj amerikane dhe tek rrethi i vet bëri marketing të mirë.”- tregon Sabrina. E pyes disa herë për investimin, por ajo përpiqet ti largohet shifrave. Është fokusuar tek pasioni, dashuria që ka për atë po bën dhe dëshira për të patur sukses që produkti i saj të pushtojë anembanë botën e të shkojë tek njerëzit që e kuptojnë botëkuptimin e saj.

https://www.youtube.com/watch?v=UT-rv5V2IC0&feature=youtu.be

Ajo thotë se edhe studion e ka lënë përgjysmë në aspektin e arredimit sepse çdo investim e kalon tek cilësia e produktit.

Sabrina duke punuar

Aktualisht ajo ka 10-12 klientë besnikë dhe që prej fillimit thotë se 90% e prokteve janë shitur.

Sabrina ka marrëdhënie të vëçantë me një pjesë të mirë të klientëve. Ka nga ata klientë thotë ajo, që i ke xhan që në fillim dhe nuk ua refuzon dot dëshirën për të ardhur në studio për të të takuar. "Kjo është e këndshme por shpesh më pengon sepse kam shumë punë." Dita e Sabrinës nis në orën 9AM dhe përfundon tej 9PM.

Target grupi që Sabrina ka synuar ka qenë që në fillim shtresa e mesme dhe e lartë. “Slogani është Made luxury a habit. Produktet do të ishin produkte luksi, me diferencën që do të kishin një çmim më të ulët se produktet e tjera të luksit si Tiffani and co psh. 1000 $ e më tepër. Këto do ishin produkte luksi në miniaturë. Targeti do ishin klientët e Dior dhe Tiffani që të qaseshin në një brand luksi më minimalist dhe elegant shqiptar.

Mund të them që ka rezultuar siç e kisha parashikuar. Ka patur edhe kliente studentë që kanë sakrifikuar shumë për të marrë një unazë dhe më ka kënaqur”

Sabrina thotë se ka patur një kliente që ka shpenzuar 400$ njëherësh për  2-3 produkte.

Dhe në grafikun e Unit, sipas saj, ka qenë një top shumë i madh.

Ajo thotë se shitjet e kanë justifikuar investimin material. I vetmi problem është sasia sepse sa më shumë sasi aq më mirë bëhet marketing dhe rritet sasia e shitjeve.

Duke e hedhur vështrimin nga e ardhmja, Sabrina po planifikon që në pranverën e ardhshme të vijë me një butik të vogël luksi për produktet e saj në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës.

Studioja e arkitekturës

Njëkohësisht me Un-in Sabrina ka hapur edhe studion e saj për shërbime si interior, fotografi, marketing dhe dizain brandi. Ajo thotë se jo shumëkush ka besuar që në një moshë kaq të re, me eksperiencë pune dy-vjeçare do të arrinte të mbante kaq shumë kunguj nën një sqetull. Por ajo thotë me bindje se nuk preferon një punë të saj ndaj tjetrës, i bën me përkushtim dhe seriozitet të gjitha.

“Biznesin tim e konsideroj si shtëpi me disa dhoma. Ashtu siç shtëpia ka disa dhoma dhe ti kujdesesh për secilën, kështu ndodh edhe me biznesin tim. Unë kam shtëpinë e dizainit The Sabb dhe Un-in”- I bëj me shumë dashuri dhe sakrificë. Kam lënë gjithçka për to. Më ka marrë malli për shoqëritë e vjetra”- rrëfen Sabrina.

Paralelisht ajo nisi të prodhonte edhe pjata qeramike të pikturuara prej saj. Shëtiti deri në Firence për të blerë produktet, por sërish kostoja nuk ia vlente barra qiranë. Funksionoi deri në një pikë dhe tanimë ka mbetur pezull deri në një moment të dytë, të cilin në mendje ajo e ka projektuar mirë.

Si nisi gjithçka?

Sabrina në kujtimet e saj ka një trashgimtar të rëndësishëm që i ka transmetuar si dellin artistik, po ashtu edhe artin e të tregtuarit.

“Kam pikturuar që 7 vjeç. Isha shumë e lidhur edhe me muzikën. Bëra provat e para me një zysh të vjetër të time mëje sepse edhe ime më ka kënduar, për pak sa nuk përfundoi të studionte kanto. Pjesërisht artistë në familje, nga ana e mamit. Gjyshi im ka studiuar pikturë në Firenze. Ai ka jetuar jashtë kur në Shqipëri ishte periudha e shëmtuar politike. Dikur kanë qenë tregtarë shumë të vjetër. Gjyshi u kthye në Shqipëri, bëri një punë shumë të thjeshtë, u thye emocionalisht dhe nuk u mor më me pikturën, por zbuloi talentin në shitje. Nga ai e trashëgoi mami dhe nga mami unë. Babi e tërhoqi mamin nga bota e artit dhe e futi në biznes. Kanë filluar shumë herët të dy, nga tekstili, tek brandi i rrobave.”- tregon Sabrina.

Tek e pyes nëse do tia kishte dalë nëse nuk do të kishte mbështetjen financiare të prindërve, ajo përjeton një moment emocioanl duke u kthyer mbrapa në kohë në një periudhë të vështirë për familjen e saj. “Ishte një moment në atë kohë, 2 vjet më parë tek po avitesha të bëja realitet ëndrrën time, kur isha vetëm dhe ndjehesha vetëm. Familja nuk ishte bashkë. Ishin duke luftuar për cështje shëndeti dhe ishim të rrënuar financiarisht.” Dhe në mendjen e saj si trryelë gërryente fort idea se ajo do të kthente në realitet ëndrrën e saj. “Dielli doli. Dhe unë gjeta momentin që të kërkoja mbështetjen tek familja”-

Askush nga prindërit nuk donin që ajo të vazhdonte për arkitekturë duke e konsideruar si degë artistike, pasi Sabrina është natyrë emotive. Ata, thotë Sabrina dëshironin që unë të stuioja biznes. Pasi ndoqi një kurs me një zysh të vjetër të gjeometrisë deskriptive, kreu provimin tek Polis dhe një intervistë pranimi e u dorëzoi prindërve numrin e llogarisë për ti paguar paratë e shkollës. Ai ishte momenti që prindërit u bindën se vajza e tyre e kishte seriozisht që do të bëhej arkitekte…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë