Analize

Ukraina, kapitali diplomatik i Rusisë me Perëndimin për të rishkruar termat e sigurisë më NATO-n

Gazeta Si - Prej disa javësh kufijtë veri-lindor të Europës mbeten të ngërthyera nën frikën e një konflikti të armatosur që në dukje mund të shihet si një konflikt ndërshtetëror mes dy vendeve, por që në thelb cënon arkitekturën e sigurisë europiane me pasoja jo të vogla për të ardhmen e kontinentit. Gjatë tre javëve të fundit diplomacia perëndimore ka bërë të gjitha përpjekjet për të evituar një konflikt të armatosur mes Rusisë dhe Ukrainës, ku në disa takime dhe formate intensive të diplomacisë së nivelit të lartë e kanë vendosur Moskën në kryeqendrën e momentit. Këto përpjekje kanë pasur në qendër të tyre dy objektiva, të de-përshkallëzojnë situatën dhe ti japin mundësi diplomacisë që të prodhojë një zgjidhje të qendrueshme. Por duket se aleanca është ende në garë për të siguruar vetëm objektivin e parë për momentin, atë të de-përshkallëzimit të situatës, sa i takon zgjidhjes së qendrushme ajo vijon të mbetet larg për sa kohë palët nuk kanë arritur të akomodojnë interesat respektive.

Për perëndimin situata ka tre komponentë thelbësorë;

a) Respektimi i sovranitetit, tërësisë territoriale dhe pacënueshmëria e Ukrainës

b) Liria e Ukrainës për të zgjedhur vetë aleancat politiko-ushtarake si shtylla kryesore e një vendi sovran në politikë të jashtme dhe të sigurisë

c) Vijimi i politikës së dyerëve të hapura të NATO-s dhe zgjerimi me anëtarë të rinj në hapësirën euro-atlantike

Për Moskën, Ukraina është thjesht terreni ku përplasja më e madhe SHBA/NATO-Rusi, reflektohet në terren dhe për të ky nuk është një konflikt ndërshtetëror Rusi-Ukrainë. Për Rusinë kjo situatë ka disa komponentë;

a) Mos zbatim i angazhimeve të perëndimit SHBA/NATO përballë Rusisë, që NATO të mos vijoi zgjerimin drejt lindjes dhe më konkretisht me ish republikat e BRSS

b) Mos vendosja e armëve sulmuese në kufijtë e Rusisë

c) Rikthimi i konfigurimit tekniko-ushtarak në Evropë në gjendjen e vitit 1997, vit në të cilin u nënshkrua traktati NATO-Rusi, pra tërheqja e bazave dhe dislokimeve raketore ushtarake të NATO-s në territoret e partnerëve të rinj

d) Mos mbivendosja e aktorëve të tjerë si NATO në hapësirat e sigurisë të pranuara prej Rusisë si hapësira ekskluzive të OSBE-së, në vijim kjo të një sërë dokumentash të nënshkruara në kuadër të OSBE-së që garantojnë se siguria e anëtarëve nuk mund të kryhet në kurriz të anëtarëve të tjerë (në këtë rast Rusisë)

e) Shqetesimet për ndërtimin e mekanizmave të sigurisë që fokusohen në mos zhvillimin e stërvitjeve në kufijtë e kontaktit NATO-Rusi, ruajtja e distancave mes avionëve ushtark dhe anijeve ushtarake gjatë angazhimit.

Janë pikërisht këto elementë ku SHBA/NATO dhe Rusia nuk takohen për mënyrën sesi e shohin politikën e zgjerimit të NATO-s, angazhimin e saj drejt lindjes, partneritetin me aleatët e rinj në kufijtë e Rusisë dhe hapësirën e sigurisë Euro-Atlantike që përbëjnë thelbin e përplasjes mbi Ukrainën, e cila në fakt është fusha ku po luhet ky ballafaqim. Adresimi i të gjitha këtyre elementëve ka qenë objektivi i diplomacisë ruse gjatë këtyre javëve, ndërsa për aleancën objektivi diplomatik ka qenë ta mbajë Rusinë të angazhuar në negociatë dhe të shmangë sa më gjatë një përplasje ushtarake, por duke e përdorur ndërkohë këtë fazë si mundësi për të fuqizuar kapacitet mbrojtëse të Ukrainës.

Në thelb Rusia nuk ka interes apo arsye legjitime që të pushtojë ushtarakisht Ukrainën, asaj i duhet që nëpërmjet “rastit Ukraina” të kapitalizojë diplomatikisht me perëndimin dhe të rishkruajë termat e sigurisë më NATO-n. Një dëshmi e mos ekzistencës së Ukrainës si rrezik ushtarak eminent për Rusinë është edhe fakti që ajo gjatë këtyre kohëve nuk zhvillon asnjë angazhim diplomatik me Ukrainën në nivel dypalësh me qëllim shmangien e tensioneve apo luftës, por ndodh e anasjellta që Rusia për mos lejmin e Ukrainës në NATO vijon prej javësh angazhimin diplomatik me vendet anëtare të alencës. Në asnjë rast Rusia nuk ka shprehur zyrtarisht se do të ndërmarrë ndonjë pushtim ushtarak të Ukrainës të paktën deri më sot dhe i vetmi moment që kjo mund të ndryshojë mund të jetë një pretekst që përligj ndërhyrjen. Gjatë këtyre viteteve të fundit valët e përshkallëzimit dhe de-përshkallëzimit të tensionit dhe prezencës ushtarake në kufijtë e Ukrainës po marrin tashmë trajtën e një konstanteje të përhershme ku mesatarisht çdo 3-6 muaj përsëritet i njëjti skenar i grumbullimit të arsenalit ushtarak rus. Këto valë gjithnjë kanë nga pas kontekstin e një stërvitje ushtarake masive që justifikon grumbullimin, por që ia arrin ta lërë Ukrainën dhe NATO-n në pritje të lëvizjes së radhës së Rusisë.

Gjatë vitit 2021 grumbullime të tilla masive ndodhën të paktën 3 herë, në prill, në shtator ku u zhvillua stërvitja ZAPAD 2021, në nëntor dhe së fundmi stërvitja Allied Resolve me Bjellorusinë. Në kushtet kur objektivat politiko-ushtarak të Rusisë nuk janë adresuar ende, Rusia ka vendosur të zgjas kohën e angazhimit ushtarak në këto rajonë ku sot ishte stërvitja e  Forcës Strategjike Ruse në Distriktin Jugor dhe Perëndimor që përfshiu zonën rreth Ukrainës dhe Balltikun, praktikisht linjën e kontaktit NATO-Rusi. Këto skena do të vijojnë të mbeten aktive deri në momentin që Rusia do të marrë diçka në këmbim sa i takon angazhimit të NATO-s në lindje, ose deri në momentin që do të gjendet preteksti legjitim për një ndërhyrje ushtarake.

Rusia nuk mundet që nga hiçi të ndërmarr një sulm ushtarak të Ukrainës, jo vetëm prej pasojave dhe reagimit të aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, por sepse e drejta ndërkombëtare e kodifikuar e ka të qartë rastet kur lejohet përdorimi i Forcave të Armatosura si psh; Vetëmbrojtje, në rastin se Rusia sulmohet ushtarikisht nga Ukraina, Vetëmbrojtje kolektive, por kur ka një marrëveshje paraprake mes shteteve dhe të bërë publike, Mandant nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Ukraina nuk përbën në asnjë rast asnjë rrezik eminent për sigurinë e Federatës Ruse, cënim të kufijve të saj shtetëror apo kryen ndonjë veprimtari destabilizuese për të. Në këto kushte një sulmi i armatosur ndaj integritetit territorial të një shteti sovran dhe i pa justifikiar nga e drejta ndërkombëtare përbën krim lufte sipas së drejtës ndërkombëtare. 

Potencialisht situata e majisur në kufijtë e Ukrainës dhe lodhja e gjatë psikologjike e trupave në të dy anët e kufirit mund të prodhojë veprime qoftë dhe aksidentale që mund të çojnë në përdorimin e forcës. Ukraina më tepër se i duhet të menaxhojë presionin në kufijtë e saj shtetëror i duhet që të mbajë nën kontroll situatën sa i takon veprimtarisë së pro-rusëve brenda kufijëve të saj. Kievit i duhet që me shumë kujdes të shmangë dhënien e preteksit nga njëra anë dhe rritjes së forcës së tij ushtarake si një mundësi për të arritur stadin e një force shkurajuese që do ti rriste koston Rusisë në rast të një përplasje kinetike ushtarake mes dy vendeve. 

Situata e Ukrianës tashmë ka gjeneruar një unitet të fortë brenda NATO-s dhe vetëm gjatë dy javëve të fundit NATO ka dyfishuar angazhimin e saj ushtarak me trupa dhe mjete në pikat e takimit NATO-Rusi si vendet Balltike, Poloni, Rumani dhe Bullgari duke i dhënë një mesazh të qartë Moskës që rikthimi i konfigurimit tekniko-ushtarak në Evropë në gjendjen e vitit 1997 është thjeshtë i pamundur. Nga ana tjetër në një lëvizje që i jep karburant mbajtjes ndezur të tensionit,  Bjellorusia, aleatia e Moskës ka planifikuar ndryshimet kushtetuese me qëllim lejmin e dislokimit të armëve strategjike nukleare (të cilat i posedon Rusia) brenda territorit të saj. Kjo lëvizje synon të vijojë mbajtjen e gjëndjes së tensionit ushtarak aktiv në të tre anët për Ukrainën, ndonëse Bjellorusia nga pikëpaja e së drejtës ndërkombëtare, politikës së jashtme dhe të sigurisë është në pozitë më të disfavorshme për të lejuar ofrimin e territorit të saj nga një ushtri e huaj kundrejt një pale të tretë çka sjell implikime të mëdha në të drejtën ndërkombëtare. Stërvitja Allied Resolve 2022 mes Rusisë dhe Bjellorusisë përveç se instaloi  praktikën e një rrethimi të Ukrainës nga të tre anët, i shërbeu Rusisë që të ndërtojë një infrastrukturë ushtarake si ura, poligone, rajone dislokimi dhe rikonicioni që mund të pasurohen në këtë teatër krize që do të vijojë gjatë në lindje të Europës.

Shënim: Kjo anlizë u shkrua për Gazeta Si. Autori është njohës i politikës së jashtme dhe të sigurisë, por për arsye të angazhimit të tij nuk dëshiron që të vendosë emrin në botim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë