Ngjarje

Ujë edhe në Hënë?

Një grup shkencëtarësh ndërkombëtarë deklarojnë me bindje të plotë se kanë gjetur ujë në formë të ngrirë në Hënë. Gjurmët e akullit janë zbuluar në dy polet e satelitit tonë të vetëm natyror.

Shkencëtarët thonë se kanë mbërritur në këtë përfundim pasi kanë studiuar të dhënat e grumbulluara nga “Chandrayaan 1”, një sondë indiane që orbitoi përreth Hënës në nga 2008 deri në 2009. Kjo sondë kishte në bordin e saj “Moon Mineralogy Mapper”.

Detajet e punës kërkimore janë publikuar në revistësn PNAS, (Proceedings of the National Academy of Sciences). Studiesit kanë analizuar reflektimin e përfituar pas bombardimit me rreze të sipërfaqes hënore.

Në Polin Jugor, akujt janë më të paktë dhe më të shpërndarë, e të vendosur kryesisht në kratere ku nuk bie asnjëherë drita e diellit. Në Polin e Veriut akulli është më fort i pranishëm.

Gjatë ditës, temperaturat në sipërfaqen e Hënës mund të arrijnë deri në 100 gradë celcius, që do të thotë se është e pamundur që të gjenden gjurmë akulli. Por, për shkak se Hëna është e vendosur në një aks 1.54 gradësh, ka disa zona të cilat nuk e shohin kurrë dritën e diellit me sy.

Majtas analizat e përfituara nga Poli i Veriut, djathtas Poli i Jugut

Pikërisht në këto zona, shkencëtarët besojnë se temperaturat nuk ngjiten përtej -157 gradëve, një temperaturë mëse e favorshme për krijimin dhe ruajtjen e akujve.

Me të dhënat e grumbulluara deri më tani, shkencëtarët thonë se e kanë të pamundur që të përcaktojnë “moshën” e akullit, por dyshojnë që ai është prehistorik.

Një lajm të ngjashëm publikoi disa javë më parë Agjencia Europiane Hapësinore, por për Marsin, jo për Hënën. Ata thonë se kanë indicie të forta për ekzistencën e një liqeni me ujë të kripur dhe më e rëndësishmja në gjendje të lëngshme të vendosur nën sipërfaqen e polit jugor të “Planetit të Kuq”.

Zbulimi është kryer duke shfrytëzuar radarin Marsis i vendosur në orbituesin e Mars Express të ESA-s, që vërtitet prej kohësh rreth “Planetit të Kuq”. Shënjestra e shkencëtarëve ka qenë gjithmonë poli jugor i planetit, ku në distancë vërehen njolla të bardha që besojnë se janë akuj.

“Me gjasa nuk është një liqen shumë i madh”, thotë profesor Roberto Orosei, i Institutit Italian të Astrofizikës dhe udhëheqës i studimit.

Marsis nuk ishte në gjendje që të përcaktonte me saktësi thellësinë e liqenit, por dërgoi mjaftueshëm të dhëna për të përcaktuar se ai shtrihet në një hapësirë rreth 20 kilometra në formë lineare dhe që është minimalisht një metër i thellë.

“Të gjitha këto e klasifikojnë qartë në një liqen dhe jo në pika a bulëza uji të ngecura në akull, a në ndonjë shkëmb, siç ndodh në disa raste këtu në Tokë”, shtoi profesori Orosei.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë