Nga Gazeta Si- Policia në Austri u ka kërkuar njerëzve të jenë vigjilentë pasi një mostër e ushqimit për fëmijë ‘HiPP’ u gjet se përmbante helm për minjtë.
Policia në rajonin lindor të Burgenland tha se kavanozi i helmuar me pure karote dhe patate ishte raportuar nga një klient.
Paralajmërimi ka ardhur nga hetuesit gjermanë ndërkohë që dhe në Çeki e Sllovaki janë tërhequr nga tregu kavanoza.
Të shtunën, HiPP tërhoqi të gjithë gamën e saj të kavanozave të shitura në supermarketet Spar në Austri, duke thënë se konsumimi i tyre mund të jetë potencialisht “kërcënues për jetën”.
Kompania në Gjermani tha se tërheqja e kavanozave të ushqimit për fëmijë në Spar Austria “nuk ishte për shkak të një defekti produkti ose cilësie nga ana jonë” dhe se kavanozët kishin dalë nga fabrika e saj në “gjendje të përsosur”.
“Tërheqja lidhet me një akt kriminal që po hetohet nga autoritetet”, tha ajo në faqen e saj të internetit.
Autoritetet austriake u kanë thënë konsumatorëve të kenë kujdes për kapakë të dëmtuar ose të hapur, një vulë sigurie që mungon, një erë të pazakontë ose të prishur ose një ngjitëse të bardhë me një rreth të kuq në fund të kavanozit të qelqit.
Agjencia Austriake për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore i paralajmëroi prindërit, foshnjat e të cilëve kishin konsumuar ushqimin e kësaj marke, të konsultohen me një mjek nëse fëmijët e tyre shfaqnin shenja gjakderdhjeje, dobësie ekstreme ose zbehjeje.
Klientëve u është kërkuar gjithashtu të mos konsumojnë kavanoza HiPP të blera në Eurospar, Interspar dhe Maximarkt.
Shitësit me pakicë në Republikën Çeke dhe Sllovaki kanë hequr gjithashtu paraprakisht nga shitja të gjitha kavanozët e ushqimit për foshnje ‘HiPP’.
Incidenti vjen vetëm disa muaj pasi dy marka të tjera u detyruan të tërhiqnin nga tregu në shkallë të gjerë qumështin formulë për foshnje për shkak të frikës nga kontaminimi.
Në janar dhe shkurt, Nestle dhe Danone tërhoqën nga tregu formulën për foshnje në më shumë se 60 vende pasi përmbanin toksinën cereulide, e cila mund të shkaktojë të përziera dhe të vjella kur konsumohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje