Futboll

UEFA dënon Milanin 1 vit nga Europa, çështja vazhdon në KAS

Ka ndodhur ajo që të gjithë titozët e Milanit i druheshin: UEFA e ka dënuar klubin e madh italian me 1 vit jashtë Kupave të Europës. Vendimi zyrtar është marrë dje nga UEFA në Nion, pas verifikimit të shkeljes së rregullave të “fair-play”-it financiar nga klubi i Milanit në periudhën 2014-2017. Po nuk përfundon këtu çështja, pasi edhe Milani, ashtu si Skënderbeu ynë, do t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë.

“Dhoma Gjykuese e Organit të Kontrollit Financiar të UEFA-s, pasi vërtetoi shkeljen e rregullave të “fair-play”-it financiar, veçanërisht rregullin e bilancit (break-even rule), vendosi që Milani të mos marrë pjesë në UEFA Europa League sezonin e ri”. Ky ishte vendimi i publikuar nga UEFA.

Formula e përdorur nga UEFA nuk ka qenë shumë e qartë dhe ka sjellë keqkuptime fillimisht. Por Milani është kualifikuar sezonin e ri për në Europa League dhe vetëm në këtë sezon nuk do të marrë pjesë.

Klubi kuqezi, pas vendimit të UEFA-s, ka bërë me dije se do t’i drejtohet KAS-it të Lozanës për përjashtimin nga Europa League. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e klubit kuqezi. “UEFA vendosi ta dënojë Milanin për të mos marrë pjesë në Europa League sezonin e ri, por klubi ka angazhuar avokatët e tij për ta ndjekur çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, duke shpresuar të fitojë drejtësinë”, - shkruhej në komunikatën e klubit kuqezi.

Vendimi i fundit ndërkohë pritet të ketë pasoja të rënda për Milanin, që me siguri do të humbasë shumë nga yjet e tij gjatë merkatos së verës dhe shitja e klubit komplikohet edhe më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë