Sport

Tyson-Holyfield, 23 vjet me parë shkruhej historia

Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Evander Holyfield ka pranuar se mund të kthehet në ring, në moshën 57 vjeçare, për një sfidë të tretë kundër Mike Tyson që, gati 54 vjeç, ka rinisur të stërvitet. Dy ish-rivalët e mëdhenj do të ngjiteshin në ring, 23 vjet nga ndeshja e tyre e fundit, për qëllime bamirësie, duke mbledhur fonde për fondacionet respektive që merren me fëmijët e braktisur. Por si shkuan dy ndeshjet e para?

Dy boksierët janë sfiduar që në vitin 1988, kur Evander Holyfield ‘’zbarkoi’’ në peshat e rënda. Që nga ajo kohë, mes pengesave të ndryshme (e fundit burgosja e Mike Tyson për dhunë seksuale), sfida e shumëpritur ishte shtyrë vazhdimisht, deri kur më në fund e pa dritën në 9 nëntor 1996, në Paradise (Nevada). Ndeshja dha të tjera përgjigje nga ato që prisnin tifozët e ‘Iron Mike’: Tyson, pas një nisje premtuese, u shua shpejt duke i besuar goditjeve të izoluara dhe të parashikueshme, ndryshe nga karakteristikat e kombinimeve të tij të shpejta dhe u neutralizua lehtë nga Holyfield, në një ndeshje të luftuar, e ndërprerë nga gjyqtari Mitch Halpern në fillim të raundit të njëmbëdhjetë. Tyson kuptoi atë natë se për të mposhtur dikë si ‘The Real Deal’, vetëm fuqia nuk do ti mjaftonte kurrë dhe në këtë mënyrë vendosi të kontaktojë Richie Giachetti, trajnerin që e kishte ndihmuar të ngrihej nga humbja e papritur kundër James Douglas dhe që e kishte udhëhequr deri në ditën e burgosjes. Plani, i thjeshtë dhe ambicioz, parashikonte të rikuperonte lëvizjet e viteve të arta dhe rikthimin në majën e botës në mënyrën e tij.

Ndeshja ‘’hakmarrëse’’ u luajt në Las Vegas gati tetë muaj nga ndeshja e parë dhe solli të ardhura ekonomike më të larta në historinë e boksit deri në atë moment. 28 qershor 1997. Një Mike Tyson i disiplinuar dhe i duruar nisi ndeshjen, i shqetësuar për fazën mbrojtëse; Holyfield, nga ana tjetër, nisi i vendosur në tentativë të befasonte Mike me agresivitetin e tij dhe ta pengonte të gjente besimin e duhur. Dy raundet e para, pa shumë pengesa, u fituan qartë nga kampioni në fuqi. Pastaj, në mesin e raundit të tretë, ku ritmi ishte rritur ndjeshëm, Tyson pështyu mbrojtësen e dhëmbëve dhe kafshoi dhunshëm veshin e djathtë të kampionit, duke i shkëputur një pjesë, për ta shtyrë më pas, ku ky i fundit u kthye duke protestuar. Arbitri me përvojë, Mills Lane menjëherë e kuptoi se çfarë ndodhi, ku pas rreth dy minutash ndalese, në një klimë që ishte bërë surreale, vendosi ti jepte dy pikë penalitet dhe të vazhdonte ndeshjen. Fatkeqësisht, pauza e detyruar nuk mjaftoi të qetësonte një Tyson të dalë nga binarët dhe në sekondat e fundit të raundit të dytë bën një tentativë tjetër kafshimi, këtë herë në veshin e majtë të Holyfield, që solli skualifikimin përfundimtar. Ndeshja hyri në histori si “The Bite Fight” (luftimi i kafshimit).

Pasojat për Tyson ishin shumë të rënda. Përveç gjobës 3 milionë dollarë, erdhi heqja e licencës që e mbajti jashtë për një vit e gjysmë dhe që në mënyrë të pashmangshme e çoi atë në rënien përfundimtare. Ajo që ka rëndësi është se në 23 vjet, koha ka zhdukur mëritë mes të dyve. Në një spot të famshëm të disa viteve më parë, Tyson i ktheu pjesën e veshit ish-rivalit; pastaj të dy kanë luajtur në filmin “Ndeshja e madhe” (ku protagonistë ishin Sylvester Stallone e Robert De Niro), publikuar në 2013. Pastaj vetë Mike në 2017 mirëpriti Evander në International Boxing Hall of Fame, duke e prezantuar për publikun me këto fjalë: “Një miku im, një nga kampionët më të mëdhenj të të gjitha kohërave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë