Treg

Turizmi i indinjuar ndaj Ramës: Të ndërtojë tunele dhe aeroporte, por shumë shpejt do të rindërtojë turizmin

Përfaqësuesit e shoqatave të sektorit të turizmit në vend janë shumë të indinjuar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama kur sot, gjatë konferencës për mediat dhe në përgjigje të pyetjes së Gazetës “Si”, u shpreh se nuk ka një plan mbështetës ekonomik për turizmin.

“I kemi mbështetur me të gjitha ato që kemi mundur. Qeveria nuk ka vetëm pandeminë me të cilën po përballet, por edhe procesin e rindërtimit nga tërmeti i vitit të kaluar”, u shpreh kryeministri.

Por duke iu referuar statistikave zyrtare që tregojnë sektori i turizmit në vend ka peshën sa 22 % PBB-së dhe ekonomia shqiptare është e varur nga turizmi, Kliton Gërxhani nga ATOA (Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike) thotë se “Nëse Kryeministri dhe qeveria nuk do t'i lexojë siç duhet dëmet që ka pësuar dhe vazhdon të pësojë sektori i turizmit, kam frikë se shpejt do të detyrohet të merret me rindërtimin e tuizmit dhe madje dhe të ekonomisë shqiptare”.

"E kemi thënë disa herë, - vijon më tej Gërxhani, - që turizmi është i vetmi sektor ku dëmi që po i shkaktohet në të ardhura dhe mbi të gjitha në punësim, nuk prek vetëm këtë sektor, por ka një efekt shumëdimensional në shumë sektorë të tjerë të vendit duke filluar nga bujqësia e para".

Të njëjtën logjikë mbështet edhe Zak Topuzi nga Shoqata e Hotelerisë.

“Në këtë pikë nuk ka nevojë për diskutime. Kryeministri dhe qeveria le të vazhdojnë të bëjnë tunele dhe aeroporte. E dimë që qeveria ka halle plot, por duhet të kuptojë që sektori i turizmit në vend e ka tejkaluar edhe gjendjen e zgripit; 50% e largimeve nga puna po plotësohet. Tanimë që janë mbyllur edhe kufijtë nuk ka asnjë mundësi për punonjësit e kualifikuar të punojnë jashtë Shqipërisë. Qeveria duhet të mendojë për këta punonjës të cilët janë aset për vendin”, thotë Topuzi.

Ai bën me dije për Gazetën “Si” se të gjitha nismat e komunikimit dhe prezantimit të situatës i kanë harxhuar përmes letrave drejtuar qeverisë dhe ministrisë së linjës, programeve të hartuara. "Por që qeveria nuk ka denjuar as të na kërkojë për bisedime”, shprehet ai.

"Kjo është një luftë që, siç thotë kryeministri, luftohet bashkë. Jo disa në ballë e disa të fshehur. Bankat janë fshehur pas vendimeve të qeverisë, por nuk duan ta kuptojnë që lufta i falimenton të gjithë dhe në një barkë do të mbytemi të gjithë. Qeveria e ka më mirë të paguajë interesat e bankave se sa të falimentojmë të gjithë. Viti tjetër vjen shpejt, por gropën e madhe të këtij viti me qëndrimin e saj qeveria nuk do të ketë mundësi ta mbyllë”, thotë Zak Topuzi.

Duke u krahasuar me vendet në botë dhe ato në rajon, Topuzi përmend se Qeveria kandeze ka vendosur të subvecionojë të gjitha strukturat akomoduese me 4-299 dhoma në masën e 200 mijë dollarëve për të shpëtuar sektorin nga kolapsi.

Po ashtu edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Mali i Zi ka gati paketën e katërt me 90 mln euro vetëm për sektorin e turizmit, teksa ka vetëm 650 mijë banorë.

Maqedonia e Veriut u ka siguruar pagë minimale prej 280 dollarësh punonjësve të bizneseve që kanë humbje të xhiros deri në 30%, kurse atyre me humbje të xhiros mbi këtë nivel u akordon punonjësve pagë 415 dollarë deri në fund të vitit.

Në të njëjtën kohë Maqedonia e Veriut ka lehtësuar TVSH-në në 10% për baret dhe restorantet e ka vënë në dispozicion 3-10 mijë dollarë për të gjithë punonjësit e tjerë të sektorit deri tek këngëtarët, plus grante specifike falas dhe kredi për sipërmarrësit e sektorit për likuiditet me interes 1,5%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë