Ne rrjet

Trump bleu heshtjen, a rrezikon Presidenti shkarkimin?

Avokati që mbrojti interesat e Donald Trump gjatë fushatës elektorale në garën presidenciale të 2016 pranoi para një gjykate të Nju Jorkut se ka shkelur ligjin zgjedhor për financimin e fushatës.

Gjatë dëshmisë ai tha se e kishte kryer këtë veprim nën “udhëzimin” e një kandidati, ku qëllimi kryesor ishte “ndikimi në zgjedhje”. Avokati Michael Cohen pranoi se kishte paguar për heshtjen ish të dashurat e Donald Trump.

Presidenti Trump nuk ka komentuar ende këto zhvillime, por në muajin maj ai ka pranuar se kishte rimbursuar Michael Cohen për një nga gratë që rrëfeu asokohe se kishte patur marrëdhënie seksuale me të, në një kohë që pak muaj më parë e kishte mohuar këtë fakt.

51-vjeçari Cohen ka pranuar tetë akuzat e ngritura nga prokurorët, mes të cilave edhe ajo e mashtrimit financiar. Ai ka pranuar që të bashkëpunojë me hetuesit dhe mund t’i reduktohet dënimi nga 65 vite burg, në vetëm pesë të tillë.

Çfarë ndodhi në gjykatë?

Në të njëjtën ditë, një gjykatë në Virxhinia dënoi ish-udhëheqësin e fushatës së Donald Trump, Paul Manafort për të njëjtën akuzë. Zhvillimet e fundit ka shtuar spekulimet se edhe vetë Presidenti mund të përballet me drejtësinë së shpejti.

Duke iu referuar qartazi Donald Trump, Michael Cohen tha se ishte udhëzuar nga një “kandidat për zyrën federale” që të shkelë ligjin zgjedhor federal. Ai pranoi akuzën e evazionit fiskal, e deklaratave financiare të rreme, kontributit me vetëdije dhe të paligjshëm financiar për një korporatë me kërkesë të një kandidati në fushatë,
Vendimi për të do të jepet më 12 dhjetor, por Cohen do ta presë i lirë këtë vendim pasi la qelinë duke paguar garancinë prej 500 mijë dollarësh.

Në nisje të seancës, zëri i Michael Cohen u drodh që në pyetjet rutinë të gjyqtarit. Ai e nisi fjalën e tij duke deklaruar se nuk ishte nën efektin as të drogës dhe as të alkoolit në momentin që deklaroi fajësinë.

Gjyqi i verës

Ishte procesi që gazetarët prisnin për muaj me radhë që t’i shihnin një përfundim dhe rezultati, të paktën nga ana gazetareske nuk zhgënjeu. E sigurtë është që dëshmia e Cohen do të shkundë Shtëpinë e Bardhë, por enigma që mbetet për t’u zbuluar në muajt në vazhdim është a do të mbërrijë kjo stuhi deri tek Donald Trump apo jo.

Pse u paguan paratë?

Pornostarja Stormy Daniel deklaroi se ishte paguar 130 mijë dollarë nga Michael Cohen pak ditë para fushatës së 2016, për të heshtur për raportin që kishte patur me Donald Trump një dekadë më parë. Cohen ka regjistruar gjithashtu edhe një bisedë me Donald Trump, disa muaj para zgjedhjeve, ku diskutohej blerja e të drejtave për një histori “flirti” të ish-modeles së Playboy-t, Karen McDougal, e cila gjithashtu thotë se ka patur një raport seksual me Donald Trump.

Pagesat janë bërë në rrugë jozyrtare dhe fshehja e tyre cilësohen një shkelje e rëndë e ligjit elektoral në Shtetet e Bashkuara. Avokati i Stormy Daniel, që ka paditur si Donald Trump, ashtu edhe Michael Cohen për shpifje, thotë se zhvillimet e fundit favorizojnë çështjen e klientes së tij në betejën ligjore kundër Presidentit.

Si reaguan Trump dhe Cohen?

Avokati i Michael Cohen tha se klienti i tij ishte betuar gjatë një intervistë dhënë në muajin e kaluar se do të vendoste besnikërinë dhe dashurinë për vendin dhe familjen e tij përpara ish-bosit që e kishte punësuar.

“Sot ai u ngrit dhe dëshmoi nën betim se Donald Trump e udhëzoi që të kryente një krim duke paguar dy gra me qëllim ndikimin në fushatën zgjedhore”, deklaroi avokati Lanny Davis.

Por, Rudy Giuliani, njëri prej avokatëve të Donald Trump në këtë proces deklaroi se nuk ka asnjë provë që provon fajësinë e Presidentit në akuzat e ngritura kundër Cohen.

Si u bë publike çështja?

Michael Cohen punoi për Organizatën Trump për më shumë se një dekadë dhe vazhdoi t’i shërbejë Donald Trump më vonë si avokat personal dhe “njeriu që i zgjidhte” problemet gjatë fushatës zgjedhore.

Në muajin prill, FBI sekuestroi disa dosje nga zyra dhe dhoma e hotelit e përdorur prej tij gjatë qëndrimeve në Nju Jork. Aksioni u zhvillua pas një sinjalizimi të marrë nga ekipi hetues i Robert Mueller, që po heton për përfshirjen ruse në fushatën elektorale të 2016.

A mund të përfundojë Donald Trump në gjyq?

“Nëse ato pagesa konsiderohen të paligjshme dhe krim për Michael Cohen, atëherë nuk kuptoj se përse nuk mund të vlejnë si krim për Donald Trump”, deklaroi për CNN, Lanny Davis, avokat i Cohen.

Në çdo rast, me akuzat ndaj Michael Cohen vështirë se Donald Trump do të dalë para gjykatës përsa kohë është President. Por, ekziston një skenar. Nëse demokratët fitojnë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit amerikan, ai mund të shkaarkohet për “tradhti të lartë dhe kundërvajtje”.

Megjithatë, ka disa pengesa të tjera. Procedurat për shkarkimin e Trump mund të nisen, por që të realizohet misioni demokratëve u duhet edhe ndihma e republikanëve që të sigurojnë shumicën e nevojshme për këtë mision.

Mundësitë e shkarkimit do të rriteshin ndjeshëm nëse nga hetimi i ekipit të prokurorit special, Rober Mueller del me përfundimin se ekipi i fushatës së Donald Trump kontaktoi me rusët në zgjedhjet presidenciale të 2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë