Njerez

Trombisti shqiptar Lekë Negri nderohet me çmimin ‘Artisti i vitit’ në Washington

Nga Gazeta Si- Muzikanti i talentuar shkodran Lekë Negri është nderuar me Çmimin “Artisti i Vitit” në Washington DC, për arritjet e shkëlqyera si muzikant karriere brenda dhe jashtë vendit në Europë dhe SHBA.

Vlerësimi për këtë çmim u bë i mundur me kërkesë të zyrës së senatores të SHBA-së në New York zonjës Kirsten E Gillibrand dhe për nder të artisitit, në majën e ndërtesës së Kongresit Amerikan në Washington DC është valëvitur flamuri shqiptar.

Ky çmim jepet për karrierën 25 vjeçare në fushën e muzikës dhe artit.

Pasi mori çmimin, Negri shprehu një mirënjohje për senatoren Kirsten E Gillibrand e cila ka qenë një zë i fuqishëm për komunitetin Shqiptar në Amerikë dhe ka ngritur zërin për të drejtat e tyre.

Gjithashtu ai falënderoj edhe komunitetin artistik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët kanë qenë mbështetja për të.

Lekë Negri është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në vitin 2000. Ai ka punuar si trombist në Festivalet Ndërkombëtarë të Operës “Marie Kraja”, ndërsa ka punuar me dirigjentë të shquar si Ermir Krantja, Jacopo Sipari, Martin André, Leonardo Quadrini, Sinopoli, Cuhng etj.

Negri ka punuar gjithashtu edhe me grupe të njohura pop, jazz dhe blues, duke përfshirë grupin “Blues Brothers”, duke regjistruar me saksofonistin Lou Marini dhe kitaristin Steve Cropper.

Në botën e kinemasë, Negri njihet për performancën e tij të përbashkët muzikore me muzikantin Fatos Qerimi, në regjistrimin e muzikës për filmin “Letra në erë” të vitit 2003, me regji të Edmond Budinës. Lekë Negri ka organizuar edhe aktivitete të shumta bamirësie për Caritasin Shqiptar, si dhe në ShBA duke performuar me artistin e njohur fitues të Grammys, trompistin Chris Bottin, trompistin Timmy Trumpet dhe shumë koncerte bamirësie në komunitetin Shqiptar.

Në një intervistë për Gazetasi.al pak kohë më parë, Negri tha që në fillimet e tij e deri tani, sfida e tij më e madhe mbetet muzika popullore, një treg nga i cili fitohet më shumë. Edhe në klasën ku ai jepte mësim (Negri ka punuar si pedagog i jashtëm në Akademi të Arteve), të paktë ishin studentët që vazhdonin për trombë.

“Në Shqipëri nuk ka interes për atë lloj muzike. Njerëzit donin muzikë popullore sepse nga ajo sigurisht që fitohej më shumë. Në klasën time ishte shumë i paktë numri i studentëve që vijonin për trombë”, u shpreh asokohe ai për Gazetasi.al.

Pavarësisht sfidave, Negri tha se nuk ka ndërmend të shkëputet ndonjëherë nga tromba.

“Koha e trombës nuk ka mbaruar”, përfundoj ai në intervistën për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë