Njerez

Lekë Negri, djali i talentuar që nuk ka ndërmend ta tradhëtojë trombën

Nga Gazeta 'Si'-Muzika që ai bën, ndonëse pa tekst, ka folur shumë talent edhe mes viteve të tranzicionit kur rruga drejt artit në Shqipëri ishte e vështirë.

Tromba, për të, më shumë se dashuri me shikim të parë, ishte disiplinë.

“Ishte një instrument që në perspektivë kishte të ardhme”, kështu e nis rrëfimin Lekë Negri, trombisti më i talentuar shqiptar për Gazetasi.al teksa nuk ngurron të shtojë se rruga drejt kësaj të ardhmje është krejt sfida.

E para për të, duke konsideruar dhe moshën kur e ka nisur, ishte përkushtimi i madh dhe rigoroz që muzika kërkonte duke hequr dorë nga shumë impenjime të tjera.

I rritur në një qytet si Shkodra, ku këngët dhe arti kanë patur gjithmonë shtëpinë e vet, ai e ndjente si përgjegjësi të shtynte përpara këtë lloj muzike. Shkodra duhej ende të shquhej për muzikalitetin e saj arketipial.

“Si pjesë e një familjeje muzikantësh, zgjodha të mos e tradhëtoja muzikën. Mësimet e para deri në vit të tretë i ndoqa në Liceun e Shkodrës. Në vitin 1994 u zhvendosa tek Jordan Misja e më pas mbarova Akademinë e Arteve në Tiranë”, tregon rrugëtimin e tij për Gazetasi.al. Negri, trombisti i veçantë.

Artisti Lekë Negri ka nisur ushtrimin e trombës që në vegjëli

Ajo që e shqetësonte më shumë asokohe ishte mungesa e instrumenteve dhe e një metodologjie të përparuar. Shpesh u detyrua të sforcohej në mënyrë që të ishte gjithmonë në pararojë me muzikën e tij, ashtu siç edhe ka ndodhur.

Karrierën profesionale e nisi në vitin 1999 duke luajtur si trombë e parë solo në orkestrën simfonike të RTSH-së, një aktivitet të cilin e ka bërë prej më shumë se 20 vitesh tashmë.

Krahas kësaj, u emërua si pedagog i jashtëm po në Akademi të Arteve ku një grupi studentësh u mësonte lëndën ‘muzikë dhome’.

Kur e pyet se cilat janë vështirësitë me të cilat mund të haset një artist që bën muzikë nga një instrument i tillë, ai sakaq përgjigjiet se është mungesa e interesit.

Që në fillimet e tij e deri tani Negri shprehet se sfida më e madhe mbetet muzika popullore, një treg nga i cili fitohet më shumë. Edhe në klasën ku ai jepte mësim, të paktë ishin studentët që vazhdonin për trombë.

“Në Shqipëri nuk ka interes për atë lloj muzike. Njerëzit donin muzikë popullore sepse nga ajo sigurisht që fitohej më shumë. Në klasën time ishte shumë i paktë numri i studentëve që vijonin për trombë”, shprehet më shqetësim ai për Gazetasi.al.

Raporti i shqiptarëve me trombën krahasuar me komshinjtë tanë në vendet e tjera të Ballkanit, mbetet për të dëshiruar.

Ndonëse nuk mungon temperamenti, folku në Shqipëri ndryshe nga Serbia apo Maqedonia që e kanë në fokus trombën, është i bazuar tek klarineta.

“Gjithmonë kështu ka qenë”,  thotë disi me trazim Negri.

Mungesa e hapësirave për të gjetur punë e përforcon më tej rrugën e vështirë të këtij arti.

“Hapësirat në Shqipëri janë shumë të pakta duke nisur si nga shkollimi deri tek tregu i punës. Përveç Liceut dhe Akademisë në Tiranë, licetë që janë nëpër rrethe janë thuajse të braktisura. Me mungesë stafi, instrumentesh e dëshire.

Nuk ka investime në art. Nëse një i ri që studion trombë dëshiron që të futet në tregun e punës, ka vetëm dy mundësi, Teatri i Operas dhe Baletit ose orkestra e Radio Televizionit Shqiptar”, vijon ai më tej.

Megjithatë, pavarësisht sfidave për të ruajtur traditën mes një instrumenti të tillë ndër vite, ai me talentin dhe punën e tij, ia ka dalë që të bashkëpunojë me institucionet simfonike më të mëdha në Shqipëri.

Negri shprehet se koha e trombës nuk ka mbaruar

Si trombë e parë dhe e dytë në orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit,me orkestrën filarmonike të Sarajevës dhe 16 vite në televizionin kombëtar Top Channel.

Nuk ka ndërmend të shkëputet ndonjëherë.

“Koha e trombës nuk ka mbaruar”, përfundon në fund ai për një instrument që e kanë ekzekutuar mjeshtërisht muzikantë të njohur të qytetit të tij si Gasper Curcia apo Lekë Spathari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë