Futboll

Tregu i futbollit, tani shqiptarët migrojnë në Kosovë!

Nga Fatjon Rupi - Niveli i kampionati shqiptar është më i lartë se i atij kosovar në shumë drejtime, duke nisur nga infrastruktura dhe për të vazhduar me kualitetin e lojtarëve. Për këtë arsye, shumë nga lojtarët e talentuar kosovarë e kanë parë kampionatin shqiptar si një mundësi shumë të mirë për t’u rritur profesionalisht, një “trampolinë” për t’u lançuar në futbollin europian. Vitet e fundit thuajse të gjitha skuadra tona kanë pasur futbollistë nga Kosova në përbërje, ku për t’u veçuar janë Besa dhe Skënderbeu. Kavajasit vite më parë dhe korçarët së fundi, janë bazuar te kosovarët, të cilët kanë qenë ndër më të mirët. Bernard Berisha, Bajram Jashanica, Arbnor Fejzullahu, sa për të përmendur disa emra, janë ata që spikatën te Besa, më pas kaluan në skuadrat tona më të mira, Skënderbeu dhe Partizani, ndërsa tani luajnë në kampionate të huaja.

Kukësi dhe Flamurtari po ashtu, në sezone të caktuara, kanë pasur në organikën e tyre shumë lojtarë nga Kosova, pa i përmendur skuadrat e tjera elitare. Madje, edhe skuadra të Kategorisë së Parë, siç është rasti i Apolonisë, kanë bërë pazar në Kosovë. Deri tani tregu i futbollistëve ka qenë një “rrugë me një kalim”, Kosovë-Shqipëri, duke përjashtuar ndonjë rast të rrallë që shkonte në sens të kundërt. Por dy vitet e fundit situata ka ndryshuar ndjeshëm dhe jo vetëm për futbollistët, por edhe për trajnerët. Madje, nëse vazhdohet me këtë ritëm, për pak kohë mund të kemi një shkrirje, apo balancim të merkatos së dy kampionateve. Lojtarët nga Shqipëria që po zgjedhin të shkojnë në Kosovë janë gjithmonë e më shumë, ndërkohë që disa nga emrat më të njohur të trajningut në Shqipëri drejtojnë aktualisht skuadra të kampionatit kosovar, siç janë Mirel Josa, Sulejman Starova, Gugash Magani dhe Samuel Nikaj. Ky i fundit ka qenë ndër të parët në fakt që e ka eksploruar futbollin kosovar, ku ka drejtuar Flamurtarin e Prishtinës.

Aliti, Abazi, Jashanica, Gavazaj dhe Sahiti, kosovarët e shpallur kampionë me Skënderbeun

Pse ky eksod drejt Kosovës i trajnerëve? Në Shqipëri nuk ka vend për të gjithë, plus që nga drejtuesit e klubeve tona vitet e fundit ka pasur një mani për të marrë trajnerë të huaj. Po ashtu, edhe kushtet financiare janë të pranueshme. Klubet kosovare, me pjesëmarrjen në Kupat e Europës, kanë nisur të investojnë më shumë në merkato dhe tregu shqiptar është më i përshtatshëm aktualisht. 

Për trendin e ri të lëvizjes së lojtarëve, nga Shqipëria drejt Kosovës, që në fillim dukej i çuditshëm por që tani po bëhet gjithmonë e më i prekshëm, vlen të theksohet fakti se nuk bëhet fjalë për elitën e kampionatit shqiptar. Nuk janë lojtarët më të mirë të futbollit shqiptar, por bëhet fjalë për lojtarë të nivelit mesatar e poshtë, lojtarë me shumë përvojë. Futbolli kosovar është në përpjekje për t’u rritur dhe përvoja e lojtarëve nga Shqipëria shërben në këtë drejtim.

Edvan Bakaj, ish-portieri i Tiranës, aktualisht pjesë e Dritës në Kosovë 

Një tjetër element që i josh lojtarët shqiptarë të marrin “Rrugën e Kombit” është stabiliteti financiar. Klubet e nivelit mesatar në vendin tonë apo më poshtë kanë probleme me pagesat dhe një pjesë e lojtarëve janë të lodhur nga “mashtrimet” e fillimit të kampionatit dhe vuajtjet në pjesën e dytë të tij për të marrë atë që u takon. Varianti “të kapim çfarë të kapim në fillim” nuk pi më ujë, sepse edhe presidentët e klubeve shqiptare tashmë janë më të përmbajtur dhe nuk e lëshojnë aq lehtë dorën.

Shkëmbi: Ne duam talentet, ata përvojën

Liria e Prizrenit sezonin e kaluar u bë thuajse e gjitha nga Shqipëria, me Bledi Shkëmbin trajner dhe me shumë lojtarë nga kampionati shqiptar. Ish-kapiteni i Skënderbeut e nisi karrierën e trajningut në Kosovë, në stolin e Lirisë së Prizrenit, që bëri një kampionat shumë të mirë. Tani është kthyer në Shqipëri dhe ka marrë drejtimin e Teutës, ku më parë ka luajtur. Opinioni i tij në lidhje me tregun e lojtarëve mes dy vendeve është se Shqipëria merr talentet nga Kosova, kurse kjo e fundit merr përvojën. “Po, tani ka shumë lojtarë nga Shqipëria që shkojnë në Kosovë për të luajtur. Mendimi im është se klubet shqiptare marrin talentet nga Kosova, kurse klubet kosovare kanë nevojë për më shumë përvojë dhe për këtë marrin lojtarë nga Shqipëria. I referohem përvojë sime me Lirinë e Prizrenit sezonin e kaluar, pasi në skuadër kishim shumë lojtarë nga kampionati shqiptar. Dukshëm eksperienca e lojtarëve shqiptarë ka ndikuar te skuadrat kosovare. Po ta keni vënë re, sezonin e vjetshëm kampionati kosovar ishte më i fortë, me më shumë luftë sportive dhe konkurrencë. Mund të them se tashmë tregu është më i gjerë dhe shumë futbollistë, të cilët nuk arrijnë të gjejnë skuadrën që duan në kampionatin shqiptar, kanë si alternativë Kosovën. Ajo që dua të theksoj ka të bëjë me faktin se disa klube në Kosovë ofrojnë kontrata dhe kushte vërtet të mira dhe më çfarë po duket, në të ardhmen mund të kemi një treg të përbashkët, si të thuash një ligë, ku lojtarët mund të zgjedhin. Kuptohet që kjo është pozitive për futbollin në të dy kampionatet, sepse rritet konkurrenca”, - ka thënë për “Gazeta Si” ish-trajneri i Lirisë së Prizrenit, Bledi Shkëmbi.

Bledi Shkëmbi, gjatë prezantimit si trajner i Lirisë së Prizrenit

Familja Magani, një rast unik

Babai trajner dhe dy djemtë futbollistë, por jo në të njëjtin ekip. Gugash Magani, trajneri peqinas që në Shqipëri ka drejtuar skuadra me emër si Flamurtari, Teuta dhe Tirana, prej sezonit të kaluar stërvit Trepçën ’89. Po sezonin e kaluar në Kosovë kaloi dhe sulmuesi Artur Magani, djali i vogël, i cili luajti me Lirinë e Prizrenit dhe tashmë ka kaluar në radhët e Feronikelit, që drejtohet nga trajneri i njohur shqiptar, Sulejman Starova. Edhe djali i madh i familjes Magani, Endri, ka firmosur për Gjilanin ne merkaton e kësaj vere. Një rast unik ky që tre pjesëtarë të një familjeje nga Peqini japin kontributin e tyre në kampionatin kosovar, në tri skuadra të ndryshme. Babait trajner nuk i pëlqen shumë që t’i ketë nën urdhrat e tij dy djemtë.

Gugash Magani, trajneri peqinas i Trepça '89

Tregu i lojtarëve Shqipëri-Kosovë ka ndryshuar shumë, por gjithsesi, lojtarët më të mirë të dy kampionateve synojnë skuadrat më të mira në Shqipëri, për vetë faktin se kanë ende diferencë me ato kosovare. Të tjerët mund të zgjedhin mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkohë që tendenca flet për një zvogëlim të këtij hendeku, ndoshta edhe për një shkrirje të tregut të lojtarëve në një të ardhme jo të largët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë