Treg

Tregtia e jashtme mes vendeve të Ballkanit pengohet nga konkurrueshmëria dhe produktiviteti

Nga Gazeta ‘SI’ - Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë ende gati për të kaluar tregjet lokale, ndonëse janë angazhuar fort në bashkëpunimet mbi tregtinë e lirë, heqjen e barrierave dhe rritjen e konkurrueshmërisë apo produktivitetit.

Kështu thuhet në raportin e barrës tatimore, nga qendra kërkimore Altax në Shqipëri, publikuar për ditën e lirisë fiskale.

Raporti thekson se vendet e rajonit pengohen nga konkurrueshmëria ende e ulët dhe produktiviteti i munguar në inovacion dhe tek produktet e së ardhmes, tregues që mund të rrisin cilësinë e ekonomisë të të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në raport thuhet se statistikat e BP-së, studimet dhe analizat, tregojnë se pjesa e tregtisë ndërkufitare në raport me PBB-në, që zë secili vend në tregun rajonal ka ndryshuar pak në raport me partnerët tradicionalë që ka pasur secili vend. Në planin strukturor të destinacioneve të eksporteve, ekonomitë e BP-së janë partnerë dhe anëtarë të marrëveshjeve me të njëjtat vende të BE-së.

Ndër vendet me tregtinë më të zhvilluar brenda rajonit, raporti përmend, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën që e kanë të balancuar me atë me vendet e BE-së. Vendet e tjera, përfshirë Shqipërinë, kanë në fokus më shumë tregun europian.  

Tregtia ndër rajonale është e fokusuar kryesisht në produkte gjysmë të përfunduara dhe agro-bujqësore. Nisur nga ky fakt, tregtia ndër rajonale nuk ka dhënë ndikim në ndryshimin e strukturës së eksporteve dhe në një të ardhme mund të mbajë rol të vogël në rënie në raport me volumin e përgjithshëm të eksporteve. Gjithsesi, rritja e kërkesës konsumatore dhe rritja e aksesit në kreditim, të ndikuar nga kufizimet ende të dukshme në konkurrueshmëri nga kompanitë e BP vijojnë të ndikojnë në mbajtjen e një deficiti tregtar të lartë, vlerëson raporti i Altax.

Nevoja për të rritur nivelin e teknologjisë së prodhimeve tradicionale dhe ato të reja, si dhe me qëllim që të përmirësoheshin treguesit makroekonomikë ka detyruar që qeverisjet e BP-së në këto 10 vite të fundit të miratojnë reformime në pothuajse gjithë sektorët kryesorë produktivë të ekonomisë. Këto nisma reformuese kanë ndikuar edhe në tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte, IHD.

Përbërja e IHD për këtë periudhë përbëhet nga industria automotive dhe pjesëve për makina, energjia e rinovueshme dhe shërbimet e turizmit dhe ato të teknologjisë. IHD në BP gjithsesi konsiderohen të kufizuara, nëse krahasohen me treguesin e IHD për frymë në vendet e BE-së, si dhe potencialin që ekziston për të thithur investime nga këto vende, apo edhe nga vende të tjera në zhvillim të shpejtë. Kështu, IHD për frymë në BP janë sa gjysma e IHD për frymë në vendet e BE-së.

“Investimet në kërkim dhe zhvillim, vijojnë të jenë në nivele të ulta, që arrijnë deri në 1% të totalit të shpenzimeve buxhetore që planifikohet dhe realizohet në BP, ku përjashtim është Mali i Zi, që ka planifikuar shpenzime në rritje për 2022. Kjo qasje, nëse nuk ndryshon do të shkaktojë mungesë në produktin e kërkimeve shkencore, por edhe në mallrat dhe shërbimet që gjenerohen prej teknologjisë së avancuar. Mungesa e vëmendjes së nevojshme për të ndryshuar si kapacitetet që nevojiten, por edhe burimet për të mundësuar ndryshimin do të prodhojë efekte negative që nuk do të mundet t’i shërojë apo sistemojë koha, pasi zhvillimi i këtij sektori kërkon kohën e vet për të qenë efektiv në ekonomi dhe jetën sociale”, -shkruhet në studim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë