Rend dhe Ligj

Tre të rinj kapen me 1 kg kokainë në Tiranë, Balla: Të goditen ‘kokat’ e grupeve kriminale

Gazeta Si - Tre persona janë arrestuar në Tiranë, pasi akuzohen se furnizonin me lëndë narkotike kokainë disa rrjete shpërndarëish.

Në kuadër të operacionit të koduar “Three stars”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, policia prangosi tre persona, përkatësisht 27, 30 dhe 24 vjeç, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, furnizonin me lëndë narkotike kokainë, disa rrjete shpërndarësish.

Sipas policisë mësohet se ndalimi i tyre është bërë pasi në rrugën “Vangjush Furrxhi”, policia ka lokalizuar automjetin me drejtues shtetasin G.M., 27 vjeç dhe pasagjerë shtetasit A.D., 24 vjeç dhe R.D., 30 vjeç, ku pas kontrollit në makinë është gjetur një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë 1 kg e 52 gramë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe më pas disa rrjete shpërndarësish, në rrugën “Myslym Shyri”, në Rrugën e Durrësit dhe në zonën e "21-Dhjetorit".

Në cilësinë e provës material është sekuestruar 1 kg e 52 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 4 aparate celulare, 1400 euro dhe 78 900 lekë.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla i ka kërkuar Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera, të intensifikojnë goditjet kundër grupeve kriminale që shpërndajnë lëndë narkotike.

Sipas Ballës, goditjet marrin më shumë vlerë, kur shkohet tek drejtuesit e grupeve. Ai ka përshëndetur operacionet e fundit policore, në kryeqytet dhe Sarandë.

“Policia e Shtetit po godet rrjetet e shpërndarësve të lëndëve narkotike duke shënuar rezultate konkrete, siç janë aksionet e fundit në Tiranë dhe Sarandë. Ndërsa pres më shumë rezultate në ditët e ardhshme, ripërsëris domosdoshmërinë që të shkohet tek “kokat” e këtyre grupeve kriminale sa më shpejt”, nënvizon ministri.

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, ku nesër Balla dhe Ministrja e Arsimit Kushi do të prezantojnë një plan të detajuar për rritjen e sigurisë në shkolla, ministri Brendshëm ftoi edhe qytetarët të ndihmojnë autoritetet në këtë betejë me paligjshmërinë.

“Publiku dhe çdo familje shqiptare presin që Policia e Shtetit të marrë më shumë përgjegjësi ndaj çdo të riu e të reje, madje dhe adoleshentë, të cilët nuk i dinë sot sa duhet rreziqet e mëdha për shëndetin dhe familjet e tyre, ndërsa bien në grackën e narkotikëve. Prandaj Policia e Shtetit duhet ta vendosë shkatërrimin e rrjeteve të shpërndarësve të lëndëve narkotike në një prioritet kryesor”, shkruan Balla


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë