Rend dhe Ligj

Tre emra për dy vende të përkohshme në SPAK

Struktura e Posaçme Antikorrupsion u ngrit me dy prokurorë më pak se numri i përcaktuar nga Kushtetuta dhe për të plotësuar këtë detyrim kushtetues, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që 8 anëtarëve të SPAK të zgjedhur sipas procedurës ligjore, t’u delegojë përkohësisht dy prokurorë.

Në bazë të këtij vendimi të KLP-së, drejtuesi i SPAK, Arben Kraja është vënë në lëvizje për të identifikuar kandidatët potencialë që mund të plotësojnë përkohësisht vakuumin në strukturën që drejton. Si afat për emërimin e tyre përkohësisht thuhet se është vënë kjo javë.

Mësohet se Arben Kraja ka në tavolinën e tij dosjet e disa emrave që plotësojnë kushtin e kalimit të vettingut dhe kanë shprehur interes, qoftë edhe paraprakisht, për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Për të identifikuar një listë të mundshme kandidatësh, dosjet e të cilëve ka marrë në dorëzim Arben Karaj mund t’u referohemi listave të prokurorëve që kanë qenë kandidatë në dy lista të dorëzuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku bëhet fjalë për 27 emra në total.

Nëse kjo listë zhvishet nga 8 emrat e zgjedhur tashmë si pjesë e Prokurorisë së Posaçme, nga emrat e atyre që janë shkarkuar nga vettingu të atyre që ose nuk kanë dalë ende para shkallës së parë të vettingut, ose janë apeluar në vettingun e shkallës së dytë dhe të atyre që janë emëruar në pozicione të tjera, mbesin vetëm një listë e ngushtë kandidatësh.

Nga kjo listë, vetëm emri i prokurorëve Dritan Prençi dhe Doloreza Musabelliu plotësojnë kushtin e kalimit të dy shkallëve të vettingut dhe që njëkohësisht kanë shprehur interesin për t’u bërë pjesë e SPAK. Këtyre dy emrave mund t’u bashkohet emri i kryeprokurores së Durrësit, Anita Jella, që u konfirmua në detyrë nga KPK më 10 dhjetor, gjithmonë nëse ky vendim nuk apelohet brenda 15 ditëve nga kjo datë në KPA.

Kush janë tre emrat e mundshëm që konkurrojnë për 2 vende të përkohshme në SPAK?

Dritan Prençi e ka filluar karrierën e tij në drejtësi si oficer i policisë gjyqësore në rrethin e Tropojës. Më pas ka shërbyer për disa vite si prokuror dhe drejtues prokurorie në Tropojë, Kukës dhe Kurbin përpara se të emërohej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ai ishte edhe kandidat për anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Në qershor të 2018-ës kaloi pa probleme vettingun në Komisionin e Pavarur të Kualifkimit, vendim me të cilin u pajtua si Komisioneri Publik, ashtu edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë që nuk e apeluan atë. KPK arriti në përfundimin se prokurori Dritan Prençi ka burime të ligjshme pasurie, nuk ka lidhje me persona të dyshimtë dhe është i aftë profesionalisht.

Doloreza Musabelliu ka përfunduar Magjistraturën në vitin 2005 dhe është emëruar më pas prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. KPK e konfirmoi në detyrë më 5 dhjetor të këtij vitit. Vettingu nuk gjeti kontakte që cenonin integritetin e saj. Musabelli u vlerësua pozitivisht edhe profesionalisht, ndërsa iu gjetën disa pasaktësi në deklarimin e pasurisë dhe u lexuan raporte të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ku hamendësohej për korrupsion nga ana e prokurores. Por, as të parat dhe as të dytat nuk u vlerësuan si të mjaftueshme nga ana e KPK që të ndikonin në vendimin final të trupës së gjyqtarëve.

Anita Jella ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Karrierën si prokurore filloi në Elbasan në vitin 2001 dhe më pas ka punuar si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007. KPK e konfirmoi në detyrë më 10 dhjetor, por me procedim disiplonor për problemet e gjetura në dy dosje, përfshirë këtu edhe atë për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Durrësit dhe ndërhyrja tek prokurori Arjan Ndoja.

Kjo dosje nuk është hetuar nga vetë Jella, por asaj iu mvesh përgjegjësia si drejtuese e Prokurorisë së Durrësit. Prokurorja u mbrojt para KPK-së duke deklaruar se kishte ndërhyrë tek prokurori Ndoja duke patur parasysh faktin se një tjetër prokuror po zhvillonte hetime për këtë çështje. Megjithatë, Jella tha se ndërhyrja e saj nuk ishte marrë parasysh nga prokurori në fjalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë