Kombetarja

Trajnerët tak-fak të Kombëtareve të moshave, dështim i paralajmëruar

Futbolli ka ciklet e veta, gjenerata të mira dhe dobëta. Futbolli është gjithashtu një proces, që nis me ekipet e moshave dhe kulmon me Kombëtaren A. Po në Shqipëri, si funksionon? A respektohen hapat e sistemit që i shërben rritjes së futbollit? Jo! Vitet e fundit vihet re një problematikë e madhe me ekipet e moshave. Rezultatet lënë për të dëshiruar, edhe pse sot talentet janë me shumicë. Ka mundësi zgjedhjeje si nga kampionati shqiptar, ashtu edhe nga kampionatet e huaj, ku luajnë shumë të rinj të talentuar me origjinë shqiptare.

Atëherë, çfarë nuk shkon? Nëse produkti është, faji është i atyre që punojnë me këtë produkt, i trajnerëve. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur ekipet kombëtare të moshave drejtohen nga ish-futbollistë të Kombëtares, por pa përvojë në fushën e trajningut. FSHF-ja ka zgjedhur në krye të këtyre ekipeve trajnerë të bërë tak-fak, sapo ata kanë marrë licencën në kurset e zhvilluara në kryeqytet, ku ish-lojtarët e Kombëtares kanë priviligje. Shumë mirë që ata respektohen dhe kanë ndonjë fisilitet në këtë drejtim, por nuk mund t’u besohet menjëherë një përgjegjësi e madhe, siç është drejtimi i një ekipi kombëtar U-17, U-19 apo U-21. Erjon Bogdani dhe Alban Bushi, dy ish-lojtarë të shkëlqyer të Kombëtares, kanë pasur një ecuri katastrofike me ekipet e tyre, i pari me U-19 dhe i dyti me U-21.

Disa nga rezultatet e viteve të fundit të Kombëtares U-19

Bogdani u largua, duke ia lënë vendin Nevil Dedes pak kohë më parë, kur presidenti Armand Duka bëri një revolucion te kombëtaret e moshave, ndërsa Alban Bushi mbijetoi në stolin e ekipit Shpresa. Ditën e shtunë “Loku” doli në konferencë shtypi për të justifikuar barazimin me Andorrën, duke gjetur alibi qesharake si fusha e keqe dhe dëmtimet. Ai akuzoi Malën për një dëmtim të sajuar, por doli blof, sepse mesfushori nuk luajti me Partizanin në kampionat. Akuzoi edhe disa lojtarë të tjerë, pa i përmendur emrat, për mungesë impenjimi. Por edhe kjo nuk qëndron, sepse nëse do të ishte kështu, shumë kollaj mund t’i zëvendësonte. E kishte vetë në dorë. Bushi thekson me forcë sa herë i jepet rasti se detyra e tij është të përgatisë lojtarë për Kombëtaren, por kjo tezë nuk qëndron, madje është kontradiktore.

E para, lojtarët që grumbullohen me ekipet kombëtare janë të përgatitur nga klubet e tyre. Nuk është se ata presin grumbullimet njëjavore kuqezi që të përgatiten. Detyra e trajnerit është që të gjejë elementët dhe skemën e duhur për ta çuar ekipi te rezultati. Lojtarët shkojnë në Kombëtare, falë paraqitjes me klubet e tyre, kështu që është klubi që i bën ata që kuqezi ose jo. Trajneri duhet të zgjedhë më të mirët për të pasur rezultate, sepse, në fund të fundit, matësi i punës së tij, është vetëm rezultati. Dhe rezultatet e Shqipërisë U-19 dhe Shqipërisë U-21 janë për të vënë duart në kokë.

Rezultatet e 5 ndeshhjeve të fundit të Kombëtares U-21

E dyta, nëse një lojtar humbet sistematikisht, nuk mund të jetë i gatshëm për Kombëtaren e madhe, sepse nuk ka mendësinë e duhur. Një lojtar i ri duhet të mësohet me mendësinë e fitores dhe të luftojë me të gjitha forcat për të. Nuk ka logjikë në futboll që “mjafton të luajmë mirë, pa le të humbim”. Vazhdimisht Shqipëria ka pasur rezultate me kombëtaret e moshave, ndërsa vitet e fundit po stonon dhe shigjetat shkojnë direkt për trajnerët. Përderisa nuk ka rezultate, ata nuk e kanë bërë si duhet detyrën. Dhe nuk kanë si ta bëjnë, kur kaq lehtë marrin drejtimin e ekipeve kombëtare të moshave. Duhet pak lodhje, pak punë më parë, qoftë edhe për respekt të atyre që janë trajnerë prej shumë vitesh. Një pikë në dy ndeshje, njëra prej tyre me Andorrën, është shumë pak, as minimalja. Dhe nëse trajneri jo vetëm që nuk jep dorëheqjen, por gjen alibi për situatën, ai që e ka punësuar duhet t’i tregojë derën. Të barazosh me një ekip amator si Andorra, nuk ka asnjë justifikim.

Kombëtarja U-21 para ndeshjes në Andorra

Duhet përvojë, është e pashmangshme. E tregon përvoja kudo në botë, ku edhe emra të mëdhenj të futbollit europian e botëror nuk emërohen direkt në krye të ekipeve kombëtare. Logjika normale është që ata marrin përvojë si zëvendëstrajnerë, apo edhe trajnerë të parë të ekipeve të vogla, për të marrë më pas përgjegjësinë e madhe.

Në Shqipëri ndodh ndryshe. Një mëngjes të bukur, edhe pse nuk ke drejtuar kurrë më parë një ekip, e gjen veten trajner të një kombëtareje moshash. Është një problem thelbësor, sepse ndikon në të ardhmen e Kombëtares. Jo më kot shumë specialistë dhe trajnerë e shohin si problem serioz. Shpëtim Duro u shpreh në një intervistë për Gazeta "Si" pak kohë më parë se nuk ka sens që ekipet kombëtare të moshave të mos kenë objektiva të qartë, kur ka kaq shumë lojtarë në qarkullim. Ka edhe nga ata që e quajnë Babiloni apo rrumpallë ekipin Shpresa. Dështimi i këtij ekipi dhe ndonjë kombëtareje tjetër të moshave është i paralajmëruar që me emërimin e trajnerëve të tyre. Është kohë e çuar dëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë