Rend dhe Ligj

Video/ Trafikonin klandestinë nga Lindja e Mesme, arrestime në Shqipëri, Itali dhe Greqi. Merrnin deri në 10 mijë euro

Në një operacion policor për shkatërrimin e një linje të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme drejt BE-së, me urdhër të SPAK janë arrestuar 25 persona, mes tyre 18 shtetas shqiptarë.

Operacioni është zhvilluar njëkohësisht në tri shtete, Shqipëri, Itali dhe Greqi, ku janë lëshuar 47 urdhër arreste në total nga autoritetet ligjzbatuese të këtyre vendeve.

Në një njoftim për mediat, SPAK bën me dije se gjatë hetimeve është dokumentuar fakti se pjesëtarët e 4 grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim mes tyre aktivitetin kriminal (2 grupe në Itali, 1 grup në Shqipëri dhe 1 grup në Turqi) të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim vende të tjera të BE-së.

Grupet kriminale, pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 000 deri në 10 000 Euro, i kontrabandonin në rrugë tokësore dhe detare, duke iu mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.

Në konferencë e përbashkët për shtyp mes palës shqiptarë dhe asaj italiane, kjo e fundit zbuloi se hetimet për këtë çështje filluan në 23 prill 2020 pas një zbarkimi të një skafi me klandestinë në brigjet e Salentos.

Zyrtarët italianë pohuan se celula e parë punonte në Turqi dhe siguronte mjetet e lundrimit për transportin e këtyre emigrantëve. Ata kishin kontakt me një grup kriminal në Shqipëri dhe dy grupe në Itali.

Trafikantët italianë i prisnin emigrantët dhe i mbështesnin për t’i çuar drejt vendeve të tjerra të BE qoftë në rrugë detare, qoftë në atë tokësore.

Nga hetimi i përbashkët i kryer, janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi të 1.120 emigrantëve. Nga hetimet e kryera në Shqipëri nga SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, janë dokumentuar 7 episode kontrabandimi të personave nga Lindja e Mesme, të kryera ne Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë.

Janë kapur në flagrancë edhe personat e kontrabanduar për të kaluar kufijtë shtetërorë në mënyrë të paligjshme, si dhe është dokumentuar aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar.

Gjithashtu janë sekuestruar mjete lundruese (skafe), një anije velierë, automjete, si dhe sende të ndryshme, të cilat shërbenin për kontrabandimin e personave në rrugë tokësore dhe nëpërmjet detit.

Emrat e 15 shqiptarëve dhe 3 të huajve të arrestuar

Personat e arrestuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “ASTROLABIO”, janë:

-Dushan Spahiu, Paulin Koçi, Petrit Pashaj, Indrit Hita, Enjat Myrtaj, Roland Ramadani, Emiljano Likaj (Gaçaj), Qazim Ismailaj, Fatjon Belaj, Zamir Muliu, të gjithë banues në Vlorë.

-Fatos Dusha, Robert Hysa, Arjol Lleshi, të tre banues në Tiranë

-Fatjon Koçllari, banues në Durrës

-Kristiana Sako, banuese në Divjakë

-Muhamed Abdurrahim Sherif (Alias) Abdel Rehim Muhamed Eli, banues në Egjipt

-Mustafa Hysein Koseoglu, banues në Stamboll, Turqi

-Mehdi Mamushli, banues në Iran


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë