Dosje

‘Krushqit’ nga Lindja e Mesme, roli dhe skema e rrjetit të trafikut të emigrantëve Greqi-Shqipëri-Itali

Dosja hetimore mbi trafikun e 1.120 klandestinëve nga Lindja e Mesme drejt Shqipërisë dhe më pas me destinacion vendet e Bashkimit Evropian, tregon se rrjeti i trafikantëve ka pasur ndërveprim të gjerë mes tyre.

Dy ditë më parë, një operacion i përbashkët i policisë shqiptare, italiane dhe greke, çoi në arrestimin e 47 personave, të dyshuar si anëtarë të një rrjeti kriminal që merrej me trafikimin e emigrantëve nga Lindja e Mesme drejt Italisë.

Në Shqipëri, SPAK urdhëroi prangosjen e 25 personave, ku 18 ishin shqiptarë dhe 7 të tjerë nga vendet e Lindjes së Mesme.

Në përgjimin e bisedave mes tyre, trafikantët komunikonin ata përmes fjalëve të koduara, ku i cilësonin emigrantët si “krushq” që duhet t’i marrin për transport.

Hetimet kanë nisur në 23 prill 2020 dhe kanë përfunduar në tetor të vitit të shkuar, kohë e cila prokuroria dhe policia kanë dokumentuar 30 episode të kontrabandimit të klandestinëve.

Sipas dosjes hetimore, në krye të kësaj skeme ishin 5 persona, mes tyre 4 të huaj dhe një shqiptar. Për gjetjen e emigrantëve, ishte Abu Ahmed Sultan, me kombësi palestineze, ndërsa bshkëpunonte edhe me irakianë dhe sirianë, që ishin në rolin e organizatorëve. Ata, kishin përfituar statusin e azilantit në vendin tonë.

Klandestinët priteshin nga Fatjon Koçllari në Shqipëri dhe më pas akomodoheshin me anë të ndihmësve të tjerë, në Vlorë, Fier apo dhe Tiranë.

Ata hynin në Shqipëri nëpërmjet kufirit me Greqinë, por dhe mes aeroportit të Rinasit falë kompanisë së Rafael Lleshit, i cili kryente ftesa fiktive të shtetasve egjiptianë dhe më pas persona të tjerë i dërgonin me gomone në Itali.

Mënyra e pagesës ishte në dy forma, duke lënë fillimisht një kapar dhe pjesa tjetër jepej nga familjarët, pasi bëhej mbërritja në destinacion, apo dhe duke i bllokuar paratë në një pikë të caktuar në Greqi.

Në bregdet ku bëhej nisja për në Itali, qëndronin ndihmësit, anëtarë të grupit kriminal, të cilët ruanin për  patrullimet e policisë dhe sinjalizonin momentin që rruga ishte e pastër bëhej nisja.

Në dosje është dhe episodi i datës 8 janar i vitit të shkuar, ku anija me 52 klandestinë rrezikoi të mbytej, por fatmirësisht u shpëtuan nga Roja Bregdetare në Vlorë.

Sipas prokurorisë, shtetasi Soran Saber, pjesë e grupit kriminal, ka organizuar punën për trafikun e emigrantëve nga kufiri me Greqinë drejt Italisë. 

Pjesë e skemës ishte Fatjon Koçllari, që merrej me organizimin dhe transportin e tyre nga pikat e kalimit me Greqinë në Korçë dhe Gjirokastër më pas drejt Italisë.

Klajdi Kondo siguronte strehimin e tyre, në një banesë të marrë me qira te Zamir Muliu, i cili ishte edhe roje i objektit ku qëndronin të huajt duke qenë në dijeni të të gjithë aktivitetit.

Përgjimet kanë zbuluar se Fatjon Koçllari ka pasur një rol të rëndësishëm në rrjetin e trfikantëve për transportin e klandestinëve.

Koçllari dhe Rudin Shkrela, të dy të arrestuar, kanë komunikuar mes tyre ne dhjetor të 2020 për transportin e  4 klandestinëve sirianë nga Korça drejt Tiranës kundrejt shumës 1.200 euro.

Sirianët janë marrë nga Turqia, në Greqi dhe më pas janë çuar në Bilisht të Korçës. 

Pastaj ata janë marrë nga një furgon për t'i çuar në Tiranë. Transportuesi i tyre, Rudin Shkrela ka ngatërruar rrugën që duhet të ndiqte dhe kjo ka shkaktuar panik te trafikanti tjetër Koçllari.

Grupet fillimisht siguronin persona të ndryshëm në Irak, Siri, Egjipt dhe iu premtonin kalim drejt vendeve të BE-së kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 mijë deri në 10 mijë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë