Rend dhe Ligj

Trafik heroine drejt Italisë, në pranga dhjetëra anëtarë të grupeve mafioze shqiptaro-italiane

Gazeta Si - Pas vendimit të Gjykatës së Kasacionit në Itali që u refuzoi apelimin, një operacion i Antimafias ka çuar në prangat e policisë 27 persona, mes të cilëve edhe disa shqiptarë.

Sipas mediave italiane, ata dyshohet se si një grup kriminal organizonin transportimin dhe tregtimin e drogës nga Shqipëria në Itali.

Operacioni i koduar “Federico II” nisi në gusht të vitit 2012 dhe procesi hetimor ka përfunduar në gusht 2013 me 48 të dyshuar.

Mes shqiptarëve të përfshirë janë Klaidi Hasanaj, 52 vjeç, banues në Leçe (i arrestuar); Ortis Banda, 40 vjeç me banim në Maniago (në kërkim), si dhe Bilal Boçaj, 53-vjeç (në arrest), për të cilin gjykatësit kanë ricaktuar dënimin me nëntë vjet e 4 muaj burg.

Mediat italiane raportojnë se Gjykata e Kasacionit në Itali ka refuzuar apelimin e 27 prej të ndaluarve për masa të më buta sigurie.

Në dhjetor të vitit 2016, me kërkesë të Prokurorisë së Leçes, për 21 persona të ngarkuar me përgjegjësi në pozita të ndryshme për krime të llojit mafioz, u krye urdhri i paraburgimit nga gjykata me akuzat për “krijim të organizatës kriminale dhe trafik të drogës”.

Hetimi kishte çuar në çaktivizimin e dy organizatave të ndryshme, njëra prej të cilave ishte e tipit mafioz, me qëllim zhvatje dhe trafikun të drogës dhe një tjetër italo-shqiptare e dedikuar për importimin e sasive të mëdha të heroinës nga Shqipëria.

Gjatë veprimtarisë hetimore janë sekuestruar edhe pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme për të cilat më pas është urdhëruar konfiskimi, në veçanti një vilë; Apartament; një shesh lojërash; dy llogari rrjedhëse; pasuritë e një biznesi të madh; 95% e portofolit të biznesit të një kompanie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë