Interviste

Tonin Gjuraj: Kosova s’rrezikon tërheqjen e njohjes nga vendet arabe, hapja e ambasadës në Jeruzalem moment jo i lehtë

Qyteti i shenjtë, dheu i tre religjioneve kryesore që kanë shënjuar botën, pika ku takohen e ende ndeshen Lindja dhe Perëndimi... Pas vendimit të presidentit Trump që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të njihnin Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit më 2017-n, ndërsa mes dy vendeve vijon një konflikt i gjatë ku secili syresh e pretendon “qytetin e shenjtë” si kryeqytet, debatin mes “dy botëve” e ka rindezur marrëveshja Kosovë-Serbi, e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Pika e fundit e marrëveshjes me thelb ekonomik, nënshkruar nga kryeministri Hoti dhe presidenti serb Vuçiç, bënte të ditur se Izraeli zotohej të njihte Kosovën si shtet i pavarur, një më shumë në listën e shteteve që e kanë njohur, ndërsa në një pikë tjetër Serbia pranoi një moratorium njëvjeçar të fushatës së saj kundër njohjes së Kosovës.

Por lajmi, në dukje pozitiv, do të ndizte debate që sollën edhe kërcënime për tërheqje të njohjes së shtetit të Kosovës nga disa shtete myslimane, e më konkretisht Palestina.Kritika të ashpra u lëshuan nga Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, duke thënë se si Kosova dhe Serbia po vepronin kundër ligjit ndërkombëtar,

“Dy shtetet ballkanike kanë vepruar kundër vendimit të OKB-së, ligjit ndërkombëtar dhe rezolutës së Këshillit të Sigurimit që ndalon vendosjen e ambasadave në Jerusalem, që prej se ky vend konsiderohet i okupuar”, do të thoshte ai.

Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e bëri fakt të kryer se të dy vendet ballkanike, pa nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje do të çelnin ambasadat në Jerusalem.

“Kosova do të jetë i pari shtet me shumicë myslimane që hap një ambasadë në Jerusalem. Sicc kam thënë ditëve të fundit, rrethi i paqes dhe njohjes së Izraelit po shtrihet dhe vende të tjera presin t’i bashkohen”, shkruante kryeministri izraelit në Twitter, një ditë pas marrëveshjes dhe bisedës telefonike që kishte pasur në prani të presidentit Trump, me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

E megjithëse në Twitter, kryeministri izraelit thoshte se Hoti kishte bërë me dije çeljen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, në deklaratën e kryeministrit kosovar thuhej se“Sapo të kthehemi në Prishtinë do të punojmë që sa më parë Kosova të ketë ambasadën në Izrael”, pa specifikuar Jerusalemin.

Më i qarti ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili megjithëse udhëhoqi procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve prej 2011-s, nuk ishte firmëtari i marrëveshjes në Uashington, plane të prishura nga Prokurori Special i Hagës që publikoi akuzat për krime lufte ndaj kreut të shtetit të Kosovës, ndërsa ai do të merrte fluturimin drejt ShBA-së, këtë qershor.

“E mirëpres lajmërimin e kryeministrit të Izraelit Netanjahu rreth qëllimeve të sinqerta për të njohur Kosovën dhe për të vendosur marrëdhënie diplomatike. Kosova do ta mbajë premtimin për të vendosur misionin e saj diplomatik në Jerusalem”, shkruante Thaçi.Kritika dhe paralajmërime ndaj Kosovës ka pasur edhe nga vende mike si Turqia, e cila ka thënë se hapja e ambasadës në Jerusalem, minon rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe dëmton çështjen palestineze.

“I bëjmë thirrje lidershipit të Kosovës për t’u frenuar nga hapa të tillë që do të minonin statusin historik dhe ligjor të Jerusalemit dhe mund të parandalonte Kosovën të njihej nga shtete të tjera në të ardhme”, do të deklaronte Ministri i Jashtëm turk.

Edhe BE e ka paralajmëruar Serbinë dhe Kosovën mbi planet për të hapur ambasadë në Jerusalem. Kosova dhe Serbia do të jenë të parat vende europiane që ndjekin Guatemalën dhe ShBA-në, me vendosen e ambasadave në Jerusalem.

Kjo lëvizje shkon kundër qëndrimit të mbajtur nga BE. Politikat zyrtare të bllokut deklarojnë se statusi i qytetit të shenjtë duhet të zgjidhet mes Izraelit dhe palestinezëve si pjesë e negociatave të paqes. “Nuk ka asnjë shtet anëtar të BE-së me një ambasadë në Jerusalem”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano. Çdo hap diplomatik që do të vërë në pyetje pozicionin e përbashkët të BE-së në Jerusalem janë çështje shqetësimi serioz dhe pendese.

Kjo është çështje delikate që ka hapur debat, e cilëson Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj, i cili ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Izrael, në periudhën 2007-2009. Në këtë intervistë për Gazeta Si, Prof.Dr. Gjuraj thotë se nuk ka rrezik që shtetet myslimane të tërheqin njohjen e Shtetit të Kosovës.

Si i lexoni këto deklarata nga Liga Arabe, por edhe vende të tjera myslimane mbi mundësinë që Kosova të çelë ambasadën e saj në Jerusalem? A rrezikon që këto shtete të tërheqin njohjen e Kosovës si shtet ?

Jam  në dijeni në një deklarate të vendeve të Ligës Arabe, por është e nevojshme të saktësojmë një moment. Së pari. Liga Arabe është më e vogël sesa organizata për bashkëpunim islamik OBI dhe në këtë kontekst do të kishte qenë më shqetësuese, ose do të ishim preokupuar më tepër, nëse do të kishte pasur një dekret. Jo të gjitha vendet e Ligës Arabe, e kanë njohur Kosovën. Kështu që përpara se ata “ nëpërmjet një deklarate të tillë ,që për mua është politike dhe jo diplomatike - disa prej këtyre vendeve duhet të kryejnë më së pari aktin e njohjes. Thënë këtë, nuk e shoh të rrezikohet procesi i njohjes nga vendet që tashmë e kanë bërë. Vendimi për njohjen i përket qeverive kombëtare, nuk i përket një organizate “on block”, sepse po të ishte kështu edhe njohja, atëherë kur Kosova shpalli pavarësinë, do të kishte ndodhur “on block” nga Liga Arabe dhe të tjerë organizma.

Njohja “on block” e Kosovës si shtet nuk ka ndodhur në fakt as me Bashkimin Europian...

Ne kemi madje pesë vende të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. Dhe nuk mund të themi që BE e ka njohur Kosovën,  ose BE në një moment të caktuar do të tërheqë njohjen. Në këtë kuptim, deklarata është politike, emocionale dhe nuk besoj se rrezikohet, si të thuash, Kosova. Natyrisht që diplomacia bën punën e vet dhe në këtë kuptim i takon Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe partnerëve amerikanë, të cilët janë garantë të pavarësisë së Kosovës dhe të bisedimeve për normalizimin ekonomik në këtë fazë, që të punojnë në këtë drejtim. Në dokumentin për normalizimin ekonomik, të nënshkruar më 4 shtator në Uashington vetëm pika e fundit, përmend tekstualisht që Kosova dhe Izraeli bien dakord të njohin, në mënyrë reciproke, njëri-tjetrin.

Kryeministri i Kosovës Hoti dhe ai izraelit, Netanjahu

Pra dakordësia ishte në parim, ende nuk kemi një akt final të firmosur nga të dy shtetet?

Ende nuk kemi aktin formal të njohjes të Republikës së Kosovës nga shteti i Izraelit. Është dakordësi. Ka pasur një bisedë telefonike të kryeministrit Hoti dhe kryeministrin Netanjahu, në prani të presidentit Trump, ku janë zotuar të njohin reciprokisht shtetet, por  jemi në pritje nga kabineti Netanjahu apo ministri i Punëve të Jashtme, sepse është vendim që nuk e merr parlamenti, por qeveria.

Flitet sipas disa burimeve të besueshme që nesër Netanjahu t’i drejtohet në një video-mesazh qytetarëve të Kosovës dhe hebrenjve që jetojnë në Kosovë, për ta saktësuar një moment të tillë. Besoj se kjo do të ndodhë dhe është në përputhje me premtimin e kryeministrit Netanjahu- edhe gjatë kohës kur unë kam qenë ambasador i Shqipërisë në Izrael -, ku qëndrimi zyrtar ka qenë “Yes, but not yet”, (po, por jo tani).

Ne do të presim aktin formal dhe vendosja e ambasadës është moment tjetër. Dua të theksoj se përse nuk rrezikohet Kosova nga këto vende të Ligës Arabe apo të Lindjes së Mesme? Sepse po të shohësh kohëve të fundit, në një mënyrë të çuditshme ose thënë më mirë, realiste, diplomacia dhe administrata e Trump-it ka punuar shumë. Pasi, paralelisht me aktin e njohjes së Kosovës nga Izraelit, kemi një përmirësim të klimës në Lindjen e Mesme të raporteve të disa prej këtyre vendeve dhe vetë shtetit të izraelit. Para disa ditëve, Emiratet e Bashkuara Arabe u zotuan për marrëdhënie diplomatike me Izraelin, vende të cilat nuk njihnin njëri-tjetrin. Ditët e fundit, edhe Bahrerini bëri diçka të tillë, nga burime të sigurta flitet që edhe vende të tjera të atij rajoni, ndoshta Omani apo edhe vende më të mëdha e të rëndësishme do të njohin Izraelin. Në këtë kuptim, administrata Trump ka një përkushtim më të zgjeruar për rajonin dhe jo thjesht për Kosovën.  

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu

Kryeministri Netanjahu theksoi faktin se Kosova do të jetë i pari shtet me shumicë myslimane që hap ambasadën në Jerusalem. Përse një deklaratë e tillë?

Kosova nuk njihet nga Izraeli si një vend islamik, përtej deklaratave dhe keqinterpretimeve që ka pasur. Kosova është një vend europian, shtet demokratik, pesha specifike e qytetarëve të një vendi nuk përcakton llojin apo tipin e regjimit dhe, në këtë kuptim, për faktin se pesha specifike e qytetarëve të Kosovës kanë një peshë më të madhe të besimit mysliman, Kosova nuk është shtet mysliman, as katolik e as ortodoks. Përpjekjet për të bazuar etnicitetin me fenë është e gabuar dhe kjo tezë ka qenë e pranishme në të kaluarën, përfshirë ehe segmente apo lobime të ndryshme serbe, që kanë dashur të dëmtojnë procesi e njohjes, edhe administrata Trump e ka shumë të qartë, ashtu edhe shteti i Izraelit e ka të qartë.

Edhe Serbia e ka ndërprerë për një vit fushatën e mosnjohjes, që do të thotë se Kosova nuk rrezikon aq shumë në procesin e saj të njohjes si shtet...

Në një nga pikat e dokumentit Serbia, bie dakord të respektojë një moratorium një vjeçar të fushatës së mosnjohjes dhe Kosova bie dakord për një moratorium për të kërkuar anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare. Të dy palët, për sa kohë e kanë nënshkruar do ta respektojnë dhe kjo është pozitive.

Por ç’do të ndodhë me vendosjen e ambasadës? Duke qenë se marrëveshja mes dy vendeve, që solli si produkt edhe njohjen e Kosovës nga Izraeli, erdhi me ndërmjetësimin e fuqishëm të ShBA-së, a do të jenë të detyruar në një farë mënyre, vendet t’i hapin ambasadat në Jerusalem, duke u bërë edhe ta parat shtete europiane që i vendosin aty misionet diplomatike?

Nëse ambasada do të shkojë në Jerusalem i përket një momenti tjetër. Nuk është aq e lehtë. Unë  personalisht, me kohë kur është diskutuar rezoluta në OKB kam qenë kundër një lëvizjeje të tillë, nga Shqipëria sepse Kosova nuk është pjesë e OKB-së. Jo se nuk do të ndodhë një ditë, por pa u sqaruar... mendoj dëmton procesin e paqes mes Izraelit dhe shtetit të ardhshëm të Palestinës.Jemi pro formulës së zgjidhjes me dy shtete, por duhet sqaruar statusi me tre çështje; kufijtë, kthimi i refugjatëve dhe statusi i Jerusalemit dhe, pa rënë dakord për statusin brenda formulës së zgjidhjes me dy shtetet nuk mund të shprehemi dhe të spostojmë ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem, besoj se e njëjta vlen edhe për Kosovën. Të presim aktin formal të njohjes , pastaj do të jetë diskutim  tjetër në akordancën e administratës Trump, por edhe me BE-në për të spostuar ambasadën në Jerusalem apo jo , sepse është një hap i vështirë, jo i lehtë/S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë