Rend dhe Ligj

Tiranë, punonjësit e policisë gjejnë të fshehur një pistoletë në makinën e shërbimit

Gazeta Si - Dy punonjës të policisë në komisariatin nr.1 në Tiranë, mbrëmjen e të mërkurës kanë gjetur një armë zjarri brenda automjetit të shërbimit me të cilin po patrullonin.

Sipas burimeve paraprake, punonjësja e policisë, ka humbur një send personal dhe ka kërkuar së bashku me kolegun në mjet.

Në pjesën e poshtme të sediljes së pasagjerit kanë gjetur një çantë të zezë meshkujsh të mbuluar me pluhur. Kur e kanë hapur, brenda saj kanë gjetur një pistoletë TT.

Arma është dërguar në laborator për të zbuluar shenja të mundshme të gishtave.

Dyshohet se arma mund të jetë lënë nga ndonjë person i shoqëruar që ka qenë i armatosur.

Ai dyshohet se ka përfituar nga mungesa e vëmendjes së efektivëve dhe e ka fshehur.

Akoma nuk dihet sesa kohë ka pasur arma e fshehur brenda makinës së policisë, ndaj hetuesit dhe AMP nuk kanë akoma ndonjë emër të dyshuar. Përveç policisë, hetime ka nisur edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë