Ana e errët

Thellohet misteri për vdekjen e 4 turistëve rusë në Kavajë, ngjarja do të hetohet si vrasje (Foto)

Vdekja e katër turistëve rusë në një hotel në Qerret të Kavajës, është kthyer në një mister. Tri ditë pas zbulimit të tyre në dhomën e saunës së hotelit, policia hodhi dyshimet e para se ata mund të ishin asfiksuar, por këtë të hënë, Prokuroria e ka regjistruar këtë çështje për veprën penale të vrasjes.

Sipas informacioneve, grupi hetimor, ka vendosur ta regjistrojë hetimin për këtë akuzë, pavarësisht se nuk kanë dalë në një përfundim, pasi janë në pritje të përgjigjes së analizave të ujit si dhe autopsisë së trupave të katër viktimave.

Katër shtetasit rus, ndodhen ende në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe deri tani, asnjë prej familjarëve të tyre nuk është paraqitur në morg.

Sergei Burenkov dhe bashkëshortja e tij, Natalia Burenkova

Ndërkohë, përfaqësues të Ambasadës ruse në Tiranë janë në kontakt të vazhdueshëm me grupin shqiptar të hetimit dhe familjarët e të ndjerëve lidhur me procedurat e transportimit të trupave në atdheun e tyre.

Viktimat janë Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Ekaterina Burenkova 31 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç dhe Nikita Belousov, 37 vjeç.

Trupat e pajetë u gjetën në mbrëmje të premten e kaluar nga recepsionistja e hotelit, e cila ka konfirmuar para hetuesve se ata nuk kanë konsumuar asgjë.

Vajza e çiftit, Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe

Viktimat, u gjetën pranë pishinës, burrë e grua ishin me këmbët në ujë dhe të shtrirë. Dhëndri ishte në shezlong dhe vajza e çiftit pak më tej.

Të afërmit e tyre thanë për mediat ruse se asnjë prej viktimave nuk përdorte alkool apo drogë, ndërsa nga kontrollet e ushtruara në dhomë, janë gjetur disa birra

Policia deklaroi të premten se dyshohet që shkak i vdekjes së tyre është asfiksia, por tani ngjarja duket se ka marrë një tjetër rrjedhë.

Sergei Burenkov dhe vajza e tij, Ekaterina Burenkova

E gjithë ngjarja është mbështjellë me mister, por punonjësit e hotelit kanë theksuar faktin që 4 turistët kishin porositur përpara se të mbërrinin në hotel që të bëhej gati zona e SPA-së, pasi donin që të çlodheshin.

Ata ktheheshin nga një udhëtim turistik nga Ohri i Maqedonisë së Veriut, por para se të mbërrinin në Qerret, kanë ndaluar për pak kohë në Librazhd.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë