Dosje

Vdekja e 4 turistëve rusë në Golem, pritet një eksperiment hetimor edhe nga ushtria

Në hetimet për vdekjen misterioze të katër turistëve rusë në një hotel në Golem të Kavajës, duket se do të përfshihet edhe ushtria shqiptare.

Prokuroria dhe policia, në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes pranë Ushtrisë, do të kryejnë një eksperiment si një nga veprimet e fundit hetimore për zbardhjen e vdekjes së tyre.

Sipas informacioneve, hetuesit kanë në duar disa përgjigje nga analizat e kryera në pishinën e hotelit “Gloria Palacë”, ku u gjetën të pa jetë bashkëshortët Sergei dhe Natali Burenkova, vajza e tyre Ekaterina dhe dhëndri Nikita Belusov.

Grupi hetimor pritet të zhvillojë një eksperiment në ambientet e pishinës, ku ekspertët e laboratorit ushtarak do të përcaktojnë nëse ka pasur elementë të jashtëm biologjikë apo armë kimike që mund të kenë shkaktuar edhe vdekjen.

Ushtria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes ka laboratorin, por edhe pajisjet për të zbuluar përdorimin e agjentëve biologjikë që dyshohet se mund t’i kenë marrë jetën turistëve.

Një nga pistat kryesore të hetimet mbetet asfiksia nga klori, por ende nuk është përcaktuar me saktësi dhe në mënyrë shkencore ky rezultat.

Një tjetër dyshim i hetuesve, mbetet edhe mosfunksionimi i ventilimit të ambientit të pishinës, duke sjellë më pas asfiksinë e katër rusëve.

Nga ana tjetër Prokuroria e Kavajës ka regjistruar hetimet për vrasje në rrethana cilësuese, ndërsa hetimet po zhvillohen edhe në Rusi, ku është kryer autopsia pas mbërritjes të trupave të viktimave.

Më 15 tetor, 4 turistë rusë, Sergei Burenkov 60 vjeç, Natalia Burenkova 58 vjeçe, vajza e tyre Ekaterina Burenkova 31 vjeçe dhe partneri i kësaj të fundit, Nikita Belousov 37 vjeç, u gjetën të vdekur në hotel “Gloria Palace” në Golem të Kavajës.

Para se të ktheheshin në hotelin ku qëndronin prej disa ditësh, familja kishte vizituar Ohrin në Maqedoninë e Veriut. Ata kishin revervuar dhe kërkuar nga stafi që t’i bënin gati pishinën dimërore pas udhëtimit në shtetin fqinj.

Ishte po stafi që i gjeti të katër rusët të pajetë, një me këmbët në ujë, dy prej tyre në shezlong dhe tjetrin mes pishinës dhe saunës, pa mundur të konsumojnë as ushqimin dhe pijet që kishin porositur. Trupat e familjarëve të tyre i tërhoqi Aleksandri, 41 vjeç, djali i çiftit Burenkov.

Ndërkohë, mediat ruse, përveç se kanë raportuar se autoritetet atje kanë kryer një ekspertim tjetër mjeko-ligjor (pa dhënë asnjë referencë), nuk japin detaje për profesionin apo të shkuarën e viktimave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë