Dosje

Klori në pishinë, automjeti me qira dhe privatësia në sauna. Çfarë dëshmuan punonjësit e hotelit rreth vdekjes së 4 turistëve rusë

Vdekja e katër turistëve rusë rreth dy javë më parë në një resort në Qerret të Kavajës, vijon ende të jetë e mbështjellë nga misteri. 

Dyshimet e grupit hetimor fillimisht ishin për një vdekje nga asfiksia në dhomën e saunës ku u gjetën të vdekur familjarët: Sergey Burenkov, 60 vjeç, dhe bashkëshortja Natalia Burenkova, 58 vjeçe, së bashku me vajzën e tyre, Ekaterina, 31 vjeçe dhe partnerin e saj, Nikita Belousov. Por Prokuroria e Kavajës ndryshoi rrjedhën e hetimeve, duke e cilësuar ngjarjen si një vrasje.

Megjithatë, dëshmitë e punonjësve të hotelit, pritet të ndihmojnë grupin e hetimit për të hedhur më shumë dritë rreth ngjarjes, sepse analiza e ujit të pishinës dimërore të “Gloria Palace” nuk ka përfunduar ende së testuari në laborator.

ISHP ka kthyer pas mostrat e dërguara nga grupi i hetimit me argumentin se ishin marrë në formën e gabuar dhe duhet të administroheshin nga specialistë të fushës.

Punëtori i pishinës: Hodha një gotë klor pluhur në 60 ton ujë

Familja Burenkov, kryefamiljari Sergei me bashkëshorten Natalia dhe vajzën e çiftit Ekaterina

Punonjësi që kujdeset për pastrimin e pishinës së hotelit, N.H., ka dëshmuar para prokurorëve se ka hedhur vetëm një gotë klor pluhur me 60 tonë ujë që mbante pishina.

“Jam punëtor, ndërsa procedurën ma ka mësuar punonjësi para meje duke më treguar dhe protokollin. Pastrimin e bëj çdo ditë në mëngjes. Fillimisht e bëj me pompë dhe me fshesë të posaçme. Më pas, në fund i bëj lavazh filtrave të pishinës dhe hedh vetëm një gotë me klor në pishinën e cila mban 60 tonë ujë. Si çdo ditë, edhe me 14 tetor bëra pastrimin në orën 8 ose 8:30 të mëngjesit ku në kanalin kullues hodha një gotë klor”, - ka deklaruar punëtori i hotelit.

Punëtori i resortit ka mohuar të ketë hedhur solucion tjetër veç klorit në sasi të mjaftueshme, duke treguar edhe procedurën e punës.

“Cilësinë e ujit në pishinë e kontrolloj nëpërmjet shiringave, tre copë i mbush me ujë të pishinës dhe me sy shikoj ngjyrën, në rast se ngjyra e ujit është e zbehtë uji ka filluar me thyer ngjyrën dhe në këto raste unë i bëj sa më shpesh lavazh filtrave të ujit të pishinës, - shton ai. - Lavazhin e bëj nëpërmjet levave të veta që kanë filtrat, pra me anë të tyre bëhet qarkullimi i ujit në pishinë dhe uji bëhet më i pastër dhe filtrat pastrohen”.

Menaxherja kontrolloi aparaturat dhe mbylli turnin

Ambientet e hotelit luksoz në Qerret të Kavajës

Sipas menaxheres së përgjithshme të hotelit, Xh.P., katër turistët, në më të shumtën e kohës qëndronin jashtë duke udhëtuar, pasi kishin marrë një automjet me qira.

Ajo thotë se rusët shoqëroheshin nga një shtetase bjelloruse, e quajtur Maria, e cila i bënte dhe guidën sipas marrëveshjes me agjencinë turistike që kishin kontaktuar.

Xh, thekson se para e të mbyllte turnin pasdite, ka kontrolluar të gjitha pajisjet elektronike të pishinës dhe kushtet e higjienës në dhomën e saunës.

“Këta shtetas kanë dalë nga ambientet e hotelit rreth orës 06.30 të datës 15 tetor 2021 dhe janë kthyer në këtë datë rreth orës 20.00. Nuk kam dijeni se çfarë konsumuar ne hotel, por di të them se kur kanë ardhur janë interesuar për rezervimin e ambienteve të SPA-së”, - ka dëshmuar menaxherja.

“Po ashtu kam kontrolluar nga jashtë se sa gradë ishte uji i ngrohtë i pishinës ku çdo gjë ishte sipas kushteve dhe parametrave dhe tregonte sipas aparaturës 27 gradë. Dua të them se bazuar në gjërat që kontrollova në SPA çdo gjë ishte brenda normave”, - saktëson ajo.

Recepsionistja, ajo që i gjeti e para: Por nuk kisha kontakte

Sergei Burenkov dhe vajza e tij Ekaterina, 31 vjeçe

Të njëjtit version i përmbahet edhe rezepsionistja, H.K., e cila ka qenë personi i parë që i ka gjetur pa jetë turistët rusë. Ajo shton e nuk a pasur thuajse asnjë kontakt me ta, “pasi qëndronin të distancuar”.

“Të enjten në mbrëmje kanë ardhur tek recepsioni dhe njëri nga këta fliste anglisht dhe më ka thënë se donin të përdornin ambientet e SPA. Unë i kam thënë se duhet të më thoni një ditë përpara dhe më thanë që të nesërmen që i binte ditë e premte ishin në një udhëtim dhe nga ora 20.00 ambnentet e SPA të ishin të përgatitura për ta. Pishina është ndezur rreth orës 16.00, por jo nga unë, ndërsa unë para orës 20.00, kam ndezur pjesën e xhakuzit ku është thjesht një buton që duhet rrotulluar”, - tregon H.K.

Në dëshminë e saj para hetuesve, gruaja thotë se turistët i dukeshin të lodhur nga udhëtimi dhe pasi i ka pyetur nëse i nevojitej ndonjë gjë, është larguar, duke i lënë në privatësinë e tyre.

“Pas 10 minutash, mesa më kujtohet kam shkuar tek ambientet për kontroll dhe nëse i nevojitej diçka, i kam parë që po laheshin në pishinë dhe kur i pyeta nëse i nevojitej ndonjë gjë, më kanë thënë se duan privatësi. Jam ngjitur lart te recepsioni, ku kam parë punët e tjera dhe rreth orës 21.45 kam shkuar tek turistët rusë së bashku me sanitaren S.D., për t’u thënë se për pak këto ambiente do të mbylleshin dhe kur kam shkuar atje, kam parë se turistët ishin të shtrirë, njëri në shezlong, njëri afër shezlongut dhe dy të tjerë në dysheme afër pishinës”.

Më pas recepsionistja rrëfen se është afruar dhe ka thirrur sanitaren. “I kam folur anglisht, por nuk mora përgjigje. Jam trembur dhe i them sanitares që të lajmërojë stafin. Kanë ardhur edhe dy klientë dhe stafi i hotelit dhe pasi i kanë parë, kanë lajmëruar ambulancën, pasi mendonim mos u kishte rënë të fikët. Më pas ka ardhur ambulanca së bashku me mjekun dhe mësuam se katër turistët rusë kishin vdekur”, - e mbyll ajo dëshminë para hetuesve.

Tërheqja e trupave dhe udhëzimet nga Rusia

Pamje nga hoteli, nënë e bijë Natalia dhe Ekaterina Burenkova dhe selia e ambasadës ruse në Tiranë

Por a do të jenë të mjaftueshme për hetuesit dëshmitë e punonjësve të hotelit për të zbardhur të vërtetën e 4 turistëve rusë?

Pak ditë më parë, mediat ruse, edhe pse nuk e kanë pasqyruar ngjarjen në detaje, kanë njoftuar se Kryetari i Komitetit Hetimor, ka udhëzuar Drejtorinë Kryesore të Hetimit dhe Drejtorinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare që me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të sigurojë informacion nga autoritetet shqiptare për të raportuar mbi rrethanat e 4 vdekjeve tragjike.

Ndërkohë që të enjten pasdite, zyrtarë të ambasadës ruse kanë bërë të mundur tërhiqjen nga morgu i Tiranës të trupave të pajetë të 4 turistëve dhe sot në mesditë ata kanë mbërritur në Moskë. Edhe pse hetimet për vrasje vijojnë ende në Shqipëri, trupat e tyre do të prehen pas rreth dy javësh në banesën e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë