Ka ndodhur

Misteri i vdekjes së 4 turistëve në Qerret, ambasada ruse në Tiranë thyen heshtjen

Ambasada e Rusisë në Tiranë reagoi zyrtarisht dy ditë pas ngjarjes tragjike të ndodhur në një hotel në Qerret, ku 4 turistë rusë u gjendën të pajetë në ambientet e saunës.

Përmes një njoftimi të shpërndarë edhe në faqen e Facebook të ambasadës, konfirmohet vdekja e 4 shtetasve rusë: Natalia Burenkova, Sergey Burenkov, Ekaterina Burenkaya dhe Nikita Belousov dhe kërkkohet nga agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri hetimi i plotë i rrethanave të ngjarjes.

“Departamenti Konsullor i Ambasadës është në kontakt të vazhdueshëm me agjencitë e zbatimit të ligjit të vendit dhe po heton rrethanat e asaj që ndodhi. Ne presim një hetim të plotë nga pala shqiptare për shkaqet e vdekjes së shtetasve rusë. Të afërmit e viktimave janë njoftuar dhe do të bëhet riatdhesimi i trupave në atdheun e tyre”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Katër turistë rusë, dy burra dhe dy gra u gjetën të pajetë brenda një saune në një hotel në zonën e Qerretit, Kavajë.

Dyshohet se viktimat u asfiksuan nga qëndrimi më gjatë se ç’duhet në ambientet e saunës, por hetimet lidhur me shkaqet e ngjarjes vijojnë.

Çfarë shkruajnë mediat ruse

Mediat ruse duke cituar burimet e tyre thonë se një prej viktimave, Natalia Burenkova 58 vjeçe, vuante nga kanceri dhe nuk lejohej që të futej në sauna. Megjithatë siç shkruajnë mediat, viktimat ishin veshur në mënyrë të përshtatshme për sauna, pasi meshkujt ishin me të brendshme plazhi dhe femrat me fustane.

Natalia Burenkova, 58 vjeçe, bashkëshorti i saj Sergei 61 vjeç, vajza e tyre Ekaterina 31 vjeçe dhe bashkëshorti i vajzës, Nikita Belousov 37 vjeç u gjetën të vdekur më 15 tetor. Ajo që është tronditëse dhe tragjike është fakti se pasi të mbaronin pushimet, Ekaterina dhe Nikita do të martoheshin. Së bashku me prindërit e 31-vjeçares ata kishin vendosur që të kalonin disa ditë pushimi në Shqipëri.

Pistat

Të afërmit e tyre thonë se asnjë prej viktimave nuk përdorte alkool apo drogë. Nga kontrollet e ushtruara në dhomë, janë gjetur disa birra, ndërsa nga verifikimet ka rezultuar se nuk kishin konsumuar asgjë në hotel. Deri më tani nuk janë bërë publike rezultatet e ekzaminimeve mjekoligjore.

Policia thotë se dyshohet që shkak i vdekjes është asfiksia, ndërkohë, përfaqësues të ambasadës ruse në Tiranë, po ndjekin procesin e autopsisë së viktimave, për zbardhjen shkakut të vdekjes. Sipas verifikimeve në sistemin TIMS, 4 viktimat kanë hyrë në Shqipëri të dielën, ku së bashku me persona të tjerë kanë bërë ture turistike me guidë.

Ata kanë udhëtuar në drejtim të Ohrit dhe pasditen e së premtes, rreth orës 20:30, janë akomoduar në hotelin luksoz në zonën e Qerretit, ku dy orë më vonë u gjetën pa jetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë