Ka ndodhur

Kavajë, 4 turistë rusë gjenden të vdekur në saunën e një hoteli

Katër turistë rusë janë gjetur të vdekur në ambientet e saunës të një hoteli në Qerret të Kavajës. Ngjarja e rëndë është raportuar mbrëmjen e të premtes, ku dy burra dhe dy gra të moshës, 31, 37, 58 dhe 60 vjeç, janë gjetur të asfiksuar brenda saunës rreth orës 22:00.

Tre prej viktimave kanë të njëjtin mbiemër dhe dyshohet se ata kanë lidhje familjare. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka identifikuar viktimat, të cilat janë: Natalia Burenkova, 58 vjeçe; Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç; Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe.

Viktimat ishin pjesë e një grupi turistësh që kishin ardhur në Shqipëri prej një jave me pushime në zonën e plazhit të Qerretit në Kavajë.

Të premten në mbrëmje ata kishin vizituar qytezën turistike të Ohrit në Maqedoni të Veriut dhe ishin kthyer rreth orës 20:00 në hotelin ku ishin vendosur në Qerret. Pasi kanë darkuar, u janë drejtuar ambienteve të SPA-së. Kanë hyrë në sauna dhe aty ku dyshohet se janë asfiksuar.

Ka qenë recepsionisti i hotelit ai që ka gjetur trupat e pajetë të katër turistëve rusë, ndërsa ka njoftuar menjëherë policinë.

Në dëshminë e tij, ai thotë se ka shkuar në dhomën e tyre pasi kishin porositur pije. Duke qenë se ata nuk i janë përgjigjur kur i ka rënë derës, recepsionisti tregon se është futur brenda dhomës së saunës dhe i ka gjetur të vdekur.

“Kaluan tek recepsioni dhe porositën pije. Pas disa minutash shkova t'iu çoja porosinë. I rashë derës, nuk u përgjigj njeri. U futa brenda dhe i pashë që ishin pa shenja jete. Dola me vrap dhe lajmërova të tjerët”, tha thënë ai më tej në dëshminë e tij.

Dyshohet se turistët kanë humbur jetën për shkak të temperaturës së lartë, e cila ul tensionin dhe si pasojë edhe sasinë e oksigjenit në gjak. Për shkak të qëndrimit të gjatë nuk kanë mbijetuar.

Instituti i Mjekësisë Ligjore po kryen ekspertizën e trupave të pajetë për të zbardhur shkakun. Paralelisht po zhvillohet edhe ekspertiza për analizat bakteriologjike të ambienteve të saunës së hotelit.

Për këtë ngjarje të rëndë është njoftuar edhe ambasada ruse në Tiranë, ndërsa Policia dhe Prokuroria e Tiranës ndodhen ende në vendnngjarje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë