Kombetarja

‘Tetori i Dytë’, Shqipëria sërish në finalet e një Europiani

Nga Gazeta Si - Vendi i parë në grupin E, 13 pikë. Sulmi më i mirë me 11 gola pas 6 ndeshjesh dhe mbrojtja më e mirë me 3 gola të pësuara, vetëm dy ndeshje larg fundit. Një vit si ky dhe eliminatore si këto as do t’i kishim ëndërruar, këta djem, kjo skuadër dhe ky trajner po na e bëjnë gjithmonë edhe më realitet atë që ne dikur e konsideronim thjesht një ëndërr, ato ndeshje finale të aktiviteteve të mëdha si Europiani që vetëm një herë i përjetuam dhe i arritëm me shumë mund.

Megjithatë ende nuk jemi zyrtarisht të kualifikuar edhe pse kjo skuadër na ka treguar se ne do të jemi në Europian. Por na duhen edhe dy pikë për të mbyllur zyrtarisht llogaritë dhe të jemi mes skuadrave të para që kualifikohemi për në “Gjermani 2024”.

LEXO EDHE:
- Fitore madhështore e Shqipërisë, 3 gola Çekisë dhe tani Euro 2024 është në duart tona (Video)
- Flasin protagonistët, Seferi pas dopietës: Fitore fantastike për gjithë shqiptarët
- Silvinjo entuziast: Ndeshje e shkëlqyer, po ndërtojmë diçka shumë të rëndësishme

Ndërkohë që ne do të luajmë miqësoren me Bullgarinë, pas dy ditësh Çekia do të presë Ishujt Faroe, teorikisht një ndeshje e thjeshtë për çekët për ta fituar dhe nëse do t’ia dalin, ata do të ngjiten sërish në vendin e dytë me 11 pikë nga 8 që kanë aktualisht dhe ndodhen në vendin e tretë poshtë Polonisë, e cila ka 6 ndeshje sa edhe Shqipëria.

Në anën tjetër Moldavia që gjithashtu është me 8 pikë, po në datën 15 tetor do të luajë përballë Polonisë në Varshavë një ndeshje që do të ndajë me gjasë se cila do të jetë skuadra e tretë e grupit.

Duket e pabesueshme por në një grup kualifikues, nuk kishte ndodhur asnjëherë që skuadrat e mëdha në letër, Polonia dhe Çekia, bëjnë llogaritë mes tyre, ndërkohë që ne nuk na përkasin fare këto llogari.

Shqipëria do të udhëtojë drejt Moldavisë për ndeshjen e 17 nëntorit dhe do ta mbyllë me 20 nëntor në Tiranë në Stadiumin ‘Air Albania’ përballë Ishujve Faroe, skuadra më e dobët e grupit.

Këtë të fundit e mundëm në transfertë dhe ka vetëm një pikë, pa asnjë objektiv, me 12 gola të pësuar dhe vetëm dy të shënuar. Të gjitha këto, na bëjnë të festojmë, të mendojmë se kualifikimi për ne në Gjermani 2024 është thjesht një formalitet.

8 vite më parë ishte sërish tetor, data 11, në Jerevan ne siguronim kualifikimin e parë historik për në finalet e një Europiani "Francë 2016". Ndërsa sot, si për ironi sërish tetor, data 12, Shqipëria është me një këmbë në Europian, më bukur se kaq nuk mund të ndodhte.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë