Kombetarja

Flasin protagonistët, Seferi pas dopietës: Fitore fantastike për gjithë shqiptarët

Pas fitores së madhe me Çekinë, që ‘de facto’ e çon Shqipërinë në Gjermani 2024, kanë folur disa nga protagonistët e fushës. Taulant Seferi, autor i dy golave në këtë ndeshje, mes të tjerash theksoi:

“Jam shumë i lumtur për fitoren, është një fitore fantastike e mbi të gjitha para gjithë shqiptarëve, por edhe shumë e rëndësishme për Kombëtaren tonë. Jam shumë i lumtur edhe sepse gjeta golin pas shumë kohësh me Kombëtaren. Shumica nuk kanë besuar te unë, falënderoj trajnerin për besimin dhe me ndihmë e Zotit ia shpërbleva atij, familjes sime dhe gjithë shqiptarëve.

Jam një njeri i thjeshtë, që i kam parë të gjitha komementet dhe kritikat, por përgjigja ime ishte në fushën e lojës. Kam pasur një periudhë të keqe në Zvicër prej dëmtimeve dhe kjo ishte pengesa ime atje. Gabimi im ishte që shkova në një ekip që luante për mbijetesë, si Xamax.

Te Kombëtarja jemi një, si tifozët e Partizanit dhe Tiranës dhe jam shumë i lumtur që i kam bërë të gjithë të lumtur. Jemi një grup fantastik dhe jam shumë i lumtur për grupin.”

Ylber Ramadani, pas fitores u shpreh: “Është natë e madhe për të gjithë, janë tri pikë shumë të rëndësishme. U futëm në fushë për të fituar, jo për të barazuar. Kur shënuam, ata sulmuan, sepse ishin të dytët në grup, por për ne është një mbrëmje e madhe.

Para ndeshjes fola me Ajetin dhe Gjimshitin, u thashë se ‘unë luaja në Kosovë kur ju shkuat në Europian, shpresoj që edhe unë ta bëj ëndrrën realitet’. Kur erdha në fillim në Shqipëri kisha vështirësi, luaja me Partizanin B për tre-katër muaj, por nga aty mësova shumë.

Tani e njohim shumë mirë njëri-tjetrin, kundërshtarët nuk kanë shumë shanse. Çekia bëri sot vetëm golin me dorë dhe asgjë tjetër. Fitoren ia dedikoj Zotit dhe pastaj familjes sime”.

Elseid Hysaj, theksoi: “Besoj se ishte një ndeshje perfekte për të gjithë, me atë që dhamë në fushë, golat e shënuar, por edhe rastet e krijuara. Kemi bërë një rrugëtim fantastik dhe kjo meriton të vlerësohet. Kemi punuar shumë mirë të gjithë bashkë dhe kemi arritur këtu.

Pas dështimit që kishim në edicionin e kaluar, edhe e kam menduar se kishim mjaftueshëm cilësi për të shkuar në Europian sërish. Kemi lojtarë që luajnë titullarë në skuadra mjaft të mira dhe besoj se e meritojmë të shkojmë sërish në Europian. Po shkojmë me rezultate të mira dhe lojë shumë bindëse, ndryshe nga 8 vite më pare. Na mungojnë edhe dy pikë, të presim edhe ta sigurojmë matematikisht që të festojmë të gjithë bashkë”.

Kristjan Asllani: “E kishim përgatitur shumë mirë ndeshjen, kishim luajtur para një muaji me Çekinë dhe e njihnim mirë. E dinim që na vinin në vështirësi me fizikun, ndaj provonim të mbanim topin gjithmonë. Unë jam gjithmonë njësoj i lumtur, si këtu edhe te Interi. Jam gjithmonë gati të shfrytëzoj rastet e mia në fushë.

Këtu luaj rregullisht dhe atje jo. Duhet të pranoj se kam përpara një mesfushor si Çalhanoglu, një nga tre më të mirët në rolin e tij dhe po mësoj shumë prej tij. Megjithatë, këtë sezon po punoj shumë në stërvitje dhe në shtëpi, në mënyrë që të shfrytëzoj në maksimum mundësitë e mia”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë