Kombetarja

Fitore madhështore e Shqipërisë, 3 gola Çekisë dhe tani Euro 2024 është në duart tona (Video)

Gazeta Si – Fitore madhështore e Shqipërisë, 3-0 ndaj Çekisë në ‘Air Albania’. Tani, me 13 pikë në vend të parë dhe 2 ndeshje nga fundi i kualifikueseve, Gjermani 2024 është plotësisht në duart tona. Presim vetëm aritmetikën në nëntor. Mjafton të fitojmë ndeshjen e fundit në fushën tonë ndaj Ishujve Faroe dhe jemi në Europian.

Kuqezinjtë arritën sot fitoren më të thellë në këto kualifikuese, ndaj rivalit më të fortë të grupit. Kjo do të thotë se e meritojnë plotësisht ‘biletën’ për në Gjermani vitin e ardhshëm. Kurrë më parë Kombëtarja nuk ka qenë kaq bindëse dhe kaq spektakolare në një fazë kualifikuese.

Fitorja u bë më e lehtë për djemtë e Silvinjos nga dy episode të pjesës së parë. Jasir Asani mendoi për ‘silurën’ e radhës dhe pas 9 minutash lojë kuqezinjtë e panë veten në avantazh. Në fundin e pjesës së parë çekët mbetën me 10 vetë: një nga sulmuesit e tyre mori kartonin e dytë të verdhë pasi shënoi me dorë.

Në pjesën e dytë Shqipëria e menaxhoi ndeshjen shumë mirë, la pak hapësira prapa dhe shënoi 2 herë me Taulant Seferin, duke prerë çdo shpresë të Çekisë për të marrë pikë në ‘Air Albania’. Humbja e miqve do të ishte më e thellë, nëse VAR-i nuk do të anulonte golin e Mujës.

Mungesat e Ismajlit dhe Brojës nuk u ndjenë në ndeshjen e sotme. Të gjithë lojtarët u treguan mjaft të impenjuar për zbatimin e detyrave të trajnerit Silvinjo. Tani mund të presim nëntorin për festën e madhe, por ajo ka filluar tashmë.

Episodet

Mbyllet ndeshja, 3-0

86' - Gjasula në vend të Seferit.

81' - Muja shënon, por VAR-i prish festën e sulmuesit kuqezi, duke e anuluar për pozicion jashtë loje.

73' - Ramadani pason bukur për Dakun në zonë, sulmuesi vepron bukur dhe i dhuron një asist Seferit, i cili realizon edhe golin e 3-të.

67' - Muçi merr vendin e Bajramit, Daku në vend të Cikalleshit.

54' - Silvinjo bën lëvizjen e parë. Muja merr vendin e Asanit.

51' - Seferi shënon golin e dytë. Bajrami 'vjedh' një top dhe pason për Hysajn, i cili ia përcjell Asanit dhe ky e kthen në qendër të zonës, ku Seferi godet saktë. Goli konfirmohet edhe nga VAR-i. 2-0.

45' - Dalje e shpejtë e kuqezinjve në kundërsulm, por gabojnë në momentin e fundit

43' - Holesh gjuan pasi hyn në zonë, pret Berisha në pozicion.

39' - Chytil shënon në portën e Berishës, por e ka devijuar topin me dorë dhe ndëshkohet me karton të verdhë, që është i dyti. Çekia mbetet me 10 lojtarë.

17' - Cikalleshi merr një top të bukur dhe futet në zonë, gjuan në pozicion diagonal, pret portieri kundershtar.

9' - Shqipëria kalon në avantazh. Ramadani rrëmben një top në mesfushë dhe pason për Asanin, i cili gjen hapësirën e nevojshme, gjuan fort me të majtën dhe 1-0.

Shqipëri-Çeki 3-0
Shqipëria: Berisha, Hysaj, Gjimshiti, Ajeti, Mitaj, Asllani, Ramadani, Bajrami, Asani, Seferi, Cikalleshi. Trajner: Silvinjo.
Çekia: Pavlenka, Holes, Brabek, Krejçi, Jurasek, Sadilek, Souçek, Coufal, Çerni, Kushta, Chytil. Trajner: Shihlavi
Arbitër: Dani Makeli (Holandë)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë