Kombetarja

Igli Tare ngre në qiell Shqipërinë: Mund të bëjë çudira e mrekulli edhe në Europian

Gazeta Si – Elozhet për këtë Shqipëri vijnë nga të gjitha anët. Shumë personazhe të njohur të botës së futbollit dhe jo vetëm kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për të thënë diçka për suksesin kuqezi.

Igli Tare, ish-kapiten i Kombëtares, e ndoqi ndeshjen me Çekinë nga tribuna dhe ‘Air Albanias’ dhe pas triumfit 3-0 foli me superlativa për skuadrën e ndërtuar nga Silvinjo:

“Ishte një ndeshje fantastike, e merituar nga skuadra jonë. Komplimente stafit, trajnerëve, meritojmë të gjithë bashkë të festojmë. Një natë e madhe. Po u thosha miqve në tribune se jemi skuadër më e mirë se Polonia dhe se Çekia edhe individualisht. Kanë bërë gjithçka mirë.

Duke parë edhe mungesën e Brojës, që është lojtar i jashtëzakonshëm, kush u fut e demostroi se e meriton të jetë pjesë e kësaj skuadre. Trajneri ka ‘dhimbje koke’, duke pasur lojtarë me shumë kualitet. Ka ndërtuar një grup kompetitiv. Kanë mundësinë të bëjnë çudira në Europian. Është një empati e krijuar shumë bukur mes stafit dhe skuadrës.

Është trajner që sjell jo vetëm kualitet, por edhe eksperiencë shumë të madhe për të menaxhuar situata të vështira. Ka shumë kualitet edhe skuadra. Kjo skuadër duhet të ketë besim të shkojë deri në fund, duke luftuar të gjithë bashkë mund të bëjmë mrekullira.

Po të isha ende drejtor i Lacios, do e kisha marrë gjithë skuadrën. Lojtari më i madh i Kombëtares tonë ka qenë Alban Bushi, ai është legjendë, i papërsëritshëm, si brenda dhe jashtë fushës”, - theksoi Tare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë